Ndërlidhjet

Pagesat në QKU


Punëtorët shëndetësorë edhe më tej mbesin të pakënaqur me pagesën e kujdestarisë. Ndonëse shuma që paguhet për një kujdestari është simbolike dhe kap shumën prej 11 eurosh, ajo vonohet nga 5-7 muaj. Kështu, të paktën, thonë zyrtarë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.


Lirie Beqiri, drejtoreshë e infermierisë në Qendrën Klinike Universitare, thotë se nga ana e infermierëve ka mjaft ankesa.

“Nuk është bërë pagesa që pesë muaj për punën e natës. Kjo ndodh për shkak të buxhetit të limituar”, thotë Beqiri.

Në këtë kuadër nuk përjashtohen as mjekët, sepse edhe ata paguhen me ritëm të njëjtë sikurse edhe sektori i infermierisë.

Dafina Mahmutaj, kirurge, thekson se pagesat, përpos që janë denigruese, ato vonohen me muaj të tërë.

“Pagesat e kujdestarisë janë të parregullta, janë denigruese, pakënaqësitë janë të shumta, jo vetëm në pagesën e kujdestarisë. Jemi në një humnerë, prej së cilës vështirë është të dilet. Shpresoj që do të ndërmarrin diçka”, shprehet Mahmutaj.

Për një muaj për pagesë të kujdestarisë nevojiten 136 mijë euro për gjithë personelin e Qendrës Klinike Universitare, ndërkaq kjo qendër posedon vetëm rreth 99 mijë euro në muaj për të njëjtin qëllim, gjë që pamundëson realizimin e pagesës me kohë.

Kështu thotë Shpend Fazliu, zëdhënës në Qendrën Klinike Universitare.

“Janë 7 muaj prapa me pagesat e kujdestarisë. Së fundi janë paguar në muajin maj, për shkak të mungesës së buxhetit”.

“Kemi bërë kërkesë të ndahen 600 mijë euro shtesë, në mënyrë që të mbulohen kujdestaritë, e të mos ketë vonesa, mirëpo gjatë rishikimit të buxhetit, nuk na janë përgjigjur pozitivisht. Si pasojë, jemi në vonesa”,
shpjegon Fazliu.

Edhe Rrahime Kika, kryeinfermiere, të ardhurat e punëtorëve shëndetësorë i quan ndihmë sociale.

“Këto që marrim ne nuk janë rroga, janë ndihmë sociale. Pagesat e kujdestarisë paguhen shumë rrallë dhe janë shumë të ulëta, punë ka mjaft, ankesat tona nuk i merr parasysh askush. Edhe grevë kemi pasur, mirëpo asgjë nuk është ndërmarrë. Punohet shumë, a të ardhura ka shumë pak”, pohon Kika.

Në anën tjetër, Ministria e Shëndetësisë, si stimulim, punëtorëve shëndetësorë gjatë këtij viti u ka paguar nga 40 euro në muaj, shumë kjo që, sipas zëdhënësit në Ministrinë e Shëndetësisë, Faik Hoti, vitin e ardhshëm do të jetë pjesë e pagës.

“Ministria e Shëndetësisë e ka nënshkruar një memorandum mirëkuptimi me Ministrinë e Ekonomisë dhe Financave dhe në të ardhmen ne do t’i menaxhojmë të hyrat vetanake prej 3 milionë eurosh në vit dhe me këto të holla do të paguhen edhe kujdestaritë”.

“Ministria e Shëndetësisë është shumë e interesuar që kujdestaritë të paguhen në mënyrë më të rregullt dhe sa më shpejt që është e mundur”,
thotë Hoti.
XS
SM
MD
LG