Ndërlidhjet

Përpjekjet për kthimin e gjykatësve në veri


Gjykatat në veri
Gjykatat në veri
Përfaqësuesit e misionit të BE-së për sundimin e ligjit, EULEX, dhe ata të Gjykatës Supreme të Kosovës thonë se janë duke vazhduar përpjekjet për kthimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në veri të Mitrovicës. Kryetari i Gjykatës Supreme, Rexhep Haxhimusa, thotë se me krijimin e kushteve teknike dhe atyre të sigurisë, do të ndodhë edhe kthimi i gjyqtarëve në veri.

“Unë mendoj se është bërë një punë mjaft serioze në atë drejtim dhe pritet që pas përgatitjeve të bëra të një grupi që po punon në mënyrë intensive atje, sa të krijohen kushtet për t’u kthyer dhe për t’i marrë çështjet në shqyrtim edhe gjyqtarët vendorë - ajo, për mendimin tim (do të ndodhë) shumë shpejt - do t’i kemi edhe gjyqtarët tonë kosovarë, edhe ata që kanë punuar nga komuniteti serb – të vazhdojnë punën e përbashkët”.

“Por, problemi më i madh është siguria e gjyqtarëve”,
thotë Haxhimusa.

Nga ana tjetër, zëvendëskryetari i Gjykatës së Qarkut, Enver Peci, konsideron se kthimi i gjyqtarëve shqiptarë në veri të vendit nuk ka të bëjë me sigurinë, por, sipas tij, kjo është një çështje politike.

“Sipas mendimit tim dhe shumë kompetentëve te ne, nuk është problemi i sigurimit, por më duket që është problem politik më tepër”, thotë ai.

Edhe zëdhënësja e EULEX-it për drejtësi, Kristina Herodes, pohon se EULEX-i është duke punuar për kthimin e gjyqtarëve lokalë në veri.

“Prokurorët edhe gjyqtarët e EULEX-it janë duke punuar në Gjykatën e Qarkut në Mitrovicë, por, siç e dini, nuk ka as gjyqtarë shqiptarë e as serbë të Kosovës. EULEX-i është duke punuar që të ketë edhe gjykatës vendorë atje”, thotë zonja Herodes, duke shtuar se aktualisht në gjykatë janë duke punuar zyrtarët administrativë, të cilët kanë për detyrë kryerjen e inventarizimit të lëndëve që janë në pritje.

Herodes pohon se së shpejti do të ketë kthim të gjyqtarëve lokalë atje, por, sipas saj, nevojitet edhe pak kohë.

Zëvendëskryetari i Gjykatës së Qarkut në Mitrovicë, Enver Peci, thotë se pas disa konsultimeve ndërmjet vendorëve dhe ndërkombëtareve, pritet rifillimi i punës së gjyqtarëve dhe prokurorëve vendorë.

“Sipas zyrtarëve të EULEX-it, pritet që pas kompletimit të dokumenteve dhe gjetjes së atyre që janë hedhur në vende të ndryshme nëpër gjykatë, të bëhet një zgjedhje e gjyqtarëve shqiptarë dhe serbë, edhe me të EULEX-it, dhe të fillojnë t’i zgjidhin rastet”, thekson Peci.

Kthimi i gjykatësve vendorë në Gjykatën e Qarkut në veri të Mitrovicës do të jetë prioritet i misionit të Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit në Kosovë. Kështu ka deklaruar para pak kohe shefi i EULEX-it, Iv de Kermabo, gjatë një vizite që i ka bërë këtij institucioni.

Autoritetet kosovare thonë se kthimi i të gjithë gjykatësve vendorë në Gjykatën Komunale dhe atë të Qarkut në veri të Mitrovicës mbetet sfidë për ta.
XS
SM
MD
LG