Ndërlidhjet

logo-print

Autoritetet serbe konfirmojnë se janë gjetur edhe dy trupa të tjerë në Serbi, që dyshohet se i përkasin tragjedisë së Tisës. Me këtë, numri i viktimave kosovare arrin në pesë. Të zhdukur ende konsiderohen 11 të tjerë.


Autoritetet serbe kanë konfirmuar gjetjen edhe të dy viktimave tjera, që dyshohet se kanë ndërlidhje me tragjedinë në lumin Tisa.

Ndërsa, në Prishtinë varroset viktima e parë e kësaj tragjedie, 23-vjeçarja Elvira Jaha, e cila, bashkë me një grup kosovarësh, u përpoq të kalonte ilegalisht kufirin mes Serbisë dhe Hungarisë, kur barka e tyre u përmbys në lumin Tisa.

Gjykatësi hetues i Serbisë, Erne Berenji, i tha Radios Evropa e Lirë se viktimat e reja janë gjetur në territorin serb.

“Dje kemi gjetur edhe dy të vdekur, një vajzë rreth 10 vjeçe, nuk kemi të dhëna për të, dhe një mashkull 25-30 vjeç. Deri më tani janë gjetur vetëm katër trupa nga ana e territorit tonë”.

“Diçka është gjetur edhe nga ana e Hungarisë, dikush thotë një, dikush thotë ndryshe, por ne mund të flasim vetëm për atë që është gjetur në territorin tonë”,
tha Berenji.

Berenji nuk e bëri të ditur identitetin e viktimave të fundit. Ai tha se identifikimi i tyre po bëhet nga vetë familjarët.

“Të afërmit vijnë te ne dhe të afërmit i identifikojnë trupat”, tha Erne Berenji, duke shpjeguar se identifikimi bëhet më i vështirë për shkak të mungesës së dokumenteve identifikuese të viktimave.

Nga katër viktimat e gjetura në Serbi, sipas gjykatësit hetues, vetëm dy kishin me vete dokumente identifikuese.

Ndryshe, me këto viktima, numri i të vdekurve në tragjedinë në Tisë shkon në 5 persona, katër nga të cilët janë gjetur në Serbi dhe një në Hungari. Ndërsa, konsiderohen të zhdukur edhe 11 kosovarë të tjerë. Tre nga personat në barkë kanë shpëtuar.

Zëdhënësi i policisë hungareze në Segedin, Szenti Sabolç, tha se Hungaria po vazhdon hetimet, edhe pse tashmë i ka ndërprerë kërkimet për trupat në lumin Tisa.

“Hungaria po zhvillon hetime në këtë rast të dyshimit me trafikim të qenieve njerëzore. Deri tash nuk kemi ndonjë të dyshuar. Por, këto hetime ende po vazhdojnë me partnerët tanë serbë. Në Hungari, deri më tash, nuk është askush i arrestuar. Nuk kemi të dyshuar në lidhje me këtë rast”, tha Sabolç.

Ndërkohë, në Prishtinë, autoritetet e rendit thonë se janë duke vazhduar hetimet në disa drejtime për tragjedinë në lumin Tisa të Hungarisë.

Baki Kelani, zëdhënës i Policisë së Kosovës, nuk konfirmoi numrin e viktimave.

“Ne ende nuk mund ta bëjmë të ditur një numër të saktë apo të konfirmojmë diçka, meqë nuk kemi dokumentacion zyrtar përfundimtar të autoriteteve përkatëse të Hungarisë apo të autoriteteve të Serbisë”, theksoi Kelani.

Përderisa me Hungarinë Kosova po bashkëpunon në rrugë direkte, me Serbinë, informacionet po shkëmbehen përmes EULEX-it.

Të hënën, EULEX-i ka konfirmuar se një person është dorëzuar vullnetarisht në Policinë e Kosovës, duke pranuar përfshirjen e tij në rastin e lumit Tisa. Ai i ka thënë policisë se u ka marrë familjeve që ishin kontrabanduar përtej kufijve nga 6 deri në 8 mijë euro. Ky person, sipas policisë, momentalisht gjendet në liri.
  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG