Ndërlidhjet

Vazhdon status quo në Mitrovicë


Mitrovicë
Mitrovicë

Projekti për krijimin e komunës së Mitrovicës veriore, në bazë të të cilit autoritetet synonin shtrirjen në veri, nuk u realizua. Autoritetet dhe analistët druhen se status quo-ja në atë pjesë nuk do të përfundojë shpejt.



Zgjedhjet lokale të 15 nëntorit do të rezultojnë me formimin e tri komunave të reja me shumicë serbe, por asnjëra nga to nuk është ajo për të cilën kanë insistuar më tepër autoritetet qendrore - Mitrovica veriore.

Krijimi i kësaj komune, sipas autoriteteve, do t’u jepte fund strukturave paralele serbe atje dhe do të mundësonte shtrirjen e kontrollit të organeve qendrore.

Plani për Mitrovicën është i detajuar në propozimin për statusin, por serbët në pjesën veriore vazhdojnë të kenë kundërshti ndaj këtij propozimi.

Skënder Zogaj, këshilltar në Ministrinë e Pushtetit Lokal, pranon se edhe pas zgjedhjeve të 15 nëntorit, pjesa veriore e Mitrovicës po mbetet siç është tani, një status quo.

“Realisht, Mitrovica, pjesa serbe e Mitrovicës ia ka zgjatur mandatin vetvetes për të qenë jashtë institucioneve dhe për të bërë vazhdimin e asaj që ka planifikuar më herët. Pra, të mbetet në një fushë ku taktizon mbase për të imponuar zgjedhje të reja”, thotë Zogaj.

Kohë më parë, Zyra Civile Ndërkombëtare, në bashkëpunim me institucionet vendore, shtynë krijimin e komunës së Mitrovicës veriore dhe të Parteshit.

Vetë shefi i kësaj zyre, Piter Feith, siguroi se në bazë të ligjeve në fuqi, zgjedhjet në këto dy vendbanime do të mbahen jo më vonë sesa 6 muaj pas atyre të 15 nëntorit.

Zëdhënësi Endi Megafi shpjegon se përgatitjet e ngadalta kanë bërë që krijimi i komunës së re të Mitrovicës veriore dhe të Parteshit, të shtyhet.

“Zgjedhjet pritet të mbahen jo më vonë sesa 6 muaj pas zgjedhjeve të 15 nëntorit. Propozimi Gjithëpërfshirës është shumë i qartë. Do të ketë komunë të re në Mitrovicën veriore dhe fokusi ynë është që këtë ta bëjmë”, thekson Megafi.

Eksperti për çështje të decentralizimit, Dardan Gashi, thotë se mbajtja e zgjedhjeve të reja në këtë pjesë, tregon për statusin special që ka ajo.

“Me vetë faktin se zgjedhjet organizohen 6 muaj pas pjesës tjetër të Kosovës, tregon statusin special që e ka ai rajon, tregon se ata nuk bashkëpunojnë fare me Qeverinë e Kosovës”, shprehet Gashi.

Ditë më parë, ministri i Pushtetit Lokal, Sadri Ferati, kërkoi ndihmën ndërkombëtare për të zbatuar decentralizimin edhe në veri. Ai pati thënë se aty ku kishin qasje institucionet e Kosovës, ky proces është zbatuar.

Dardan Gashi mendon se në të vërtetë, pa një marrëveshje me Beogradin zyrtar, pushteti kosovar nuk mund të shtrihet në veri. Nëse nuk ndodh kjo, sipas Gashit, në veri do të vazhdojë status quo-ja.

“Fatkeqësisht, po. Decentralizimi, i cili ka tentuar të shtrijë pushtetin edhe në veri, ka dështuar që të arrijë këtë, kryesisht për arsye të sabotimit nga grupacionet e ndryshme në veri, kryesisht nga Qeveria në Beograd”.

“Ndërsa, pa kooperimin me Beogradin zyrtar, është problem të arrihet ndonjë kooperim me serbët lokalë dhe interesi i tyre për të marrë pjesë në zgjedhjet e organizuara nga Qeveria e Kosovës është minimal”,
thotë Gashi.

Autoritetet kosovare shprehen të hapura sa i përket bashkëpunimit me Beogradin zyrtar. Skënder Zogaj thotë se është në interes bashkëpunimi, po qe se me këtë vendoset sundimi i ligjit në pjesën e pakontrolluar nga institucionet vendëse dhe ato ndërkombëtare.

“Ne jemi të interesuar që në bashkëpunim me faktorët relevantë, që mund të vendosin për një zgjidhje të mirë, në bazë të Pakos së Ahtisarit dhe qëndrimeve pozitive politike, të gjendet zgjidhja dhe të eliminohet anarkia në atë pjesë të vendit”, thotë Zogaj.

Në zgjedhjet e 15 nëntorit, si komuna të reja marrin pjesë vendbanimet me shumicë serbe: Kllokoti, Ranilluga dhe Graçanica. Ndërsa, komuna aktuale e Novobërdës, pas 15 nëntorit, territorin e saj do ta ketë të zgjeruar.
XS
SM
MD
LG