Ndërlidhjet

Përleshje në Iran


Foto arkiv
Foto arkiv

Policia iraniane është përleshur gjatë ditës së sotme me mbështetësit e liderit opozitar të Iranit, Mir Hosein Musavi, në Teheran.

Në një faqe interneti të lëvizjes reformiste “Mowjcamp” thuhet se policia kishte shtënë me armë zjarri mbi protestuesit në sheshin Haft-e Tir Square, por deri më tash këto njoftime nuk janë konfirmuar nga burimet e pavarura.

“Disa njerëz janë lënduar”, ka njoftuar "Mowjcamp".

Mijëra forca iraniane të sigurimit kanë dalë në rrugët e Teheranit për të parandaluar çdo tubim të opozitës.

Një dëshmitar citohet të ketë thënë se “policia është përleshur me qindra protestues, të cilët brohoritnin ‘vdekje diktatorëve’. Policia ka përdorur gazin lotsjellës dhe shkopinjtë prej gome për të shpërndarë turmën”.

Liderët opozitarë, Musavi dhe Mehdi Karrubi, kanë ftuar mbështetësit e tyre që të dalin në rrugë dhe të protestojnë kundër Qeverisë së presidentit Iranian, Mahmud Ahmadinexhad.

Përleshjet e sotme shpërthyen pikërisht në kohën kur vendi po shënon 30-vjetorin e ndërhyrjes në ambasadën amerikane në Teheran.

Disa muaj pas Revolucionit Islamik në Iran dhe përmbysjes së shahut në vitin 1979, studentët radikalë islamikë ndërhynë në ambasadën amerikane, duke mbajtur peng për 444 ditë 52 amerikanë.

Me rastin e këtij përvjetori është deklaruar edhe presidenti amerikan, Barak Obama.

Irani duhet të “zgjedhë” nëse do të jetojë në të kaluarën apo do të hapë rrugën për “prosperitet dhe drejtësi”, ka deklaruar presidenti amerikan, Barak Obama, me rastin e 30-vjetorit të marrjes peng të personelit të ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Teheran.

“Tash 30 vjet dëgjojmë se çfarë kundërshton Qeveria e Iranit, ndërsa tash pyesim se për çfarë të ardhmeje angazhohet kjo qeveri”, ka thënë presidenti amerikan, Obama. (A.V.)
XS
SM
MD
LG