Ndërlidhjet

logo-print

Maqedoni-Kosovë: Vendkalime të reja kufitare


Fotografi ilustruese

Fotografi ilustruese

Maqedonia dhe Kosova shumë shpejt do të hapin dy vendkalime të reja kufitare, të cilat deri më tani nuk janë hapur për shkak të mosvendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve. Zëdhënësi i Qeverisë së Maqedonisë, Shefik Duraku, tha se njëri vendkalim do të hapet mes fshatrave Tanushë-Debëllde dhe tjetri mes fshatrave Bellanoc-Stançiq, që lidhin Kumanovën me Gjilanin. Lajmi është mirëpritur nga banorët lokalë.


Vendosja e marrëdhënieve diplomatike mes Shkupit dhe Prishtinës dhe më parë përfundimi i procesit të demarkacionit kanë krijuar kushtet e nevojshme për hapjen e vendkalimeve të reja kufitare mes Maqedonisë dhe Kosovës.

Zëdhënësi i Qeverisë së Maqedonisë, Shefik Duraku, tha për Radion Evropa e Lirë se komisioni që vepron në kuadër të Ministrisë së Punëve të Jashtme, thuajse ka përfunduar përgatitjet e nevojshme dhe pritet vetëm edhe aprovimi apo përfundimi i përgatitjeve nga ana e Kosovës.

Zëdhënësi Duraku tha se bëhet fjalë për tri vendkalime të reja kufitare: dy me Kosovën dhe një me Luginën e Preshevës.

“Vendkalimet e reja kufitare, që mendojmë se shumë shpejt, e me siguri në fillim të vitit 2010, do të jenë funksionale për qytetarët e Republikës së Maqedonisë dhe Kosovës, janë: vendkalimi kufitar Tanushë-Debëllde, vendkalimi kufitar në Luginën e Preshevës mes fshatrave Llojan-Miratoc dhe vendkalimi më i rëndësishëm kufitar që do të lidhë Kumanovën dhe Gjilanin, do të jetë mes fshatrave Bellanoc-Stançiq”, deklaroi Duraku.

Ai shtoi se hapja e këtyre vendkalimeve kufitare ka rëndësi jashtëzakonisht të madhe në veçanti për banorët në të dyja anët e kufirit.

“Këta banorë që jetojnë në brezin kufitar, kanë edhe lidhje të ngushta familjare dhe nevoja për një kontakt të përhershëm ka qenë e përhershme. Nëse deri më tani kanë qenë problem marrëdhëniet diplomatike me Kosovën, tani më atë problem nuk e kemi dhe puna vazhdon gjithnjë në shërbim të qytetarëve, për t’iu mundësuar një komunikim sa më të mirë dhe për t’ua lehtësuar jetën atyre, të cilët edhe ashtu jetojnë në kushte të vështira”, tha Duraku.

Njoftimet e këtilla të Qeverisë janë mirëpritur nga banorët e zonave kufitare. Deputeti Abedin Zymberi, që përfaqëson elektoratin e Komunës së Likovës në Kuvendin e Maqedonisë, tha se hapja e vendkalimeve të reja kufitare ngjall shpresën te kjo popullatë, se përveç vendosjes së kontakteve më të shpeshta me të afërmit në anën tjetër të kufirit, do të mund të ndikojë edhe në zhvillimin e këtyre zonave të lëna pas dore.

Edhe pse Kosovën e kanë vetëm 10 kilometra larg, banorët e Likovës për të shkuar atje bëjnë prej 200 deri në 300 kilometra rrugë.

“Prej fshatit Sllupçan deri në pikën kufitare Bellanoc me Kosovën ka diku rreth 9 kilometra. Kjo do të thotë se shumë më afër na bie të shkojmë në Gjilan, se të shkojmë në Shkup”.

“Besojmë se me hapjen e kufirit, Likovës do t’i hapet një perspektivë e re. Sigurisht që do të qarkullojnë edhe prodhimet bujqësore, edhe zhvillimet tjera; do të ketë edhe marrëveshje ndërkomunale, ku do të realizohen shumë projekte në interes të të dyja komunave dhe dy shteteve”,
deklaroi deputeti Zymberi.

Ndërkohë, nga Qeveria paralajmërojnë se përveç vendkalimeve kufitare, me Kosovën, këtyre ditëve, do të fillojë nënshkrimi edhe i një sërë marrëveshjeve tjera në sferën e ekonomisë, bashkëpunimit social dhe atij shëndetësor, të cilat deri tani nuk janë konkretizuar për shkak të mosvendosjes së marrëdhënieve diplomatike.
XS
SM
MD
LG