Ndërlidhjet

logo-print

Numri i të infektuarve me virusin HIV në Kosovë, sipas autoriteteve, është duke shënuar rritje.

Personat me HIV pozitiv thonë se përveç përballjes me dhimbjet që i shkakton kjo sëmundje, kanë edhe një problem tjetër - frikën nga diskriminimi dhe stigmatizimi që mund t’iu vijë nga shoqëria.

Një ndër personat e prekur nga kjo sëmundje, që parapëlqen të mbetet anonim, udhëheq një organizatë në Prishtinë, për personat që jetojnë me HIV.

“Deri tash, në organizatën tonë janë 14 persona me HIV. Prej vitit 1986 deri tani janë 75 persona të infektuar, prej të cilëve 30 kanë vdekur”, thotë ky person.

Ministria e Shëndetësisë, sipas tij, ka filluar të japë terapinë anti-retrovirale që nga viti 2005.

Por, sigurimi i saj nuk ka qenë i vazhdueshëm. Kjo, sipas tij, po i revolton pacientët, meqë terapia nuk guxon të vonohet, sepse shkakton rezistencë të organizmit.

“Numri i personave me HIV/AIDS është në rritje dhe, fatkeqësisht, Qeveria e Kosovës nuk do të jetë në gjendje t’iu sigurojë terapi personave me HIV, e cila është tepër e kushtueshme”.

“Nëse i infektuari nuk merr terapi, ai mund të jetë i revoltuar, aktiv dhe në mënyrë të qëllimshme ta përhapë virusin”,
shprehet personi anonim.

Zyrtari për informim në Ministrinë e Shëndetësisë, Faik Hoti, thotë se për personat me HIV pozitiv ekziston një tretman i veçantë.

Mirëpo, edhe Hoti pranon se sigurimi i terapisë përcillet me vështirësi.

“Ka pasur telashe në gjashtëmujorin e parë të këtij viti për sigurimin e terapisë. Megjithatë, Ministria e Shëndetësisë e ka siguruar terapinë dhe pacientët që trajtohen në Qendrën Klinike Universitare në Prishtinë, kanë terapi anti-retrovirale”, shpjegon Hoti.

Në anën tjetër, Luljeta Gashi, nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike, thotë se Kosova konsiderohet si vend me rrezik të lartë për përhapjen e HIV-it dhe AIDS-it në të ardhmen.

“Ka një numër faktorësh që çojnë te ky vlerësim: është situata e varfër ekonomike që përfshin nivel papunësie mbi 50 për qind dhe varfëri ekstreme rreth 13 për qind; situata ekonomike jostabile, që çon në migrim të brendshëm dhe të jashtëm, si dhe popullata shumë e re”, thotë shefja e njësisë për HIV/AIDS në IKSHP, Luljeta Gashi.

Sipas Gashit, faktorët që e bëjnë Kosovën vend me rrezik të lartë për përhapjen e HIV/AIDS-it janë edhe pozicioni gjeografik - si udhëkryq për trafikim dhe drogë, numri i rritjes së përdoruesve të drogës injektuese, rritja e numrit të punonjësve të seksit komercial në vend dhe trafikimi i femrave.

Për ta luftuar përhapjen e këtij virusi ekziston Fondi Global për HIV në Kosovë.

Shefja e njësisë për menaxhimin e projektit, Edona Deva, shpjegon se projekti kap vlerën rreth 7 milionë dollarë. Deva thotë se kryesisht trajtohen grupet e rrezikuara.

“Kemi të bëjmë me popullatë më të margjinalizuar, të themi të fshehur ‘nën tokë’, prandaj është vështirë për t’i gjetur, vështirë për t’i qasur dhe për t’i bindur që duhet t’i marrin shërbimet adekuate shëndetësore për ta parandaluar HIV-in, apo për të mos e përhapur më tej. Kushton më lirë parandalimi, sesa trajtimi”, thotë Deva.

Sipas raportit të fundit të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Evropa lindore ka ritmet më të shpejta në botë të infektimit me HIV/AIDS dhe në shumë vende programet zyrtare të parandalimit janë të pamjaftueshme.
  • 16x9 Image

    Ariana Kasapolli - Selani

    Ariana Kasapolli - Selani ka lindur më 15.04.1980 në Prishtinë. Shkollimin fillor, të mesëm dhe universitar e ka ndjekur në Prishtinë, ku edhe ka diplomuar në Fakultetin e Gazetarisë. Si korrespondente e Radios Evropa e Lirë punon që nga viti 2009. Është e martuar dhe ka tre fëmijë.

XS
SM
MD
LG