Ndërlidhjet

Drejtues të Radiotelevizionit të Kosovës kanë pranuar se ekziston presioni mbi këtë medium publik, një ditë pasi që drejtori i Unionit Evropian të Transmetuesve, përmes një letre, ka kritikuar kryeministrin Hashim Thaçi, duke e akuzuar se Radio Televizionin e Kosovës e ka shndërruar në “krah medial të partisë në pushtet”.

Në letrën e tij, ndër të tjera, Zhan Reveillon ka thënë se presioni i Qeverisë Thaçi e ka transformuar RTK-në nga një furnizues i balancuar i lajmeve në një krah medial të partisë në pushtet dhe, siç është shprehur, në “krahun medial tuajin si kryeministër”.

Por, zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi i ka hedhur poshtë këto akuza, duke thënë se “Qeveria do të argumentojë se nuk po ndërhyn në punën e RTK-së”.

Ai ka thënë se si shembull për këtë do të shërbente prezantimi i subjekteve politike gjatë fushatës parazgjedhore në mediumin publik.

Por, kryeredaktori i RTK-së, Sylejman Shaqiri, ka pranuar se mbi RTK-në po ushtrohet presion.

“Konsideroj se shqetësimi më i madh për njerëzit që punojnë në RTK ka të bëjë me ndërprerjen e burimeve të financimit. Është një vendim i Gjykatës Kushtetuese, që tash për tash e ka pezulluar parapagimin përmes KEK-ut”.

“Në anën tjetër, është një vendim i komisionarit për media, i cili pritet që deri në fund të nëntorit të eliminojë tërësisht marketingun nga RTK-ja. Natyrisht se ky është presion dhe është presion shumë i mprehtë, sepse është e pamundur, pothuajse e pamundur, që të punohet normalisht në këto rrethana”,
ka thënë Shaqiri.

Në letrën e tij, Reveillon ka thënë se “zërat kritikë apo alternativë janë shtypur”.

“Ajo që tash po shohim, është presioni nga Qeveria e Kosovës që RTK-ja të shndërrohet në një transmetues shtetëror jokritik”, ka thënë ndër të tjera Reveillon.

Drejtori ekzekutiv i Asociacionit të Gazetarëve Profesionistë të Kosovës, Imer Mushkolaj, ka deklaruar se reagimi ka qenë i pritur, por mbase jo në këtë formë kaq të ashpër.

“Askush në Kosovë, edhe po të jenë politikanë, nuk mund të shkatërrojnë një investim kaq të madh, që është bërë në media pas luftës, prej organizatave të ndryshme ndërkombëtare, duke filluar nga USAID-i, UNDP-ja, por edhe zyra të ndryshme përfaqësuese në Kosovë”.

“Kështu që ky është një çmim, i cili duhet të paguhet nga institucionet, që me çdo kusht po provojnë të kenë ndërhyrje politike në media, e më së shumti në transmetuesin publik – RTK-në, duke e ditur fare mirë rëndësinë që ky medium ka për publikun“,
është shprehur Mushkolaj.

Në anën tjetër, Sylejman Shaqiri ka alarmuar për vazhdim të gjendjes së mjegullt në transmetuesin e vetëm publik në Kosovë.

Ai ka thënë se qëndrueshmëria financiare e mediumit publik duhet të rregullohet me ligj. Por, ai fillimisht ka kërkuar një zgjidhje të shpejtë.

Duhet të intervenohet patjetër, sepse zgjidhjet ligjore nuk janë të ditës. Ato janë zgjidhje, të cilat kërkojnë kohë, por deri atëherë duhet të vazhdohet me këtë mënyrë të financimit”.

“Gjithsesi duhet ikur nga vendimmarrja e qeverisë për financimin e RTK-së. Domethënë, unë konsideroj se ne nuk duhet të jemi pjesë e institucionit që financohet drejtpërdrejt nga qeveria”,
ka theksuar Shaqiri.

Drejtuesi i Unionit të Transmetuesve Evropianë, në letrën e tij drejtuar kryeministrit, ka paralajmëruar se nëse RTK-ja shkon kah transformimi në medium shtetëror, atëherë do të ndërpriten investimet që vijnë nga ky union. Ky, sipas Mushkolajt, është rreziku më i madh.

“Në vend se televizioni publik, pasi që ka arritur një stad të caktuar, respektivisht një zhvillim të konsiderueshëm, të shkojë përpara dhe të kthehet në model për mediat publike në rajon, neve tashmë na kërcënon rreziku që transmetuesi publik të kthehet prapa; respektivisht, i gjithë ai investim që është bërë në transmetuesin publik, të shkojë dëm”,
ka deklaruar Mushkolaj.

Kritikat për ndërhyrje politike në RTK ka pasur edhe më herët nga organizata të ndryshme, por edhe nga vetë sindikalistët e këtij televizioni.

Madje, emërimi i zëvendëskryeministrit Hajredin Kuçi në komisionin ‘ad hoc’ për të përzgjedhur anëtarët e bordit të RTK-së është përmendur si shkelje ligjore edhe në raportin e progresit të Komisionit Evropian.

Ndërkohë, javë më parë, Agim Zatriqi, me shpjegimin se kishte shumë presione, ka dhënë dorëheqje nga posti i drejtorit të përgjithshëm të RTK-së.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG