Ndërlidhjet

Italia dënon agjentët e CIA-s


Gjykatësi Oskar Magi duke lexuar verdiktin për agjentët e CIA-s. Milano, 4 nëntor 2009.
Gjykatësi Oskar Magi duke lexuar verdiktin për agjentët e CIA-s. Milano, 4 nëntor 2009.

Një gjykatës italian ka dënuar në mungesë 23 amerikanë me disa vite burg për rrëmbimin e një kleriku mysliman. Verdikti është konsideruar si pikë referimi mbi programin hetues në luftën ndaj terrorizmit të ish-presidentit amerikan, Xhorxh Bush, dhe mund të vendoset si precedent legal për rastet e ngjashme.



Një gjykatës italian ka dënuar 23 amerikanë dhe dy agjentë sekretë italianë për rrëmbimin e një kleriku egjiptian, në një rrugë në Milano, në vitin 2003.

Të pandehurit akuzohen për kapjen e Mustafa Osama Nasrit (i njohur më shumë si Abu Omar) në Milano, si dhe për dërgimin e tij në Egjipt, ku ky i fundit thotë se është torturuar brutalisht.

Të gjithë amerikanët e dënuar, përveç njërit, janë identifikuar nga prokurorët si agjentë të CIA-s.

Ish-shefi i stacionit të CIA-s në Milano, Robert Seldon Lejdi, u dënua me tetë vjet burg, ndërkaq 22 amerikanët tjerë me nga 5 vjet secili. Verdikti dhe dënimi u morën në mungesë.

Të dënuarit janë urdhëruar t’i paguajnë 1.5 milion dollarë dëmshpërblim Abu Omarit dhe 745 mijë dollarë gruas së tij. Çifti kishte ngritur padi kundër të të pandehurve në muajin gusht, në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut.

Zëdhënësi i CIA-s në Uashington, Xhorxh Litle, nuk pranoi të flasë mbi dënimet, duke thënë se "CIA nuk ka komentuar ndonjërën nga akuzat rreth Abu Omarit."

Por, zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Ian Kelli, tha se Qeveria e Shteteve të Bashkuara është "e zhgënjyer" nga vendimi.

"Ne jemi të zhgënjyer nga vendimet mbi italianët dhe amerikanët, të akuzuar në Milano, për dyshimet mbi përfshirjen në rastin e klerikut egjiptian, Abu Omar. Gjykata nuk ka lëshuar ende një deklaratë të shkruar, kështu që ne nuk jemi në pozitë për të komentuar më tej lidhur me vendimin. Për shkak se çështja është në zhvillim dhe ndoshta do të apelohet, unë nuk mund të komentoj mbi specifikat e rastit", tha Kelli.

Kelli nuk tha nëse tre amerikanëve, të liruar për shkak të imunitetit diplomatik, u ishte dhënë ky status nga Departamenti i Shtetit.

Avokatët e 23 të dënuarve amerikanë thanë se do të apelojnë.

Joane Mariner, drejtor i programit për terrorizëm dhe anti-terrorizëm në Hjumën Rajts Uoç (Human Rights Watch), tha se vendimi "dërgon një sinjal të fortë për krimet e kryera nga CIA në Evropë."

Abu Omar tani jeton në Egjipt, por nuk është lejuar të largohet nga vendi për të marrë pjesë në gjyq.
XS
SM
MD
LG