Ndërlidhjet

Gara për Ferizajn


Pamje në Ferizaj
Pamje në Ferizaj

Kandidatët për kryetar të Komunës së Ferizajt, në platformën zgjedhore për zgjedhjet e sivjetme lokale, premtojnë një qeverisje funksionale dhe zhvillim ekonomik të qytetit. Ata thonë se kanë hartuar projekte zhvillimore, të cilat do të realizohen brenda një mandati 4-vjeçar.


Kandidatët e subjekteve politike, të cilët garojnë për kryetar të Komunës së Ferizajt në zgjedhjet lokale të 15 nëntorit, thonë se programet e tyre zgjedhore janë programe të realizueshme dhe të bazuara në preokupimet e banorëve të Ferizajt.

Disa subjekte kërkojnë votën e qytetarëve për ta vazhduar qeverisjen, kurse të tjerat për të ardhur në pushtet, duke premtuar qeverisje më të mirë se pushteti aktual.

Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës, Bajrush Xhemajli, premton se do të vazhdojë zbatimin e projekteve të shumta, të cilat i sheh si prioritet për qytetarin e Ferizajt.

“Ofroj më shumë se të tjerët, se jam dëshmuar gjatë dy vjetëve se jam një kandidat i pakontestueshëm. Kam relaksuar raportet pozitë – opozitë, sepse kanë qenë tejet të acaruara. Kam liruar hapësira publike dhe qyteti frymon krejt ndryshe, e ka një fytyrë më njerëzore nga ato uzurpime, nga ato leje që janë dhënë ku duhet e ku nuk duhet”.

“Me punën tonë kemi dëshmuar se jemi të denjë për të qeverisur. Kemi ndërtuar edhe një park; është motiv i mjaftueshëm për të vazhduar edhe më tutje”,
thotë Xhemajli.

Ngecja për ngritjen e një administrate funksionale, dëmtimi i rrugëve pak kohë pas asfaltimit, mosrespektimi i afateve për zbatimin e projekteve zhvillimore - janë ato pika që kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Faik Grainca, i sheh si dobësi të udhëheqjes aktuale.

Ai e konsideron përvojën e tij shtatëvjeçare në kuvendin komunal si epërsi ndaj rivalëve në këtë garë zgjedhore.

“Ne ofrojmë më shumë se kandidatët tjerë dhe të gjitha partitë e tjera, sepse jemi e vetmja parti që kemi përvojën e duhur dhe vizionin e qartë për komunën tonë. Ne, sa kemi qenë në pushtet, kemi realizuar me qindra projekte, që e kanë bërë jetën e qytetarëve më cilësore”.

“Ne shpresojmë se do të vazhdojmë aty ku e kemi lenë. Do të vazhdojmë me projekte shumë të rëndësishme të infrastrukturës së arsimit, të shëndetësisë dhe shërbimeve publike në përgjithësi”,
thekson Grainca.

Rrahim Sadiku, kandidati për kryetar të Komunës së Ferizajt nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, është përcaktuar, siç thotë ai, për një Ferizaj ndryshe. Sadiku thotë se garon në këto zgjedhje për shkak se synon të ndryshojë Ferizajn, duke vënë theksin në arsim, ekonomi dhe bujqësi.

“Nëse do t’i fitoj zgjedhjet në këtë radhë, do të vendos në Ferizaj një qeverisje ndryshe, një qeverisje që ajo që premtohet, edhe realizohet”.

“Një qasje krejt tjetër ndaj projekteve, ndaj problemeve që ka qyteti, ndaj arsimit që e kemi fundosur gati, ndaj bujqësisë që nuk e kemi fare, ndaj ekonomisë së vogël që e kemi shndërruar në bordele, në kafiteri, në pompa të benzinës. Do të kisha iniciuar prodhimin vendor”,
thotë Sadiku.

Në anën tjetër, kandidati i Aleancës Kosova e Re, Naim Ferati, thotë se i ka kushtuar rëndësi më të madhe krijimit të infrastrukturës rrugore, por, siç vlerëson ai, pa lënë anash edhe mirëqenien sociale të ferizajasve.

“Projekte konkrete do të jenë të gjitha rrugët e qytetit, lagjeve dhe fshatrave, do të jenë të rregulluara dhe të asfaltuara. Ndriçimi publik do të jetë i përfunduar, kanalizimi dhe ujësjellësi do të përfundojnë brenda një mandati 4-vjeçar”.

“Do të ketë më shumë mirëqenie sociale dhe strehim për banorët e Komunës së Ferizajt. Do të ketë më shumë vende të punës, do të ketë një komunikacion më të lirë dhe do të përkrahim ekonominë familjare dhe bujqësinë”,
shprehet Ferati.

Sido që të jetë, qytetarët e Ferizajt thonë se ballafaqohen me probleme të shumta. Disa nga ta janë skeptikë se kandidatët në garë do të mund t’i zgjidhin problemet e kësaj komune.

“Unë quhem Beqir Imeri. Jetoj në Ferizaj. Problemet, me të cilat ne ballafaqohemi, janë të shumta. Nuk besoj se do të bëjnë diçka zgjedhësit e ri, më shumë sesa ata që kanë bërë më herët. Do të bëjnë diçka, por jo sa duhet”, thotë ai.

Ndërsa, Besnik Gashi shprehet:

“Krejt gjërat këtu duhet t’i bëjnë. Së pari rruga, uji. Krejt gjërat janë në mungesë në Komunën e Ferizajt. Këta kanë vetëm premtime dhe asgjë nuk bëjnë. Ndoshta do t’i përmirësojnë, por jo si kanë filluar, jo. Janë premtime të kota, premtime boshe”.

Një nga problemet më të theksuara në Komunën e Ferizajt mbetet hekurudha, e cila kalon përmes qytetit. Kjo hekurudhë ka qenë vend aksidentesh të shpeshta fatale. Analistët kritikojnë kandidatët për kryetar të Komunës së Ferizajt se këtë problem nuk e kanë futur në listën e prioriteteve.
XS
SM
MD
LG