Ndërlidhjet

Eksporti, sfidë për Kosovën


Autoritetet kosovare kërkojnë nga vendet e rajonit dhe ato evropiane që bizneseve kosovare t’u krijojnë kushte më të mira për eksportimin e mallrave. Sipas tyre, Kosova eksporton në një përqindje mjaft të ulët produkte në këto vende, derisa importon rreth 90 për qind të tyre.


Politika tregtare, sipas autoriteteve kosovare, do të fokusohet në ngritjen e kapaciteteve konkurruese në tregun e brendshëm, në masat për lehtësimin e tregtisë së jashtme, si dhe në promovimin e eksportit.

Ato pohojnë se Qeveria e Kosovës po synon që, përmes politikave të reja tregtare, të ndikojë në nxitjen e eksportit dhe uljen e importit.

Përfaqësuesi i Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, Mustafa Hasani, thotë se në Kosovë ka një bilanc negativ tregtar.

Sipas tij, më shumë se 90 për qind e mallrave importohen në Kosovë.

“Kosova ka treguar se është një ekonomi, e cila është liberale dhe e hapur ndaj tregut. Pavarësisht problemeve që kemi pasur me CEFTA-n, nuk kemi bërë asnjë problem për hyrje të çfarëdo produkti prej ngado që ka ardhur në Kosovë”,
thotë Hasani.

Ai shton se Kosova nuk ka krijuar asnjë barrierë jo tarifore në kontekst të ardhjes së produkteve nga jashtë.

Të dhënat nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë tregojnë se në vitin 2007 në Kosovë ka pasur një import prej 220 milionë eurosh, ndërsa një eksport prej 9, 5 milionë eurosh.

Kurse, sipas të dhënave për vitin 2008, në Kosovë janë importuar mallra me vlerë prej 148 milionë eurosh dhe janë eksportuar produkte me vlerë prej 7, 5 milionë eurosh.

Në anën tjetër, kryetari i Aleancës Kosovare të Biznesit, Agim Shahini, thotë se Kosova është në promovim të një tregu liberal me vlera të kulturës së lartë, pa diskriminim të produkteve të huaja.

“I kemi disa probleme me disa vende fqinje. Paqartësitë politike nuk mund të hakmerren me bllokada ekonomike”.

“Ne, si treg i Kosovës, kemi një import nga shteti i Serbisë prej rreth 200 milionësh dhe kjo tregon se ne kemi një rrugë të bashkëpunimit të drejtë, por kjo rrugë është vetëm njëkahëshe”,
thekson Shahini.

Jashar Gogaj, përfaqësues i Doganave të Kosovës, thekson se, sa i përket çështjes së eksportit dhe importit të mallrave, doganat aplikojnë ligjet që janë në fuqi edhe në Bashkësinë Evropiane.

Kodi i ri i doganave dhe i akcizave, sipas tij, rregullon çështjet ligjore për importin e mallrave të rregullta dhe atyre të përkohshme.

“Kodi i doganës rregullon duke bërë procedura të ndryshme. Si i tillë, është i rregulluar në atë mënyrë që të gjitha mallrat me numra tariforë lirohen prej detyrimeve”.

“Kjo pasi që Kosova është pjesë e CEFTA-s dhe procedurat doganore me ndikim ekonomik, të cilat u mundësojnë investitorëve në Kosovë që të importojnë me detyrime të pezulluara derisa sa të lirohen në qarkullim të lirë, përmes deponimit doganor dhe procedurës së përpunimit të brendshëm, e që kanë të bëjnë me produktet që prodhohen në Kosovë, por që janë destinuar të eksportohen”,
shpjegon ai.

Sidoqoftë, një eksport i mallrave të Kosovës është i theksuar në drejtim të Shqipërisë, pas lëshimit për qarkullim të autostradës Durrës-Kukës-Morinë.
XS
SM
MD
LG