Ndërlidhjet

logo-print

Kusturica përzë ekipin e televizionit kroat


Zagreb

Zagreb

Regjisori Emir Kusturica, i nevrikosur nga pyetjet e gazetarit të Televizionit Kroat (HTV), e ka përzënë ekipin dhe ka konfiskuar materialin e xhiruar.

Siç njofton HTV, gjatë ditës së djeshme, redaktori i emisionit “Të dielën në orën 2”, Aleksandar Stankoviq, ka biseduar në Mokra Gorë me Kusturicën për xhirimin e një emisioni.

Xhirimi dhe biseda e Stankoviqit me Kusturicën ka zgjatur 22 minuta, deri në kohën kur regjisori, i nevrikosur nga pyetjet, është çuar në këmbë në mënyrë demonstrative dhe pa zgjedhur aspak fjalët, ka urdhëruar ekipin e HTV-së që të largohet nga fshati dhe t’i dorëzohet materiali i xhiruar.

Stankoviq ka vlerësuar se konfiskimi i materialit është “banditllëk klasik dhe hajni e pastër” dhe se HTV do të kërkohë nga Kusturica të kthejë materialin e rrëmbyer.

Sipas Stankoviqit, pyetjet që e kanë zemëruar regjisorin kishin të bënin me Sllobodan Millosheviqin dhe raportet që Kusturica kishte pasur me të.

I pyetur pse kishte pirë viski me Millosheviqin, gjatë pushtimit serb në Sarajevë, Kusturica ka thënë se nuk kishte pasur zgjidhje tjetër.

Stankoviq ka rikujtuar edhe deklaratën e Kusturicës se ka qenë moment i prekshëm të shihet “si Millosheviqi përshëndet bashkëshorten e tij, Mirën, nga Haga”, dhe e ka pyetur nëse edhe në Izrael, ku do të xhirojë filmin e ardhshëm, ai do të thotë se ka qenë e prekshme vëmendja me të cilën Hitleri e ka përshkruar të dashurën e tij Eva Braun.

Këtu ka qenë edhe fundi i bisedës, meqë Kusturica, siç njofton HTV, është çuar në këmbë duke sharë dhe ka përzënë ekipin e televizionit kroat. (A.V.)
XS
SM
MD
LG