Ndërlidhjet

Gripi i derrave ka shkaktuar mbylljen e shkollave dhe ka shënuar rritje të numrit të viktimave në pjesë të ndryshme të botës. SHBA ka rritur gatishmërinë, pasi numri i vdekjeve nga virusi A/H1N1, në mesin e fëmijëve është rritur.



Periudha nëntor – mars njihet si sezoni tradicional i gripit në botë. Sezoni i këtij viti, për dallim nga herët e tjera, vjen i shoqëruar me shqetësimin për një epidemi të mundshme të virusit A/H1N1, i njohur ndryshe si gripi i derrave.

Virusi prek më së shumti moshat e reja. Në Shtetet e Bashkuara autoritetet kanë ngritur shkallën e gatishmërisë për prekjen e fëmijëve nga gripi i derrave.

Në këtë vend, numri i vdekjeve nga gripi i derrave, të konfirmuara nga analizat laboratorike, është 114 fëmijë.

Zyrtarët e shëndetësisë kanë kërkuar me urgjencë shtimin e sasive të vaksinës tamiflu për fëmijë, të hedhur në treg.

Në Rumani, gjatë javës që po lëmë pas, virusi A/H1N1 shkaktoi mbylljen e shkollës së parë në verilindje të vendit. Vendimi erdhi pas 20 rasteve të identifikuara me A/H1N1 në mesin e nxënësve të shkollës.

Autoritetet rumune të futbollit kanë kërkuar nga lojtarët të mos pështyjnë në fushë, pasi kjo rrit rrezikun për përhapjen e virusit A/H1N1, i njohur si gripi i derrave.

Ukraina ka raportuar për 34 vdekje nga virusi, derisa Kina gjatë 48 orëve të fundit ka shënuar dhe dy viktima të reja nga gripi i derrave.

Vaksinimi kundër virusit A/H1N1 po vazhdon në shumë vende, krahas vaksinimit kundër gripit të zakonshëm.

Organizata Botërore e Shëndetësisë njofton se një dozë e vetme e vaksinës kundër gripit A/H1N1 është e mjaftueshme për imunizimin e të rriturve dhe fëmijëve mbi 10 vjeç.
(I.B.)
XS
SM
MD
LG