Ndërlidhjet

WP: “Trupat të kthehen në shtëpi”


“Washington Post”


Barak Obama nuk e kishte planifikuar që të jetë “president lufte”, por kjo është ajo që historia e detyron atë të jetë.

Shtetet e Bashkuara dhe bota janë me fat, meqë ai nuk e ka mentalitetin e nxituar për synim të përdorimit të zjarrit të paraardhësit të tij, Xhorxh Bush.

Por, Afganistani nuk paraqet një lloj të “zgjedhjeve false”, që Obama zakonisht i hedh poshtë.

Ngjarja tragjike e ditës së djeshme, kur u vranë 14 amerikanë në përplasjet e helikopterëve në Afganistan, na përkujton se me çfarë vendimesh ballafaqohet zoti Obama. Së paku, duket se ai e kupton se nuk mund ta lejojë që situata të dalë jashtë kontrollit.

Debati lidhur me atë se a duhet Amerika të tërhiqet ose të mbetet, do të jetë më i ashpër dhe më me pasion, derisa vazhdojnë të rriten numrat e viktimave amerikane. Një person që nuk meriton zë në këtë debat, është Dik Çejni, i cili na ndihmoi që të futemi në këto probleme.

Duke lëvizur para kohe nga Afganistani, për ta lansuar invadimin jo të domosdoshëm dhe të këshilluar keq në Irak, Bush dhe Çejni ia dolën ta menaxhojnë transformimin e një lufte, ku Amerika po fitonte, në dy luftëra, ku Amerika ishte në rrezik që të humbë.

Për Çejnin, për ta akuzuar Obamën se po “heziton” lidhur me dërgimin e më shumë trupave në Afganistan, kur ai dhe Bushi e injoruan kërkesën për trupa nga komandantët amerikanë, për pjesën më të mirë të vitit, është e pahijshme.

Për Çejnin, të ankohet se Obama duhet thjesht të pranojë analizën e administratës së Bushit për situatën në Afganistan, e jo të ndërmarrë rishqyrtimin e vet të kujdesshëm, është një shaka e sëmurë.

Lidhur me Afganistanin, Barak Obama mund të vendosë ta zhvillojë strategjinë kundër kryengritjes ose strategjinë kundër terrorizmit. Ai mund ta bëjë njërën ose tjetrën, por jo të dyja.

Nëse ai e zgjedh strategjinë kundër kryengritjes, atëherë duhet të dërgojë trupa të mjaftueshme, që strategjia të funksionojë. Nëse nuk dëshiron t’i dërgojë të gjitha këto trupa, atëherë ai duhet ta zhvillojë strategjinë kundër terrorizmit, ose të bëjë diçka tjetër.

Ndonjëherë, “presidenti i luftës” duhet të vendosë për fillimin e tërheqjes së trupave, për t’i sjellë ato në shtëpi. Kjo është ajo që Obama duhet ta bëjë. (F.B.)
XS
SM
MD
LG