Ndërlidhjet

logo-print

Tri parti politike serbe në Graçanicë kanë konfirmuar sot lidhjen e një koalicioni për kryetar të kësaj komune. Këto subjekte serbe shprehën shumë vërejtje në adresë të institucioneve të Kosovës dhe ICO-së, për margjinalizimin e tyre dhe favorizimin e partive serbe në pushtet, gjatë procesit të deritashëm zgjedhor.


Tri subjekte politike serbe, aktualisht nga blloku opozitar, kanë vendosur të garojnë në zgjedhjet lokale të 15 nëntorit si koalicion, me një kandidat të përbashkët për kryetar të Graçanicës.

Në një konferencë të përbashkët, të mbajtur në Çagllavicë, Partia Demokratike Serbe, Partia Popullore Serbe dhe Partia e Social-demokratëve konfirmuan zyrtarizimin e koalicionit për komunën e sapoformuar të Graçanicës, të dominuar nga shumica serbe.

Kryetari i Partisë Demokratike Serbe, Sasha Gjokiq, tha se bisedimet ndërmjet këtyre tri subjekteve politike kishin rezultuar me marrëveshje koalicioni.

“PDS nuk do të ketë kandidat në këto zgjedhje. Kemi diskutuar me Partinë Popullore Serbe dhe kemi nënshkruar marrëveshjen, përmes së cilës ne do të përkrahim kandidatin e kësaj partie, Mihajlo Shqepanoviq, për kryetar të komunës së Graçanicës”, tha Gjokiq.

Mirëpo, i kandiduari i këtij koalicioni, Mihajlo Shqepanoviq, edhe pse në garë për kryetar të komunës së re të Graçanicës, i pakënaqur me përgatitjet që po i bën Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, shprehu dilemë nëse serbët do të duhej të dalin në zgjedhjet lokale.

“KQZ-ja, 10 ditë para zgjedhjeve, ende nuk ka shpjeguar se ku do të jenë vendvotimet, si do të numërohen votat, si do të transportohen në qendrën e numërimit, çfarë kontrolli do të ketë, a do të kemi qasje ne në numërimin e votave, e të tjera”, tha Shqepanoviq.

Edhe pse i paraqitur për pjesëmarrje në zgjedhjet lokale në Kosovë, ai ende nuk e dinte nëse një veprim i tillë ishte i qëlluar apo jo.

“Do të pyesja nëse ministri i Jashtëm i Serbisë, Jeremiq, pati të drejtë kur tha se serbët nuk kanë arsye të dalin në zgjedhje, meqë OSBE-ja nuk i monitoron ato”, tha Shqepanoviq.

Ndërkaq, Lubisha Zhiviq, nga Partia e Social-demokratëve të Pavarur kritikoi KQZ-në, Qeverinë dhe Presidencën për, siç tha ai, mosrespektimin e ligjit dhe Kushtetutës. Sipas tij, partitë opozitare serbe po anashkalohen edhe në bisedime për zgjedhjet.

“Presidenti i Kosovës shkel Kushtetutën dhe ligjin. Qeveria e Kosovës po ashtu. Kurse, ICO-ja nuk na ftoi në bisedime rreth zgjedhjeve. Disa parti politike edhe po i financojnë, kurse Piter Feith për ne as që e di që ekzistojmë”, tha Zhiviq.

Sidoqoftë, udhëheqësit e partive opozitare serbe në Graçanicë vazhdojnë garën zgjedhore. Ata paralajmëruan se do të ngrenë padi për parregullsitë që i kishin evidentuar.

Gjithashtu, me gjithë vërejtjet që parashtruan, këto parti në koalicion thanë se besojnë që do të jenë një subjekt i fuqishëm politik për komunën e Graçanicës dhe kjo do të dëshmohet në zgjedhjet e 15 nëntorit.

Janë 21 subjekte politike serbe të certifikuara për pjesëmarrje në zgjedhjet e 15 nëntorit. Ato vijnë kryesisht nga pjesa qendrore dhe lindore e Kosovës, përderisa ka një përgjigje krejtësisht të ulët të interesimit për pjesëmarrje të serbëve të pjesës veriore.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

XS
SM
MD
LG