Ndërlidhjet

Projekt-buxheti për vitin 2010, i miratuar nga Qeveria e Kosovës, nuk do ta ndryshojë shumë gjendjen ekonomike në vend, thonë ekspertë të ekonomisë. Ata kërkojnë nga Qeveria që buxheti të shpenzohet në mënyrë transparente.


Ekspertë për çështje ekonomike nuk shohin ndonjë ndryshim në zhvillimin ekonomik me projekt-buxhetin për vitin 2010, i cili është miratuar nga Qeveria e Kosovës. Por, megjithatë, ata kërkojnë nga qeveria që buxheti të shpenzohet në mënyrë transparente.

Buxheti për vitin e ardhshëm do të jetë 1 miliard e 460 milionë euro - vetëm 4 për qind më shumë se buxheti i këtij viti.

Berat Rukiqi, sekretar në Odën Ekonomike të Kosovës, thotë se, duke pasur parasysh faktin që buxheti i 2010-ës dallon shumë pak nga shuma e buxhetit të këtij viti, edhe pritjet për një përmirësim të gjendjes ekonomike në vend, sipas tij, janë shumë të vogla.

“Si buxhet i tillë, kryesisht do të ketë prioritetet e veta shpenzuese, prioritetet që kanë qenë edhe këtë vit. Nuk pritet ndonjë impuls më i madh në ndonjë sektor, ndonjë investim më i madh”.

“Sigurisht, do të tentohet të vazhdohet zbatimi i projekteve, të cilat vetëm kanë filluar, sidomos në infrastrukturë, në shëndetësi, në arsim dhe në fusha të tjera prioritare”,
thotë Rukiqi.

Sipas projekt-buxhetit, të hyrat vjetore do të jenë 1.2 miliard euro, të cilat do të arkëtohen kryesisht nga dogana, Administrata Tatimore e Kosovës dhe paratë e pashpenzuara nga buxheti i këtij viti.

Ndërkaq, 35 për qind e buxhetit për vitin 2010 janë të dedikuara për shpenzime kapitale, që, sipas autoriteteve kompetente, qeveria do të vazhdojë t’i investojë në sektorin e transportit, në ndërtimin e shkollave dhe për sistemin e shëndetësisë.

Por, eksperti Berat Rukiqi thotë se shuma e ndarë për investime kapitale, nuk është e mjaftueshme. Ai thotë se vetëm investimet kapitale mund të krijojnë vende të reja të punës - mënyrë kjo që, sipas tij, mund të përmirësojë gjendjen sociale të qytetarëve.

“Pasi që deri më tani nuk ka pasur mundësi të shkohet në rritje drastike, prapëseprapë konsideroj që të shikohen mundësitë, që këto që janë alokuar për investime kapitale, së paku të zbatohen në mënyrë transparente dhe të zbatohen në vendin e duhur, me procedura të rregullta”, thekson Rukiqi.

Në anën tjetër, kryetari i Institutit për Hulumtime Zhvillimore “Riinvest”, Muhamet Mustafa, thotë se projekt-buxheti duket ambicioz, por, sipas tij, nevojitet një menaxhim i mirë, në mënyrë që të vërehen rezultate në zhvillimin ekonomik.

Ai nuk është optimist se buxheti mund të shpërndahet në mënyrë efikase, e sidomos, siç thotë ai, pas vërejtjeve që janë paraqitur në raportin e progresit të Komisionit Evropian, sa i përket qeverisjes ekonomike.

“Menaxhimi i këtij i buxheti dhe transformimi i tij në rritje ekonomike kërkojnë përmirësimin e ndjeshëm të qeverisjes ekonomike, pra të procesit buxhetor, transparencës, llogaridhënies, luftës kundër korrupsionit, pastaj menaxhimin e mirë të investimeve publike etj”, shprehet Mustafa.

Sipas autoriteteve kompetente, ky buxhet do të jetë i orientuar në politikat zhvillimore të vendit, ndërsa në këtë buxhet do të ketë rritje rreth 6 për qind të të ardhurave në të gjithë sektorët. Sidoqoftë, miratimin final të buxhetit të propozuar e bën Kuvendi i Kosovës, pas shqyrtimit në Komisionin për Buxhet dhe Financa.
  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

XS
SM
MD
LG