Ndërlidhjet

Gratë në zgjedhje: Mungesë guximi apo besimi?


Tubim parazgjedhor

Tubim parazgjedhor

Në zgjedhjet lokale të 15 nëntorit, për kryetare të komunave kanë kandiduar vetëm gjashtë femra. Disa nga kandidatet dhe përfaqësuese të organizatave joqeveritare thonë se ky numër është shumë i vogël. Arsye e kësaj, sipas tyre, është mungesa e vullnetit të partive politike për të kandiduar femrat për të udhëhequr ndonjë komunë.


Nga 36 komuna, në të cilat do të mbahen zgjedhjet lokale më 15 nëntor, vetëm në gjashtë prej tyre kandidate për kryetare janë femra. Disa nga kandidatet dhe përfaqësuese të organizatave joqeveritare vlerësojnë se kjo pjesëmarrje është shumë e vogël.

Mimoza Kusari-Lila, kandidate për kryetare të Komunës së Gjakovës nga koalicioni Aleanca Kosova e Re dhe Lidhja Demokratike e Dardanisë, thotë se kur kihet parasysh fakti se mbi 50 për qind e popullatës se përgjithshme i takon gjinisë femërore, kandidimi i femrave për të udhëhequr ndonjërën nga komunat e Kosovës është shumë i vogël.

“Edhe sistemet e partive politike, në njëfarë forme, janë sisteme patriarkale, ku forca dhe vendimmarrja mbahen te meshkujt dhe femrat, mos të them, përdoren për plotësimin e kushtit të përqindjes për pjesëmarrjen e gjinisë femërore”.

“Kjo tregon se femrat duhet të marrin iniciativa vetë, nuk duhet të hezitojnë të kandidohen në poste publike dhe kjo garë ka të bëjë me programin më të mirë, e më pak për gjininë dhe cilës gjini i përkasin”,
thotë Kusari-Lila.

Nexhmije Kallaba, kandidate për kryetare në Komunën e Kamenicës nga Lidhja Demokratike e Dardanisë, numrin e kandidateve për këtë post e arsyeton me mungesën e guximit të grave për, siç thotë ajo, t’iu qasur problemeve të mëdha.

“Si grua nuk dua të përfaqësohem për të zbukuruar sallat, apo për të plotësuar kuotat, por gjithmonë dëshiroj të garoj me profesion, me guximin për të marrë vendime të caktuara. Natyrisht, konsideroj dhe jam shumë bindur që gratë kanë një qasje krejtësisht tjetër ndaj gjithë problematikës sonë”, shprehet Kallaba.

Por, Selvete Krasniqi-Ismaili, kandidate për kryetare për Komunën e Prishtinës nga Partia Socialiste e Kosovës, thotë se mungesa e kandidateve për kryetare në zgjedhjet e kaluara ka qenë arsye kryesore që e ka shtyrë të kandidojë për këtë post.

“Për mua ishte shumë e çuditshme, që në këtë shekull, kur ne e dimë që kemi shumë femra, të cilat kanë dhënë shumë për Kosovën, të ndodhë kjo. Këtë vit, ka ndryshuar pak në favor të femrës, por, megjithatë, jemi një numër shumë i vogël. E sidomos kur marr parasysh (kandidatët) për Prishtinën, jam vetëm unë femër dhe të gjithë të tjerët meshkuj”, thotë Krasniqi-Ismaili.

Edhe Jelldez Gorani, kandidate për kryetare të Komunës së Prizrenit nga Alternativa Demokratike e Kosovës, vlerëson se pozita e grave në vendimmarrje gjithnjë ka qenë e ulët, çka, sipas saj, po shprehet edhe në këto zgjedhje.

“Ky është një hezitim se është hera e parë, pasi nuk ka në praktikë se si do të ishte udhëheqja e një femre në një pozitë të tillë. Besoj se ky është një moment, por janë edhe momentet tjera - shoqërore, rrethi familjar, që femrën e bëjnë të hezitojë në këtë synim”, shprehet Gorani.

Në anën tjetër, përfaqësuese të organizatave joqeveritare konsiderojnë se kandidimi i femrave në zgjedhjet që janë mbajtur deri më tani në Kosovë, vazhdimisht ka qenë i vogël.

Arjeta Rexhaj, udhëheqëse e Qendrës për Trajnime dhe Studime Gjinore, thotë se partitë politike janë ato që kanë penguar kandidimin e grave për kryetare të komunës.

“Duke u nisur nga filozofia e partive politike, mosdemokratizimi brendapartiak, mosbesimi se gratë mund të sjellin ndryshime - të gjitha këto po rezultojnë në faktin që gruaja nuk po ka një besim të madh në veten e vet dhe të kandidojë”.

“Është bërë një praktikë që gruaja të jetë vetëm pjesë e kuotës dhe jo të vijë në shprehje cilësia e gruas”,
thekson Rexhaj.

Rexhaj befasohet me faktin se në zgjedhjet komunale, që do të mbahen më 15 nëntor, subjektet më të mëdha politike në vend, si Lidhja Demokratike e Kosovës, Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës nuk kanë kandiduar asnjë femër për kryetare të ndonjë komune në Kosovë.
  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

XS
SM
MD
LG