Ndërlidhjet

(Mos)zbatimi i Strategjisë për Migrim


Pamje nga Prishtina

Pamje nga Prishtina

Strategjia Shtetërore e Republikës së Kosovës për Migracion, bashkë me Planin e Veprimit, që është aprovuar kohë më parë nga Qeveria e Kosovës, ka vështirësi në zbatimin e saj.

Kështu thanë përfaqësues të Qeverisë së Kosovës, gjatë një debati, në të cilin u diskutua edhe për sfidat e implementimit të strategjisë.
Ministri i Punëve të Brendshme, Zenun Pajaziti, theksoi se institucionet e vendit po bëjnë përpjekje të vazhdueshme në mënyrë që kjo strategji të zbatohet në tërësi. Por, për një gjë të tillë, shtoi ai, nevojitet kohë.

“Çështjet që kanë të bëjnë me migrimin ilegal janë çështje, me të cilat preokupohen jo vetëm shtetet që aderojnë në BE. Janë çështje, me të cilat preokupohen edhe vendet e BE-së”.

“Vetë shtetet e ndryshme të BE-së kanë strategji dhe politika të veçanta sa i përket migrimit ilegal. Kështu që, kjo do të vazhdojë. Kosova vetëm në një fazë tjetër, varësisht në çfarë procesi do të jemi, do të ketë me siguri hapa të ndryshimit të strategjisë. Në fakt, për një kohë shumë të gjatë ne duhet të merremi me çështje të tilla”,
theksoi Pajaziti.

Strategjia dhe Plani i Veprimit për Migracionin është një detyrim që rrjedh nga prioritetet që ka përcaktuar shteti i Kosovës, për t’i parandaluar të gjitha format e migrimit ilegal dhe për të promovuar migrimin legal, sqaroi ministri i Brendshëm, Pajzaiti.

“Kjo është në kuadër të politikave të Qeverisë së Kosovës. Po ashtu, është një ndër kriteret e rëndësishme, sa i përket liberalizimit të vizave. Ne kemi marrë masat e nevojshme që ta koordinojmë këtë proces. Ju e dini që procesi i hartimit të strategjive dhe dokumenteve, edhe pse është mjaft i vështirë, shumë më i vështirë është procesi i implementimit të tyre”,
shpjegoi Pajaziti.

Në zbatimin e Strategjisë dhe Planit të Veprimit për Migracionin duhet të kontribuojnë të gjitha institucionet, përfshirë edhe ato të nivelit lokal, u tha ndër të tjera në takimin e sotëm.

Por, Lulzim Mjeku, nga Ministria e Punëve të Jashtme, theksoi se kjo strategji obligon MPJ-në në rregullimin e vizave dhe liberalizimin e tyre.

“Përgjegjësitë që dalin nga angazhimet e saj lidhur me përmbushjen e objektivave strategjike dhe që prekin fushë-veprimtarinë e Ministrisë së Punëve të Jashtme, lidhen, e para, me funksionalizimin e shërbimeve konsulore, e dyta, me vendosjen e regjimit të vizave dhe përcaktimin e procedurave të vizave dhe, e treta, me angazhimin për nënshkrimin e marrëveshjeve dypalëshe për lëvizjen e lirë të qytetarëve dhe marrëveshjeve të ripranimit të personave”, u shpreh Mjeku.

Moszbatimi i Strategjisë Kombëtare për Migracion nuk mund të ndërlidhet me tragjedinë e lumit Tisa, tha ministri i Punëve të Brendshme, Zenun Pajaziti.

“Nuk është mungesa e Strategjisë. Ajo është një dokument që na obligon dhe na koordinon sa më mirë secilin prej institucioneve dhe i precizon saktë detyrat e secilit”, theksoi Pajaziti.

Institucionet kosovare në nivel qendror dhe lokal, sipas kësaj strategjie, duhet të jenë përgjegjëse për krijimin e strukturave për parandalimin dhe luftimin e migrimit ilegal dhe atij ilegal të ndihmuar, si dhe promovimin e migrimit legal, që në vete përfshin edhe ri-integrimin e personave të riatdhesuar.
  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG