Ndërlidhjet

Kandidatët kryesorë për kryetar të Komunës së Mitrovicës, premtojnë se janë të gatshëm të ballafaqohen me një menaxhim të mirë të qytetit, kthimin e të zhvendosurve, lirinë e lëvizjes, rendin dhe sigurinë si dhe krijimin e infrastrukturës. Si sfidë më vete, për ta, paraqet krijimi i komunës veriore të qytetit, që parashihet pas gjashtë muajve.


Një qytet me dy komuna, është synimi politik për Mitrovicën e ardhshme.

Më 15 nëntor, për herë të parë Mitrovica do ta zgjedhë kryetarin, i cili pas gjashtë muajve do të ketë autoritet vetëm në jug, pasi që në veri, mbi lumin Ibër, do të formohet komuna e re e Mitrovicës së veriut.

Në zgjedhjet e kaluara, në Mitrovicë votuan 28 për qind, apo mbi 22 mijë votues. Kjo komunë, aktualisht qeveriset nga Partia Demokratike e Kosovës dhe kryetari Bajram Rexhepi.

Por, në zgjedhjet e ardhshme, Rexhepi ka vendosur që të mos kandidohet, kështu që në vend të tij, PDK-ja kandidon Avni Kastratin.

Kthimi i të zhvendosurve nëpër shtëpitë e tyre dhe krijimi i një prosperiteti ekonomik, është preokupimi kryesor i Kastratit.

Edhe pas formimit të komunës veriore të Mitrovicës, Kastrati beson se mund të ruhet ekuilibri etnik i këtij qyteti, duke premtuar investime në veri, në mënyrë që të kthyerit të mund të jetojnë në kushte normale atje.

“Duke marrë parasysh se janë krijuar parakushtet për një jetë më të mirë, pasi që janë zhvilluar shumë projekte kapitale në pjesën veriore, ka filluar kthimi i qytetarëve në këtë pjesë, d.m.th. mendohet për qytetarët shqiptarë”.


“Ne, pas katër vjetëve, sigurisht do të kemi një qytet ku do të ketë lëvizje të lirë, ku secili qytetar do të disponojë me pronën e vet dhe do të punojmë në drejtim që qyteti i Mitrovicës, gjegjësisht komuna veriore në mandatin e ardhshëm të jetë një komunë me shumicë shqiptare. Ai është synimi ynë”,
thotë Kastrati.

Qyteti me dy komuna është realitet, thotë në anën tjetër Mursel Ibrahimi, kandidat i Lidhjes Demokratike të Kosovës, për kryetar të Mitrovicës.

Ai premton menaxhim më të mirë, administratë më efikase, kushte më të mira jetese për të kthyerit në të dyja anët e qytetit si dhe koordinim me qeverinë qendrore në Prishtinë dhe bashkësinë ndërkombëtare për ruajtjen e rendit dhe ligjit në qytetin më të trazuar të Kosovës.

“Çështja e Mitrovicës nuk është vetëm çështje e kryetarit të komunës, është çështje edhe e Kosovës dhe e faktorit ndërkombëtar. Si prioritet për mua do të ishte rendi dhe qetësia, kthimi i qytetarëve në pronat e tyre në mënyrë reciproke, me projekte multi-etnike”.

“Ne po flasim për decentralizim dhe bashkim, derisa me Pakon e Ahtisarit kanë dalë 38 komuna dhe tash ne mund të flasim e të themi se mund ta bashkojmë qytetin, por kjo formulë nuk është. Ne mund ta relaksojmë qytetin me dy komuna, me dy njësi komunale - kjo është formula”,
thekson Ibrahimi.

I mbështetur në kryetarin e Aleancës Kosova e Re, Behxhet Pacolli, në investimet nga jashtë, si edhe në koordinim me praninë ndërkombëtare, kandidati i koalicionit AKR-LDD, Nexhmedin Spahiu, premton një bum të zhvillimit ekonomik në këtë qytet.

Mitrovicën, nën drejtimin e tij, në fund të mandatit ai e sheh si qytet modern evropian.

Mitrovicën e shoh një qytet, i cili do të jetë i gatshëm si qytet i një vendi që do të aderojë në Bashkimin Evropian. Disa gjëra fatkeqësisht janë të papërmirësueshme dhe ato do të mbesin njolla për 100 a 200 vjet”.

“Por, pjesa tjetër që do të bëhet dhe bumi i madh ekonomik në këtë qytet, mendoj se do të japin një pamje të një qyteti, i cili do të përngjajë, të paktën, në një qytet evropian”,
shprehet Spahiu.

Me pakënaqësitë e tij për gjendjen ekzistuese, kandidati i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Hysni Ahmeti, thotë se është njeri i sfidave që synim kryesor do ta ketë bashkimin e qytetit të ndarë.

“Qe 10 vjet Mitrovica ka mbetur e ndarë. Qe 10 vjet banorët shqiptarë nuk mund të kthehen nëpër shtëpitë e tyre. Kemi pritur nga kjo qeverisje lokale 10 vjet që, të paktën, t’i kthejë banorët shqiptarë në trojet e veta”.

“Mitrovicës i duhet një njeri i sfidave, e jo një politikan i shquar. Të paktën unë, si ushtarak, dëshiroj të sakrifikoj, ta sfidoj qytetin e Mitrovicës, ta bashkoj”, thekson Ahmeti.

Pakënaqësitë e tyre me gjendjen në Mitrovicë i shprehin edhe qytetarët. Mungesa e sundimit të ligjit, qyteti i ndarë dhe mungesa e perspektivës ekonomike, veçohen si shqetësimet kryesore të qytetarëve.

“Papunësia brenda Mitrovicës, Trepça nuk po punon apo po punon fare pak, kurse rinia është pa punë. Disa rrugë i kanë ndërtuar, disa ndërtesa, për vete, i kanë ndërtuar. Ç’kemi të presim më mirë - kurrgjë, këta njerëz po zgjedhen gjithë”,
shprehet një qytetar mitrovicas.

Ka qytetarë tjerë që nuk duan të dalin fare në votime, pasi që i kanë humbur shpresat se mund të ndryshohet diçka. Mitrovica, mund të zhvillohet vetëm nëse riaktivizohet Trepça, thonë ata.

“Kam punuar 36 vjet, e i marr 80 euro. Kurrë nuk dal (në votime). Jetoj për faqe të zezë me 80 euro. Uroj të ndryshojnë, për fëmijë se sa për mua kurrë. Po s’punoi Trepça, s’ka zgjidhje këtu”,
shprehet një banor tjetër i këtij qyteti.

Në planin politik, qytetarët nuk presin që komuna e tyre mund t’i zgjidhë problemet pa ndihmën e bashkësisë ndërkombëtare.

“Nga aspekti lokal, nuk pres asgjë, se kjo më tepër varet prej fuqive të mëdha, të cilat gjithnjë kanë vendosur. Zgjedhjet komunale - shumë pak pres prej tyre në aspektin politik”,
thotë qytetari tjetër mitrovicas.

Derisa në jug të qytetit, ku dominon shumica shqiptare, me gjithë përqindjen e ulët, megjithatë pritet të mbahen zgjedhjet e 15 nëntorit, situata besohet se do të jetë ndryshe mbi lumin Ibër, ku serbët përbëjnë shumicën.

Sikurse herëve tjera, serbët kanë paralajmëruar se do t’i bojkotojnë zgjedhjet dhe do të vazhdojnë me funksionimin e strukturave paralele, që mbështeten nga Qeveria dhe partitë politike nga Serbia.

Pas gjashtë muajve, ICO-ja dhe Qeveria e Kosovës kanë dhënë zotimin se do ta formojnë Mitrovicën e veriut, por serbët e atjeshëm nuk i kanë dhënë përgjigje pozitive as kësaj nisme.

Ndërsa, bashkë me pushtetin e ri lokal, në Mitrovicë do të fillojë punën edhe përfaqësuesi tjetër i Bashkimit Evropian, italiani Majkëll Gjifoni, në cilësinë e koordinatorit të aktiviteteve ndërkombëtare në veri të Kosovës.

Të gjitha këto nisma politike thuhet se si synim kryesor kanë kthimin e normalitetit në qytetin e ndarë për dhjetë vjet, ku për po aq vjet, sidomos në veri, ka munguar sundimi i rendit dhe ligjit.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG