Ndërlidhjet

Koalicioni (s')është në krizë


Qeveria e Kosovës
Qeveria e Kosovës

Koalicioni qeverisës në Kosovë nuk është në rrezik, thonë zyrtarë të PDK-së. Partneri qeverisës, LDK-ja, thotë se kritikat e saj në adresë të Qeverisë, janë parimore.


Partnerët e koalicionit aktual qeverisës në Kosovë vazhdojnë me kritika ndaj njëri-tjetrit, duke e përmendur në disa raste edhe prishjen e koalicionit.

Ndërsa kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryetar të Prishtinës, Isa Mustafa, kishte deklaruar se me veprimet që po bën, kjo qeveri i ka ditët e numëruara, ishte nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, njëherësh zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi, ai i cili ishte kundërpërgjigjur, duke thënë se me këto veprime, edhe LDK-ja mund t’i ketë ditët e numëruara në Qeverinë e Kosovës.

Duke i komentuar këto deklarata, anëtari i Kryesisë së PDK-së, Xhavit Haliti, thotë se nuk sheh ndonjë rrezik për prishjen e koalicionit. Paralajmërimet e disa zyrtarëve të LDK-së për ditët e numëruara të Qeverisë, ai i sheh më shumë si pjesë të fushatës zgjedhore.

“Edhe presidenti i Republikës së Kosovës dhe kryetari aktual i LDK-së, Fatmir Sejdiu, është deklaruar decidivisht që nuk bëhet fjalë për prishjen e koalicionit. Unë mendoj se përveç deklaratave që kanë të bëjnë me elektoratin, nuk ka ndonjë shqetësim lidhur me mundësinë e prishjes së koalicionit”, thotë Haliti.

Xhavit Haliti thotë se si PDK-ja, ashtu edhe LDK-ja, e kanë të qartë se nuk kanë arritur në pikën zero të komunikimit, andaj, sipas tij, Qeveria vazhdon me punën e vet si deri më tani.

Në anën tjetër, nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, thotë se nuk mund t’i paramendojë institucionet pa këtë parti politike. Kritikat e tij dhe të kandidatit për Prishtinën, Isa Mustafa, në adresë të Qeverisë, Haziri nuk i sheh si fushatë, por si kritika parimore që kanë të bëjnë me dobësitë e Qeverisë aktuale, e cila udhëhiqet nga PDK-ja, por pjesë e së cilës është edhe LDK-ja.

“Me LDK-në Kosova është e sigurt, Kosova është demokratike - si mision që ne e kemi marrë për të zhvilluar demokratizimin. Pa të (LDK-në), të tjerët llogaritë mund t’i bëjnë, por nuk mund të jetojnë. Nuk mund të jetojnë as institucionalisht, nuk mund të jetojnë as politikisht dhe nuk mund të garantojnë as stabilitet e as siguri”.

“Është mirë që funksionaliteti i shtetit të ruhet, qoftë në Qeveri, qoftë në Parlament, sepse Kosova po kalon tragjedi të mëdha si sot, ditë zie, kur jetët e njerëzve kanë përfunduar në lumin Tisa, duke ikur nga shtëpitë e tyre, komunat e tyre, duke ikur nga shteti i tyre”,
thotë Haziri.

Përplasjet ndërmjet dy partive në pushtet, që u thelluan gjatë ditëve të fushatës, opozita i merr me rezerva.

Përderisa zyrtari i lartë i PDK-së, Hajredin Kuçi, kishte deklaruar se nëse LDK-ja nuk është e kënaqur, PDK-ja mund të marrë në koalicion partitë opozitare, deputeti dhe zyrtari i lartë i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ardian Gjini, thotë se me këta njerëz që janë sot në pushtet, nuk ka partneritet e as koalicion qeverisës.

“Kosova, vendi ynë nuk meriton që këta njerëz që janë sot në pushtet, të jenë edhe për një mandat tjetër këtu ku janë dhe Aleanca, në asnjë variant, kurrë nuk do të lejojë që këta njerëz të riciklohen edhe një herë në politikë”.

“Ne po punojmë që ta ndryshojmë këtë pushtet, që në pushtet të vijnë njerëz që do t’i shërbejnë vendit. Të gjithë njerëzit që sot udhëheqin me Kosovën dhe të cilët e kanë sjellë Kosovën në pozitë inferiore ndaj gjithë botës, nuk e meritojnë të vazhdojnë me qeverisjen e vendit”,
shprehet Gjini.

Sidoqoftë, zgjedhjet lokale dhe rezultati i tyre, edhe nga analistët është vlerësuar se mund të kenë ndikim në koalicionin e PDK-së me LDK-në. Nëse jo me prishje koalicioni, ata kanë parashikuar se mund të ketë një lloj ristrukturimi eventual.
XS
SM
MD
LG