Ndërlidhjet

logo-print

Dukuria e pastrimit të parave thuhet të jetë e shprehur edhe në Kosovë. Ekspertë të ekonomisë thonë se kjo dukuri do t’i kushtojë shtrenjtë imazhit të vendit si në aspektin ekonomik, ashtu dhe në procesin e integrimeve evropiane.



Në vendet në tranzicion, fenomeni i shpëlarjes së parave është një dukuri e shprehur.

Sipas ekspertit për çështje ekonomike, Safet Gërxhaliu, në vendet ku përgjegjësia e institucioneve është e nivelit më të ulët, mundësia e këtij fenomeni për t’u zbatuar është më e madhe.

“Ajo çka e karakterizon Kosovën dhe vendet e tjera në këtë aspekt, është se në këto transaksione të shpëlarjes së parave janë të involvuara instanca më të larta. Për këtë arsye, prokuroria dhe fjala e gjyqësorit në Kosovë duhet të kenë një peshë më të madhe dhe tek në këtë mënyrë do të parandalohet dhe luftohet një dukuri e tillë”, thotë Gërxhaliu.

Gërxhaliu shpjegon se pastrimi i parave sjell jostabilitet në të gjitha rajonet, qofshin ato vende të zhvilluara, ose vende në zhvillim. Ndërsa, luftimi i kësaj dukurie, sipas tij, është përgjegjësi institucionale.

“Është një dukuri, e cila Kosovës do t’i kushtojë shumë shtrenjtë, në radhë të parë në aspektin e reputacionit; në rend të dytë, për arsye të favoreve negative apo favoreve që iu bëhen atyre që nuk e meritojnë një favor të tillë dhe e tërë kjo do ta dëmtojë edhe më tepër imazhin e Kosovës edhe ashtu të dëmtuar, si në procesin e aspektit ekonomik, po ashtu edhe në procesin e integrimeve evropiane”, thekson Gërxhaliu.

Mandatari kryesor i luftimit të pastrimit të parave në Kosovë është Qendra e Inteligjencës Financiare. Në këtë qendër raportohen të gjitha transaksionet e dyshimta.

Përveç kësaj, edhe Banka Qendrore e Kosovës në kursin e ekzaminimeve të veta, në një ndër fushat e angazhimit, ka edhe fushën e pastrimit të parave.

Drejtori i drejtorisë së mbikëqyrjes bankare në Bankën e Kosovës, Merdian Kukleci, thotë së kanë krijuar mekanizma për luftimin e kësaj dukurie.

“Nëse i referohemi nivelit të ekonomisë joformale, normalisht që kërkon kujdesin e duhur në identifikimin e të gjitha transaksioneve, në raportimin e tyre dhe në ndërmarrjen e veprimeve të duhura për investigimin e çdo transaksioni, i cili raportohet në Qendrën e Inteligjencës”, sqaron Kukleci.

Kukleci bën të ditur se ekziston një limit i shumës, mbi të cilën çdo institucion është i obliguar të raportojë në Qendrën e Inteligjencës. Pastaj, sipas tij, zyrtarët e kësaj qendre ndërmarrin veprimet e duhura kundrejt informatave që disponojnë për investigimet e mëtejme të rasteve.

“Për më tepër, ne kemi lëshuar letra këshilluese për standarde minimale në këtë fushë, letra të cilat bankat duhet t’i kenë. Janë rekomandimet e një etniteti ndërkombëtar për luftimin e pastrimit të parave. Ne mundohemi që t’u përmbahemi këtyre parimeve dhe u sugjerojmë bankave që t’u përmbahen këtyre parimeve”, thotë Kukleci.

Por, se sa është numri i rasteve të pastrimit të parave, të hetuara nga Policia e Kosovës, zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani, sqaron:

“Për pastrim parash, Policia e Kosovës ka të evidentuara tri raste të proceduara, tri raste në proces (hetimet paraprake), tri kallëzime penale, gjashtë persona të arrestuar, 21 persona të hetuar dhe 11 kompani të hetuara”.

Sipas Kelanit, Policia e Kosovës ka kapacitete për ta luftuar këtë dukuri.

Pastrimi i parave është kthimi i të ardhurave të realizuara me mjete të paligjshme në pasuri, të cilave është e vështirë t’u gjendet origjina e krimit.
  • 16x9 Image

    Luljeta Krasniqi - Veseli

    Luljeta Krasniqi, e lindur më 02.05.1981. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 2005. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetare në Agjencinë e lajmeve Kosovalive. Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2008.

XS
SM
MD
LG