Ndërlidhjet

Analistët: Fushatë kozmetike


Analistët në Prishtinë vlerësojnë se fushata për zgjedhjet lokale nuk ka sjellë shumë risi për kah ofertat dhe premtimet. Ato premtime që janë dëgjuar deri tash, sipas tyre, nuk janë të reja dhe nuk joshin aq shumë votuesit kosovarë.



Fushata zgjedhore në Kosovë nuk ka sjellë shumë risi për kah premtimet, por më shumë të reja ka sjellë forma që disa kandidatë kanë zgjedhur për realizimin e fushatës, thonë analistët.

Sipas tyre, shkeljet më të mëdha vërehen te premtimet e kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçi, që i bën në emër të mjeteve të buxhetit të Kosovës.

Analisti Belul Beqaj, në përgjithësi, e vlerëson fushatën si normale. Por, njëherësh, ai i sheh edhe disa mangësi, që vijnë edhe si rrjedhojë e mungesës së një oferte konkrete.

“Mendoj se fushata është në një ekspansion propagandistik të partive kryesore, që po mundohen me një kozmetikë mujore të ngjyrosin realitetin e zi, me një ngjyrë që atyre po u konvenon”.

“Po ashtu, kundërthëniet e porosive në mes PDK-së dhe LDK-së, posaçërisht në Prishtinë, do të ngrenë tensione aq të mëdha, saqë në fund do të dramatizohet dhe bartet psikoza edhe në pjesët tjera të Kosovës dhe do ta dëmtojë seriozisht imazhin e përgjithshëm të zgjedhjeve”,
thotë Beqaj.

Në anën tjetër, analisti Halil Matoshi i sheh si abuzime premtimet e kryetarit të PDK-së, Hashim Thaçi, njëherësh kryeministër i Kosovës, për ndarjen e miliona eurove për komunat e caktuara.

Po ashtu, Matoshi i potencon si joreale edhe premtimet që po u bëhen komunave për shndërrimin e tyre në qendra universitare.

“E para, komunave po u premtohen nga ana e kryeministrit qindra miliona. Ai realisht vetëm me pesë komuna e ka shpenzuar, kushtimisht thënë, ‘buxhetin e Kosovës’. Kurse, abuzimi i dytë konsiston me një sindromë, për mua shumë të habitshme në këto zgjedhje, ku secilit qytet apo qytezë të Kosovës po i premtohet se do të bëhet qendër universitare”.

“Kur dihet që papunësia është në 40 për qind, ti të bësh universitete në tërë Kosovën dhe të krijosh njerëz me diploma, por të papunë - ky është absurd i llojit të veçantë”,
vlerëson Matoshi.

Matoshi thotë se nuk sheh diçka të re lidhur me premtimet e kësaj fushate. Duke e marrë si shembull Prishtinën, ku rivaliteti është më i madh, Matoshi beson se do të jenë militantët e partive ata që do të vendosin dhe jo joshja e votuesve përmes programeve dhe premtimeve që bëhen gjatë fushatës.

“Kryetarin e Prishtinës do ta vendosin militantët. Ose, ajo parti që do të arrijë t’i mobilizojë anëtarët e vet që të dalin në zgjedhje masovikisht më 15 nëntor, do të fitojë; ajo parti që nuk do të arrijë t’i mobilizojë militantët e vet, ajo do t’i humbë zgjedhjet”, thotë Matoshi.

Ndërsa nuk shihet se ka ndonjë risi në ofertat programore, analistët i shohin si risi format e fushatave që aplikojnë disa nga kandidatët. Si shembull merren ata kandidatë që kanë zgjedhur reklamën negative për kundër-kandidatin në garë, në vend se të promovojnë programet dhe idetë e tyre.
XS
SM
MD
LG