Ndërlidhjet

Sfidat nga raporti i progresit


Kuvendi i Kosovës
Kuvendi i Kosovës

Parlamenti i Kosovës është në proces të hartimit të një plani veprimi për zbatimin e sfidave që dalin nga raporti i progresit i Komisionit Evropian. Sundimi i ligjit dhe lufta kundër korrupsionit dhe dukurive negative, thuhet se janë prioritetet kryesore, në të cilat duhet të përqendrohen institucionet vendase.


Kuvendi i Kosovës po përgatit një debat lidhur me raportin e progresit, të hartuar nga Komisioni Evropian.

Qeveria e Kosovës e ka cilësuar këtë raport si real dhe pasqyrim të drejtë të gjendjes, të zhvillimeve dhe të sfidave në Kosovë, kurse opozita ka shprehur shqetësime dhe ka kritikuar Qeverinë, për shkak të vlerësimeve negative që janë bërë në fushën e sundimit të ligjit, luftën e pamjaftueshme të korrupsionit, krimin e organizuar dhe gjendjen jo të mirë të prokurimit publik.

Kuvendi, në anën tjetër, po përgatit së pari debatin përmes Komisionit Parlamentar për Integrime dhe, më pas, do ta shtrojë atë edhe për debat në njërën nga seancat plenare.

Kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, tha sot se legjislativi është i gatshëm t’i marrë përsipër obligimet që dalin nga ky raport, përderisa rikujtoi se nga institucionet vendase, Parlamenti ka dalë me vlerësimet më pozitive.

“Ne jemi këtu për të marrë përgjegjësi për sfidat që na vijnë dhe jemi të gatshëm. Ju e keni parë që, megjithatë, puna e Parlamentit është vlerësuar mirë, por ne do të tentojmë që të punojmë edhe më shumë. Jemi dakord që të bëhet një debat parlamentar lidhur me raportin e progresit”, tha Krasniqi.

Para se Kuvendi të nxjerrë në debat raportin e progresit, Komisioni Parlamentar për Integrime Evropiane është duke identifikuar sfidat me të cilat duhet të ballafaqohen institucionet, në mënyrë që të plotësohen kriteret e kërkuara në raport.

Kryetarja e Komisionit, deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Zylfije Hundozi, tha se çështje parësore janë angazhimet në luftimin e dukurive negative.

“Komisioni për Integrime Evropiane prapë e ka bërë një plan të veprimit dhe prioritet i yni është lufta kundër korrupsionit dhe sundimi i ligjit, gjegjësisht plotësimi i kritereve politike primarisht”, tha Hundozi.

Të gjitha ato që në raportin e progresit quhen sfida, nënkryetari i Komisionit për Integrime Evropiane, Bujar Bukoshi, deputet i Lidhjes Demokratike të Kosovës, i sheh si probleme.

Ai kërkoi përfshirjen e pranisë ndërkombëtare në asistencë të institucioneve të Kosovës, pasi që suksesi dhe dështimi në Kosovë, sipas tij, mund të cilësohen si meritë e dyanshme.

“Ne jemi shumë të vetëdijshëm për ato që po i quajmë sfida dhe unë këto sfida i quaj probleme për Kosovën. A heqim eufemizmin, kemi shumë probleme, ky vend ka probleme. Por, do të ishte absurde nëse do të kishim një dështim në Kosovë”, theksoi Bukoshi.

Komisioni Evropian çdo vit harton raporte të tilla, ku identifikohen të arriturat, ngecjet dhe sfidat.

Pavarësisht shumë sfidave dhe ngecjeve, Brukseli, kësaj radhe, ia ka lënë hapur mundësinë Kosovës që të përfshihet në proceset integruese, përfshirë liberalizimin e vizave, marrëveshjet tregtare me vendet e BE-së, si dhe bisedimet në kuadër të stabilizim-asociimit, por me kusht që paraprakisht Kosova t’i ketë plotësuar standardet e kërkuara për secilin vend që pretendon aderimin në Bashkimin Evropian.
XS
SM
MD
LG