Ndërlidhjet

logo-print
Përfaqësuesit e Ministrisë së Shëndetësisë në Kosovë u kanë bërë thirrje qytetarëve që të jenë të vëmendshëm dhe t’i respektojnë masat parandaluese kundër gripit sezonal dhe virusit A-H1N1, që ndryshe njihet dhe si gripi i derrave.

Drejtori i Zyrës për marrëdhënie me publikun në Ministrinë e Shëndetësisë, Faik Hoti, thotë se aktualisht nuk ka ndonjë rast të ri të dyshuar me simptome të gripit të derrit.

“Për fat të mirë, deri më tani, nuk kemi raporte për raste të reja të gripit A-H1N1. Mirëpo, duke pasur parasysh zhvillimet në vendet e Evropës, por edhe vendet e rajonit, ku ka një valë të përfshirjes së popullatës së prekur nga gripi A-H1N1, edhe Kosova po vazhdon me implementimin e masave që janë ndërmarrë edhe më herët”, thotë Hoti.

Në Ministrinë e Shëndetësisë thonë se janë ndërmarrë të gjitha masat që janë rekomanduar edhe nga ana e Organizatës Botërore të Shëndetësisë për menaxhimin e pandemisë së virusit A-H1N1.

Zëdhënësi Hoti thotë se Ministria e Shëndetësisë aktualisht është duke negociuar me disa kompani për sigurimin e vaksinave.

“Ministria, për momentin, po negocion me disa kompani për porositjen e vaksinave kundër gripit. Kjo temë është temë e ditës në të gjitha takimet që ministri Gashi po zhvillon me ambasadorët e vendeve që kanë përfaqësitë e tyre diplomatike në Kosovë”.

“Disa vende vetëm kanë premtuar ndihmën e tyre në sigurimin e një sasie të vaksinave, të cilat do të përdoreshin, para së gjithash, te gratë shtatzëna”,
thotë Hoti.

Sa i takon anti-viralit Tamiflu, medikament ky që përdoret te të infektuarit me këtë virus, Hoti thotë se institucionet shëndetësore kanë sasi të konsideruara të tij.

Ndërkohë, në Kosovë po vazhdojnë aktivitetet parandaluese ndaj virusit A-H1N1. Drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik (IKSHP), Naser Ramadani, pohon se ekipet e epidemiologëve janë vazhdimisht në terren për të këshilluar qytetarët dhe mjekët familjarë.

“Këshillat po vazhdojnë. Ne akoma jemi në terren, që të japim këshilla për mjekët e mjekësisë familjare, në mënyrë që të identifikohen me kohë të gjitha rastet, qofshin të lehta apo të rënda të gripit, dhe pastaj të bëhet edhe raportimi i rregullt i rasteve, në mënyrë që ne, si institut, të bëjmë mbikëqyrjen e rregullt epidemiologjike dhe përcjelljen e rasteve dhe ecurinë e sëmundjes”, thekson Ramadani.

Nga Ministria e Shëndetësisë bëhet e ditur se OBSH-ja u ka dhënë prioritet disa vendeve në zhvillim në marrjen e një sasie falas të vaksinave kundër virusit A-H1N1 dhe në këtë aspekt, një kontingjent i këtyre vaksinave që u dedikohen këtyre vendeve, pritet që në muajin dhjetor të shpërndahet edhe në Kosovë.

Edhe pse aktualisht është sezoni kur rastet e gripit mund të shënojnë rritje, drejtori i IKSHP-së, zoti Ramadani, thotë se nuk ka nevojë për panik, pasi që, sipas tij, janë ndërmarrë të gjitha masat.

“Gjendje shqetësuese nuk mund të jetë, duke marrë parasysh që ne kemi ndërmarrë të gjitha parapërgatitjet për masat parandaluese dhe për diagnostikimin e gripit të derrave dhe gripit sezonal”, shprehet Ramadani.

Nga mjekët është rekomanduar që të bëhet pastrimi i rregullt i duarve, largimi nga ambientet shumë të frekuentuara dhe të mbyllura, shmangia e kontakteve me njerëzit që kanë shenja gripi, mbulimi i gojës dhe hundës në rast të teshtitjes etj.
  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

XS
SM
MD
LG