Ndërlidhjet

Veriu, i painteresuar për zgjedhjet


Mitrovicë
Mitrovicë

Drejtuesit e strukturave paralele serbe nga veriu i Kosovës i paralajmërojnë subjektet politike dhe pjesëtarët e këtij komuniteti me sanksione, nëse marrin pjesë në zgjedhjet lokale të 15 nëntorit.



Subjektet politike, që përfaqësojnë serbët e pjesës veriore të Kosovës, vazhdojnë t’i bëjnë thirrje këtij komuniteti që t’i bojkotojë zgjedhjet lokale të 15 nëntorit.

Këto subjekte janë të njohura dhe si struktura të organizimit paralel të komunitetit serb, të cilat nuk i njohin institucionet e Republikës së Kosovës dhe të cilat mbështetjen e tyre e kanë edhe te Beogradi.

Millan Ivanoviq, nga Bashkësia e komunave serbe, i paralajmëron me sanksione subjektet politike serbe dhe qytetarët e këtij komuniteti, pasi që, sipas tij, me pjesëmarrjen e tyre në zgjedhjet e Republikës së Kosovës, do të bëjnë shkelje të Kushtetutës së Serbisë.

“Individët dhe organizatat që marrin pjesë në zgjedhjet lokale në të ashtuquajturën Republika e Kosovës dhe shkelin Kushtetutën e Serbisë, do të përballen me masa disiplinore dhe suspendimin e tyre apo heqjen e beneficioneve financiare buxhetore nga Serbia”, thotë Ivanoviq, duke u thirrur në vendimet e këtij kuvendi paralel serb.

Edhe Marko Jakshiq, nga Këshilli Nacional Serb, vazhdon të kërkojë mbështetjen e Beogradit që serbët të binden se nuk duhet të dalin në votime.

“Ne kërkojmë që qytetarët të mos dalin në zgjedhje, kurse Qeveria në Beograd, bashkë me kishën ortodokse, të nisin një fushatë të vërtetë për t’i bindur serbët se nuk duhet të dalin në zgjedhje dhe legjitimojnë ekzistimin e shtetit shqiptar të Kosovës”, thotë Jakshiq.

Shqetësimet më të mëdha të serbëve në veri kanë të bëjnë me interesimin e shtuar të serbëve të pjesëve të tjera të Kosovës për të dalë në zgjedhjet e ardhshme.

Me udhëheqësit e tyre në veri pajtohen edhe disa nga qytetarët serbë të atjeshëm. Aleksandër Mijatoviq thotë se dalja në zgjedhje është një lloj tradhtie ndaj Serbisë.

“Me daljen në zgjedhje, ata janë tradhtarë të popullit të vet. Unë e kam të drejtën time qytetare dhe unë vendos vetë dhe nuk do të dal në zgjedhje”, thotë Mijatoviq.

Mirëpo, disa nga qytetarët tjerë të këtij komuniteti thonë se i kuptojnë serbët e pjesëve tjera të Kosovës që jetojnë poshtë lumit Ibër. Jellena Stankoviq thotë se në veri të Kosovës ka një anarki të vërtetë, por ajo nuk beson se institucionet e Kosovës mund të organizojnë atje zgjedhje dhe pret që këtë ta bëjë Serbia.

Kurse, për pjesën qendrore të Kosovës, ajo shpreh mirëkuptim për serbët, të cilët gjithnjë e më tepër po shfaqin interesim për pjesëmarrje në zgjedhjet e Republikës së Kosovës.

“Mendoj se njerëzit nëpër enklava dhe në pjesën qendrore të Kosovës duhet të dalin në zgjedhje dhe ne duhet ti përkrahim ata në këtë qëllim”, thotë Stankoviq.

Sidoqoftë, janë 21 subjekte politike serbe që janë paraqitur për të marrë pjesë në zgjedhjet lokale të Republikës së Kosovës. Interesim për zgjedhje është vërejtur edhe në komunat e reja, si: Graçanicë, Ranillukë e Kllokot.

Ndërsa, veriu i Kosovës mbetet rajoni ku serbët nuk shfaqin interesim për pjesëmarrje qoftë në zgjedhje, apo në institucionet e Kosovës.
XS
SM
MD
LG