Ndërlidhjet

Bush: Rënia e Murit të Berlinit, vullnet i njerëzve

  • RFE /RL

Rënia e Murit të Berlinit, 02 tetor 1989

Rënia e Murit të Berlinit, 02 tetor 1989

Tre burrështetas, që shihen si arkitektët e rënies së Murit të Berlinit dhe bashkimit të Gjermanisë Lindore me atë Perëndimore, kujtojnë ngjarjet e kohës. Bush, Gorbaçov dhe Kol janë sërish në Berlin.


Tre ish-udhëheqës botërorë, që ishin të përfshirë dhe ndoqën nga afër zhvillimet që çuan në rënien e Murit të Berlinit, janë mbledhur në Berlin për të marrë pjesë në ceremonitë që shënojnë 20-vjetorin e rënies së Murit.

Xhorxh Bush - i ati, Mihail Gorbaçov dhe Helmut Kol dy dekada më parë ishin përkatësisht president i Shteteve të Bashkuara, Bashkimit Sovjetik dhe kancelar i Gjermanisë Perëndimore.

Të tre shihen në botë si arkitektët kryesorë që çuan në rënien e Murit të Berlinit, ngjarja që i parapriu bashkimit të Gjermanisë Lindore dhe asaj Perëndimore në një shtet të vetëm dhe rrëzimit të komunizmit në Evropën Qendrore e Lindore.

Të tre burrështetasit gjenden në Berlin me ftesë të kancelares aktuale gjermane, Angela Merkel, për të marrë pjesë në aktivitetet që do të mbahen deri më 9 nëntor, datë që shënoi dhe rënien e Murit.

Të tre të ftuarit e nderit e theksuan në fjalimet e tyre se, në fund, rrëzimi i Murit të Berlinit nuk ishte vendim i krerëve politikë, por vullnet i popullit.

“Ngjarjet historike, të cilat jemi mbledhur t’i shënojmë këtu nuk u vunë në veprim në Bon, Moskë apo në Uashington, por mbi të gjitha në zemrat dhe mendjet e njerëzve, të atyre që për një kohë të gjatë iu ishin mohuar të drejtat e dhëna nga Zoti”.

“Muri i kishte ndarë ata nga më të dashurit e tyre dhe i kishte mbyllur në një situatë të dështimit të sistemit ekonomik. Por, më në fund, ai nuk mund të zgjatej deri në pikën që të dëmtonte dëshirën e tyre për liri”
, tha Xhorxh Bush, i ati.

Bushi dhe Gorbaçovi u bënë thirrje Gjermanisë, Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë të vazhdojnë përpjekjet për gjetjen e rrugëve që çojnë drejt një të ardhmeje më të përparuar e më paqësore.

“Përvoja për të cilën po flasim tani, si dhe fundi i lumtur i ngjarjeve, na mëson se duhet të bëjmë gjithçka së bashku dhe se ekziston nevoja që t’i besojmë njëri-tjetrit”,
theksoi Gorbaçov.

Helmut Kol çmoi lart besimin mes tre udhëheqësve të kohës, çfarë shtroi dhe rrugën drejt bashkimit të Gjermanisë në vitin 1990.

Kol, i cili ka qenë kancelari i parë i Gjermanisë së bashkuar, i quajti Bushin dhe Gorbaçovin si jashtëzakonisht të rëndësishëm dhe partnerë të besueshëm të Gjermanisë.

Në ceremonitë e rastit mungojnë dy udhëheqës të tjerë, që luajtën rol të rëndësishëm në ngjarjet e kohës, ish-presidenti francez, Miteran, dhe ish- kryeministrja britanike Margaret Theçer.

Miteran është ndarë nga jeta në vitin 1996, kurse Theçer ka probleme shëndetësore.

Muri i Berlinit, që shihet si simboli i Luftës së Ftohtë, nisi të ngrihej në vitin 1962 nga autoritetet e Gjermanisë Lindore për ta ndarë atë nga ajo perëndimore dhe për të ndaluar largimin drejt perëndimit.

Më 9 Nëntor të vitit 1989 njerëz nga të dyja anët e Murit u ngjitën mbi të, në një frymë festive, derisa Muri u rrëzua brenda disa javësh.

Zyrtarisht bashkimi i Gjermanisë u bë më 3 tetor 1990.
(I.B.)

Trego komentet

XS
SM
MD
LG