Ndërlidhjet

Shtyhet gjykimi ndaj Karaxhiqit


Radovan Karaxhiq - Hagë, 3 mars 2009.

Radovan Karaxhiq - Hagë, 3 mars 2009.

Radovan Karaxhiq përballet me 11 akuza, mes të cilave dhe me atë për gjenocid në masakrën e Srebrenicës. Karaxhiq nuk mori pjesë në seancën gjyqësore, çfarë solli dhe shtyrjen e saj për të martën.





Filloi sot gjykimi ndaj ish-udhëheqësit të serbëve të Bosnjës, Radovan Karaxhiq. Karaxhiq përballet me 11 akuza, përfshirë dhe akuzat për gjenocid dhe krime kundër njerëzimit gjatë luftës në Bosnjë e Hercegovinë.

Karaxhiq nuk po merr pjesë në gjykim, me justifikimin se nuk ka pasur kohë për t’u përgatitur për mbrojtjen.

"Prania e të akuzuarit në sallën e gjyqit është e nevojshme për fillimin e gjykimit, pasi ai do të vetëmbrohet. Refuzimi i tij bllokon fillimin e gjykimit. Gjykata do të detyrojë emërimin e një këshilltari mbrojtjeje, në mënyrë që të parandalohet pengimi i procedurave”, tha prokurorja Hildegard Uertz-Retzlaff .

Kryetari i trupit gjykues, O Guon Kuon, e ka shtyrë gjykimin deri të martën, ku pritet që prokuroria të bëjë paraqitjen e rastit.

Shoqata “Nënat e Srebrenicës” kanë shprehur pakënaqësinë e tyre me mënyrën e procedimit nga Gjykata.

“Ne, nënat nga Srebrenica jemi të zemëruara me gjykatën rreth procedurave të tilla, pasi duam që drejtësia të vejë në vend dhe të dalë në pah e vërteta sa jemi ende gjallë”, tha Nirmela, përfaqësuese e shoqatës.

Kryeprokurori i Gjykatës së Hagës për ish-Jugosllavinë, Serzh Bramerz, nuk i pranoi pretendimet e Karaxhiqit, duke nënvizuar se prokuroria është gati për gjyqin.

Karaxhiqi u arrestua vitin e kaluar në Beograd, pas 13 vjtësh në arrati.

Gjatë gjithë aktivitetit të saj, Gjykata Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë ka ngritur aktpadi ndaj 160 personave, shumica e të cilëve janë serbë.

Nga të gjitha rastet, 60 persona janë shpallur fajtorë dhe janë dënuar, 11 të tjerë janë liruar nga akuzat, 14 raste janë në fazën e apelit, kurse gjykimet e 13 rasteve të tjera u kanë kaluar gjykatave në territorin e vendeve të dala nga ish-Jugosllavia.

Gjykata ngriti aktpadi ndaj Sllobodan Millosheviqit, kur ky ishte kryetar shteti, çfarë shënoi rastin e parë të akuzës ndaj një presidenti në detyrë.

Aktpadia ndaj Millosheviqit u bë publike në vitin 1999. Gjykimi ndaj Sllobodan Millosheviqit nuk përfundoi asnjëherë, pasi i akuzuari vdiq në vitin 2006, derisa procesi ishte në vazhdim e sipër.

Aktualisht, Ratko Mlladiq dhe Goran Haxhiq, të akuzuar nga kjo gjykatë, mbeten ende në arrati.

Kreu i OKB-së, Ban ki Mun, po sheh mundësinë e zgjatjes së mandatit të Gjykatës që ajo të mund t’i përfundojë të gjitha rastet. (I.B.)

XS
SM
MD
LG