Ndërlidhjet

logo-print

Drejtuesit e Doganave të Kosovës, institucion ky që vlerësohet të jetë kontribuuesi kryesor i buxhetit të shtetit të Kosovës, thonë se do t’i realizojnë parashikimet e Qeverisë së Kosovës për mbushjen e arkës së shtetit me mbi 600 milionë euro për vitin 2010.


Autoritetet kosovare tanimë kanë bërë të ditur se buxheti i Kosovës për vitin 2010 do të jetë 1.4 miliardë euro, apo vetëm 4 për qind më shumë se ai i këtij viti.

Ndërkaq, arka e shtetit do të mbushet me mbi 600 milionë euro të hyra nga doganat, 200 milionë euro nga Administrata Tatimore dhe rreth 400 milionë euro që sivjet nuk do të shpenzohen.

Të hyrat, të cilat do të realizohen nga doganat për vitin 2010, sipas drejtorit të Doganave të Kosovës, Naim Huruglica, do të arrijnë shumën deri në 638 milionë euro.

“Ne mendojmë se nuk do të jetë një problem i madh që të realizohen ato të hyra, gjithmonë duke u bazuar në trendet e zhvillimit, të cilat i kanë Doganat e Kosovës”.

“Ne, për çdo vit, kemi arritur të grumbullojmë nga 10 deri në 20 për qind, krahasuar me një vit paraprak, e që vinë si rezultat i zhvillimit ekonomik, rritjes së konsumit dhe në performancë të mirë të doganave”,
thotë Huruglica.

Ai bën të ditur se të hyrat për vitin e ardhshëm, që planifikohen të realizohen, janë diku rreth 6 për qind më tepër se që kanë qenë vitin e kaluar. Huruglica konsideron se është një planifikim real dhe i arritshëm.

“Në raportin e fundit financiar që unë e kam marrë - është 10 javë para përfundimit të vitit - ne jemi diku me 78 për qind në realizim të planit. Një trend, i cili premton se deri në fund të vitit, pa problem, do të realizohet 100 përqindëshi i asaj që është paraparë”.

“Në shumë nominale, ne kemi mbledhur mbi 502 milionë euro dhe shpresojmë që deri në fund të vitit do të arrijmë ta përmbyllim me 645 milionë euro, aq sa pritet”,
thotë Huruglica.

Brenda 10 vjetësh, Doganat e Kosovës thuhet se kanë kontribuuar në buxhetin e vendit me mbi 4 miliardë euro.

Në anën tjetër, Administrata Tatimore e Kosovës në arkën e shtetit, sipas parashikimeve, duhet të mbledhë 200 milionë euro. Por, përfaqësuesit e ATK-së nuk kanë qenë të gatshëm të prononcohen lidhur me këtë çështje.

Sipas ekspertëve për çështje ekonomike, të hyrat, të cilat janë planifikuar të mblidhen nga Administrata Tatimore e Kosovës, mund të realizohen nëse zvogëlohet evazioni fiskal, i cili, siç thonë ata, është në një masë mjaft të madhe.

Eksperti për çështje ekonomike, Alban Zogaj, sqaron:

“Nëse përmirësohet efikasiteti i kësaj agjencie dhe nëse kjo agjenci ka mundësi të mbledhë më shumë taksa brenda territorit të Kosovës, atëherë buxheti i Kosovës do të kishte mundësi të rritej në nivele të tilla. Normalisht, ne të gjithë jemi për rritjen e buxhetit të Kosovës, në mënyrë që përmes kësaj rritjeje të përmirësohet jeta e qytetarëve”.

Të hyrat, sipas Zogajt, duhet të mblidhen brenda territorit të Kosovës dhe jo vetëm te Doganat e Kosovës.

“Kjo kërkon efikasitet më të madh dhe një agjenci më të madhe për mbledhjen e taksave në Kosovë. Kjo agjenci nuk është efikase, se ka mungesë të punëtorëve, ka paga të vogla dhe njerëzit nuk dëshirojnë të punojnë dhe të angazhohen në këtë agjenci. ATK-ja vetvetiu ka nevojë për një buxhet më të madh dhe efikasitet të punës”, thekson Zogaj.

Projekt-buxheti i Kosovës për vitin 2010, në vlerë prej 1.4 miliard eurosh, i miratuar nga Qeveria e Kosovës, do t’i dërgohet Kuvendit të Kosovës për shqyrtim dhe miratim.
  • 16x9 Image

    Luljeta Krasniqi - Veseli

    Luljeta Krasniqi, e lindur më 02.05.1981. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 2005. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetare në Agjencinë e lajmeve Kosovalive. Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2008.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG