Ndërlidhjet

Thellohen përçarjet mes serbëve


Derisa Këshilli Nacional Serb i veriut të Kosovës kërkon nga Beogradi që të qartësojë qëndrimin për zgjedhjet lokale të 15 nëntorit, përçarjet mes serbëve pro dhe kundër zgjedhjeve po thellohen më tepër.



Zgjedhjet lokale të 15 nëntorit thellojnë përçarjet te serbët e Kosovës. Ky dallim vërehet mes atyre që jetojnë në veriun e vendit dhe të tjerëve, që gjenden në jug.

Derisa në Komisionin Qendror Zgjedhor janë certifikuar 21 subjekte politike serbe për zgjedhjet lokale të 15 nëntorit, Këshilli Nacional Serb (KNS) për veriun e Kosovës, u bën thirrje të gjithë kandidatëve që t’i tërheqin kandidaturat.

Ndërsa, nga serbët e Kosovës kërkon mospjesëmarrjen, ky Këshill nga Beogradi kërkon qëndrim të kristalizuar për zgjedhjet.

“Ftoj shtetin tonë, Qeverinë në Beograd, që të ketë qëndrim të qartë mbi këto zgjedhje dhe të thotë se është plotësisht kundër pjesëmarrjes në zgjedhje, me të cilat forcohen institucionet e shqiptarëve të Kosovës dhe forcohet shteti shqiptar”.

“Argumente për këtë ka shumë. Asnjë argument për pjesëmarrje në zgjedhje nuk ekziston
”, thotë kreu i Këshillit Nacional Serb për pjesën veriore të Mitrovicës, Milan Ivanoviq.

Por, përfaqësuesja e po këtij Këshilli për Kosovën Qendrore, Rada Trajkoviq, hedh poshtë thirrjet për bojkot.

Me pjesëmarrjen në zgjedhje, serbët mund të fitojnë pushtetin në tri komunat e reja me shumicë serbe, dhe në Novobërdë, e cila pas zgjedhjeve do të ketë më shumë territor.

Rada Trajkoviq e kupton qëndrimin e Beogradit, i cili, sipas saj, nuk ka kërkuar bojkot, por shprehet se nuk ka kushte për pjesëmarrje në zgjedhjet e organizuara tërësisht nga institucionet kosovare.

“Mendoj se Beogradi, si edhe çdo shtet tjetër, veçanërisht tash kur në Hagë, në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, është në proces shqyrtimi i ligjshmërisë së pavarësisë, duhet të marrë qëndrim refuzues. Në anën tjetër, pushteti në Beograd është demokrat dhe nuk e sanksionon askënd”,
thotë Rada Trajkoviq.

Milan Ivanoviq mendon se në mënyrë të tërthortë Beogradi po i mbështet zgjedhjet. Ai këtë e argumenton me faktin që, sipas tij, qeveria serbe po i favorizon ata politikanë, që janë përcaktuar për pjesëmarrje në zgjedhje.

“Qeveria serbe po i favorizon ata njerëz që po i shkatërrojnë institucionet tona, që po e shkatërrojnë shtetin tonë, ndërsa, në anën tjetër, destabilizojnë dhe kryejnë spastrim të kuadrove, të atyre që angazhohen për forcim të institucioneve për forcim të shtetit, që janë kundër zgjedhjeve”.

“Me të vërtetë kjo është një porosi e paqartë e Beogradit”,
shprehet Milan Ivanoviq, duke i përmendur edhe emrat e atyre që, sipas tij, po i parapëlqen Beogradi.

“Kemi një grup të drejtorëve, zyrtarë të lartë në organet shtetërore, që janë pro zgjedhjeve dhe me këtë i shkatërrojnë interesat tona nacionale dhe shtetërore”.

“Këta janë njerëz të Kosovës, që kanë ikur nga Kosova, në vend se të rrinin si ne, që të luftojmë për interesin tonë. Ndërsa, tash vijnë nga Beogradi, janë në poste të drejtorëve, siç është Drejtori i Postës, Rangjel Nojkiq, pastaj Momqillo Trajkoviq, apo drejtoresha e Shtëpisë së Shëndetit, Rada Trajkoviq”,
thekson Ivanoviq.

Rada Trajkoviq nuk dëshiron të komentojë asnjë deklaratë që del nga Këshilli Nacional Serb për veriun e Kosovës. Ajo është e bindur se zgjedhjet janë në interes të serbëve lokalë.

Dalja në zgjedhje është në të vërtetë diçka që duhet të ndodhë, pasi që ne, në këto hapësira ku janë paraparë zgjedhjet, duhet të kemi institucione funksionale”.

"Kjo ndodh vetëm përmes pranimit të komunave të reja, që nënkupton ruajtjen e Shtërpcës, kthimin e pushtetit në Novobërdë dhe marrjen e pushtetit edhe në tri komuna me shumicë serbe”,
shpjegon Trajkoviq.

Me ftesë të Beogradit zyrtar, zgjedhjet e fundit lokale dhe parlamentare u bojkotuan në masë të madhe nga serbët lokalë.

Kësaj here, autoritetet vendëse, e në veçanti ato ndërkombëtare, kanë kërkuar nga serbët e Kosovës, që të mos i dëgjojnë thirrjet e Beogradit.
XS
SM
MD
LG