Ndërlidhjet

Investimet e huaja në Kosovë, të cilat vazhdimisht janë parë si mundësi për zhvillimin ekonomik në vend, nuk janë duke ndodhur. Sipas të dhënave të Bankës Qendrore të Kosovës, gjatë vitit 2009 investimet e huaja në Kosovë kanë shënuar rënie prej 30 për qind. Ndërkohë, ekspertë të çështjeve ekonomike dhe investitorë potencialë thonë se në Kosovë është krijuar ambient i sigurt për investime.


Trendi i investimeve të huaja në Kosovë gjatë këtij viti, sipas autoriteteve kosovare dhe ekspertëve për çështje ekonomike, nuk është inkurajues.

Ata theksojnë se investitorët e jashtëm kanë hezituar të investojnë, për shkak të krizës ekonomike globale që kishte prekur shumë nga kompanitë e mëdha botërore.

Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Hashim Rexhepi, thotë se investimet e jashtme në pjesën e parë të këtij viti kanë shënuar rënie prej 30 për qind.

“Investimet e jashtme në vitin e kaluar kanë pasur një rënie krahasuar me vitin 2007, shkaku i ngecjes së privatizimit, për arsye të disa aktiviteteve që kanë ndodhur më 2007, siç ka qenë telefonia mobile”.

“Në këtë vit, trendi i investimeve nuk është inkurajues. Investitorët e jashtëm hezitojnë të vijnë, për shkak të krizës ekonomike globale. Tani për tani, investimet e huaja më shumë janë paralajmëruar, sesa që kanë ndodhur faktikisht”,
thotë Rexhepi.

Eksperti për çështje ekonomike, Avdullah Hoti, thotë se humbjet që kompanitë botërore i kanë pasur nga kriza ekonomike globale, ndikuan në ndryshimin e vizionit, apo në mundësitë reale për të investuar në Kosovë, qoftë për ndihmë për Kosovën, qoftë për interes personal.

“Investimet e jashtme, që varen kryesisht prej firmave të mëdha ndërkombëtare, që kanë ardhur në Kosovë përmes partnerëve lokalë, janë ndikuar, sepse kriza ekonomike ka prekur kryesisht institucionet financiare dhe përmes tyre, korporatat e mëdha që janë shoqëri aksionare; vlera e aksioneve të tyre ka rënë, ka rënë shitja dhe për këtë kanë rënë edhe investimet e huaja në Kosovë, përfshirë edhe remitencat, të cilat kanë qenë një burim i rëndësishëm”, shpjegon Hoti.

Hoti thotë se në Kosovë është krijuar një ambient i sigurt për investime nga investitorë të ndryshëm botërorë.

“Pas pavarësisë së Kosovës, legjislatura në vend është kompletuar pothuajse njëjtë me vendet e rajonit dhe më gjerë. Ekziston mbrojtje e plotë e investimeve të jashtme në Kosovë”, shprehet ai.

Mendim të njëjtë ka edhe një nga investitorët potencialë, i cili dëshiron që biznesin e tij ta shtrijë në Kosovë.

Kryetari i qendrës afariste “BTC City” në Slloveni, Joze Mermal, thotë se është duke i shqyrtuar mundësitë e investimeve në Kosovë.

“Unë jam për herë të parë në Kosovë dhe jam i fascinuar me qëndrimin pozitiv të qeverisë dhe strukturave komunale ndaj iniciativës private. Kjo më ka dhënë shumë shpresë se këtu, në Kosovë, mund të bashkëpunohet dhe ne do të shikojmë se në cilat aspekte do të angazhohemi më tutje”, thotë Mermal, duke shtuar se një qendër të tillë dëshiron ta ndërtojë edhe në Kosovë.

“BTC City” në Lubjanë është kompleksi më i madh hapësinor në Evropën juglindore, në të cilin u ofrohet përkujdesje e plotë veprimtarive afariste, tregtare, rekreative, kulturore dhe argëtuese.

Gjithashtu, ky kompleks ofron shërbime logjistike si dhe shërbime të tjera për kohën e lirë të rinisë dhe të qytetarëve në përgjithësi.

Qeveria e Kosovës, ndërkohë, vazhdimisht ka potencuar se ka një përkushtim të madh në krijimin e një ambienti të volitshëm për tërheqjen e investimeve të huaja, të cilat konsiderohen si një mjet i rëndësishëm për zhvillimin ekonomik dhe social të vendit.
  • 16x9 Image

    Luljeta Krasniqi - Veseli

    Luljeta Krasniqi, e lindur më 02.05.1981. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 2005. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetare në Agjencinë e lajmeve Kosovalive. Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2008.

XS
SM
MD
LG