Ndërlidhjet

Mundësitë për zbutjen e papunësisë


Gjendja sociale në Kosovë vazhdon të jetë një nga shqetësimet më të mëdha. Zhvillimi i ulët i ekonomisë po ndikon edhe në shkallën e lartë të papunësisë. Autoritetet thonë se është shqetësues fakti se papunësia në Kosovë ka karakter afatgjatë, pasi të regjistruarit në zyrat e punësimit presin më shumë se një vit për një vend të lirë pune.


Mbi 330 mijë të papunë janë të regjistruar në zyrat e punësimit në mbarë Kosovën, ndërkaq mbi 25 mijë të papunë çdo vit hyjnë në tregun e punës, thonë zyrtarë qeveritarë.

Sipas shifrave zyrtare, 48 për qind e të regjistruarve janë femra, ndërkaq mbi 60 për qind e të regjistruarve si të papunë, i referohen nivelit të pakualifikuar.

Hafiz Leka, kryesues i divizionit të punësimit në kuadër të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, thotë se problem në këtë segment mbetet fakti se mbi 90 për qind e të regjistruarve presin më tepër se një vit për të gjetur një vend të lirë pune.

“Kohëzgjatja, kohë-pritja, mbi 12 muaj te këta persona është mbi 90 për qind, që është brengosëse edhe për ne. Ne, si ministri, jemi duke bërë përpjekje që përmes projekteve vendore, edhe nga donacionet ndërkombëtare dhe organizatat që na mbështesin, ta zbusim dhe ta shkurtojmë këtë kohëzgjatje të pritjes”,
thotë Leka.

Edhe ekspertë për çështje ekonomike, vlerësojnë se, në këtë aspekt, është shqetësues fakti që papunësia në Kosovë ka karakter afatgjatë.

Muhamet Sadiku, profesor në Fakultetin Ekonomik në Universitetin e Prishtinës, thotë se për këtë problem duhet gjetur një zgjidhje të shpejtë.

“Kosova ka trashëguar një nivel të papunësisë edhe nga e kaluara, mirëpo edhe brenda këtyre 10 vjetëve, do të thotë pas vitit 1999, situata ka mbetur e njëjtë”.

“Vështruar nga situata dhe aspekte të ndryshme, papunësia në Kosovë ka karakter të theksuar afatgjatë, sepse 85 për qind e të gjithë të papunëve presin më shumë se një vit në zyrat e regjistrimit”,
pohon Sadiku.

Por, Hafiz Leka, thotë se karshi mundësive ekzistuese, angazhimet për zbutjen e këtij problemi janë të mëdha.

Sipas tij, brenda një viti kjo ministri arrin të punësojë deri në 6 mijë persona.

Ndryshe, gjatë vitit të kaluar për një vend të lirë pune brenda muajit kanë konkurruar 581 të papunë.

“Ne arrijmë që brenda vitit t’i ndërmjetësojmë për punësim 6 deri në 6.500 persona dhe i aftësojmë për treg pune mbi 3500 punëkërkues. Mirëpo, edhe e para, edhe e dyta nuk mjaftojnë. E para, nuk mjafton se brenda një viti mbi 25 mijë persona neve na hyjnë në treg të punës si punëkërkues të rinj”,
shpjegon Leka.

Shkalla e papunësisë mund të zbutet vetëm me rritje të përgjithshme ekonomike, thotë eksperti i ekonomisë, Muhamet Sadiku.

Por, cila normë e rritjes ekonomike, sipas tij, duhet të jetë përgjigje për fillimin e zbutjes së këtij problemi?

“Kjo normë duhet të jetë mbi 6 për qind, që të fillohet të zbutet ky problem. Sepse çdo vit në treg të punës kemi rreth 30 mijë njerëz, të cilët kërkojnë punë për herë të parë”.

“Ndërsa, në anën tjetër, ekonomia mezi mund t’i punësojë në vit 5 deri në 6 mijë persona. Kjo tregon se vetëm normat e larta të rritjes ekonomike mund të jenë përgjigje për fillimin e zbutjes së problemit të papunësisë”
, vlerëson Sadiku.

Ndryshe, sipas parashikimeve të Qeverisë së Kosovës, deri në fund të këtij viti, Kosova do të ketë rritje ekonomike 4.4 për qind, përqindje kjo që për ekspertët e ekonomisë është e parealizueshme.

Sidoqoftë, sipas statistikave të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, në Kosovë llogaritet se mbi 43 për qind e popullsisë është e papunë.

Krahas papunësisë, rrjedhimisht po rritet edhe shkalla e varfërisë.
XS
SM
MD
LG