Ndërlidhjet

logo-print

LDK: Hetimet ndaj Veliut - fushatë politike


Kuvendi i Kosovës

Kuvendi i Kosovës

LDK-ja, duke reaguar ashpër, e cilësoi të motivuar politikisht një kërkesë të Prokurorisë Publike për heqjen e imunitetit të deputetit dhe kandidatit të kësaj partie për kryetar të Podujevës, Agim Veliu.





Kryesia e Kuvendit të Kosovës e ka refuzuar shqyrtimin e një kërkese të Prokurorisë Publike, sipas së cilës kërkohej që deputetit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Agim Veliut, t’i hiqet imuniteti, në mënyrë që të vazhdojnë hetimet për një rast të dyshuar ndaj tij.

Deputeti Agim Veliu është edhe kandidat i LDK-së për kryetar të Komunës së Podujevës. Ai, bashkë me Grupin Parlamentar të LDK-së, e cilësuan këtë kërkesë të prokurorisë të motivuar politikisht, për të dëmtuar fushatën e tij dhe të LDK-së.

Se Prokuroria Publike e Kosovës kishte bërë një gabim në interpretim, është pajtuar edhe kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi. Ai tha se prokuroria nuk e ka pasur të qartë se deputetët kosovarë nuk kanë fare imunitet, sepse nuk ekziston Ligji për deputetët.

“Ne konsiderojmë se prokuroria nuk e ka lexuar Kushtetutën dhe se deputetët e Republikës së Kosovës nuk kanë imunitet. Ashtu siç kanë vepruar institucionet e drejtësisë në të kaluarën, le të veprojnë edhe tash”.

“Nuk ka të gjetura, është një letër e thjeshtë pa asnjë material shtesë dhe nuk e morëm në shqyrtim për faktin se, edhe një herë po përsëris, nuk ka pasur nevojë, po të lexohej Kushtetuta me vëmendje nga prokurorët, që të bëhet një kërkesë e tillë”,
tha Krasniqi.

Ndërkohë, deputeti Agim Veliu e cilësoi kërkesën e prokurorisë të motivuar politikisht dhe për qëllime të fushatës zgjedhore.

Veliu tha se bëhet fjalë për një dyshim që prokuroria kishte ngritur për një renovim shkolle në Podujevë gjatë vitit 2005, në kohën kur ai ishte ministër i Arsimit.

Sipas tij, renovimet e tilla i takojnë zyrës së prokurimit dhe sekretarit të përhershëm dhe jo ministrit. Por, pavarësisht kësaj, Veliu tha se është i gatshëm t’iu përgjigjet pyetjeve që i interesojnë këtij organi, por edhe ta vazhdojë fushatën e tij për kryetar të Podujevës.

“Prokuroria e Kosovës nuk i ka lexuar e as që i di ligjet, sepse me Kushtetutën e Kosovës asnjë deputet nuk ka imunitet për veprimet e tij që i bën jashtë Kuvendit të Kosovës. Unë jam i gatshëm që t’i përgjigjem drejtësisë për veprimet e mia”.

“Vetë koha kur është bërë një kërkesë e tillë në kulmin e fushatës, tregon se këtu ka thjesht, qartë, motive politike. Mirëpo, unë konsideroj se i kanë bërë llogaritë gabim, sepse unë nuk do të sprapsem nga programi im, nga angazhimet e mia edhe në këtë kohë”,
tha Veliu.

Ndryshe, edhe në të kaluarën, organet e drejtësisë kanë zhvilluar procese gjyqësore ndaj deputetëve pa pasur nevojë heqjen e imunitetit. Rasti i fundit ishte procesi gjyqësor ndaj deputetit të Partisë Demokratike të Kosovës, Rrustem Mustafa.

Kështu që Kryesia e Kuvendit dhe Lidhja Demokratike e Kosovës i kanë kërkuar sot prokurorisë që të lexojë me më shumë kujdes e vëmendje Kushtetutën dhe ligjet në fuqi, para se të parashtrojë kërkesa të tilla, përderisa askush nga prokuroria nuk ka dhënë ndonjë sqarim për këtë rast.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG