Ndërlidhjet

logo-print

Lëvizja Vetëvendosje ka kërkuar nga kosovarët që t'i bojkotojnë zgjedhjet lokale të 15 nëntorit. Me këtë, sipas aktivistëve të saj, shmanget decentralizimi në baza etnike. Por, zyrtarë të qeverisë i hedhin poshtë këto pohime.




Një fushatë tjetër nga ajo që po zhvillojnë subjektet politike në më shumë se dy javë ka filluar sot. Lëvizja Vetëvendosje, nga tani deri më 15 nëntor, do t’u kërkojë qytetarëve që të mos dalin në votime. Shkas - krijimi i komunave të reja me shumicë serbe.

Aktivistët e kësaj lëvizjeje kritikojnë politikanët për atë që e cilësojnë mosinformim të drejtë.

“Premtimi kryesor, për të cilin po mbahen këto zgjedhje lokale, po mbahet i fshehur nga fushata parazgjedhore, e ky premtim është ‘votoni për decentralizimin, pavarësisht kandidatëve që po garojnë’“, shprehet aktivisti Glauk Konjufca.

Zgjedhjet e sivjetme lokale, duke u bazuar në Planin e Ahtisarit, mbahen edhe në tri komunat e reja me shumicë serbe: Kllokot, Graçanicë dhe Ranillugë. Novobërda do ta zgjerojë territorin e saj.

Këto ndryshime, sipas Lëvizjes Vetëvendosje, dëmtojnë komunat aktuale dhe i hapin rrugë decentralizimit në vija etnike. Visar Ymeri thotë se votuesit e komunave, si Prishtina, Lipjani, Gjilani e Vitia, nuk janë të informuar se komunat e tyre me këto zgjedhje po cungohen.

“Këta asnjëherë nuk u tregojnë qytetarëve të Kosovës, se kur të dalin të votojnë më 15 nëntor, nëse kanë vendosur të votojnë, do të votojnë një komunë tjetër, pra do të pranojnë cungimin, rrudhimin e komunës aktuale”, thotë Ymeri.

Por, zyrtarë të Ministrisë së Pushtetit Lokal, ministri kjo që është bartëse e procesit të decentralizimit, i hedhin poshtë këto pohime.

Këshilltari Skënder Zogaj thotë se informim për komunat e reja, përveç ministrisë, ka bërë madje edhe vetë Lëvizja Vetëvendosje.

“Mjafton të përmendet se vetë ‘Vetëvendosja’ me hartat e veta, rrugë e skutë s’ka lënë në Kosovë pa shkuar, duke u përpjekur të informojë se çka po ndodh. Informimi ka qenë. Mendoj se institucionet, qytetarët, komunat janë të informuara mirë”.

“Ata e dinë se nëse formohet një komunë e re, duhet ta ketë një territor të vetin, ndërsa institucionet vendosin për fatin e territorit brenda Kosovës”,
thotë Zogaj.

Sidoqoftë, thirrja për bojkot nuk dihet nëse do të ketë ndonjë efekt në moszbatimin e planit të decentralizimit.

Legjislacioni për pushtetin lokal nuk parasheh ndonjë prag të duhur për të formuar komunën e re, apo për t’i dhënë legjitimitet udhëheqjes së re komunale. Madje, edhe me një pjesëmarrje prej më pak se 5 për qind, decentralizimi nuk rrezikohet.

Lëvizja Vetëvendosje e di këtë fakt. Por, sërish insiston në bojkot. Visar Ymeri shpjegon:

“Kjo është e rëndësishme, që të paktën qytetarët e Kosovës të mos legjitimojnë decentralizimin. Gjëja më e vogël, që mund të bëjë qytetari kundër decentralizimit, është që më 15 nëntor të mos votojë”.

“Vetëvendosje” thotë se zgjedhjet e 15 nëntorit legjitimojnë decentralizimin, që, sipas aktivistëve të saj, do të formojë komuna të reja me shumicë serbe në dëm të shumicës shqiptare.

Skënder Zogaj mendon se çështja e decentralizimit është politizuar.

“Decentralizimi në Kosovë duhet të bëhet. Tash, nuancat se a është në baza etnike apo jo, varet nga koha, sepse, në disa rrethana, edhe çështjet më joetnike marrin karakter etnik”, shprehet Zogaj.

Ndërsa Lëvizja Vetëvendosje kërkon bojkotim të zgjedhjeve dhe moszbatim të decentralizimit, institucionet e Kosovës po u bëjnë thirrje qytetarëve, veçanërisht serbëve lokalë, që të marrin pjesë në zgjedhje dhe të jetësojnë kështu reformën e pushtetit lokal.
XS
SM
MD
LG