Ndërlidhjet

Demarkacioni i (pa) kontestueshëm


Hartë e publikuar nga Lëvizja Vetëvendosje

Hartë e publikuar nga Lëvizja Vetëvendosje

Ende pa nisur bisedimet për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, Lëvizja Vetëvendosje thotë se Kosovës do t’i merren të paktën 6,600 hektarë tokë. Autoritetet nuk komentojnë shifrat.


Gjashtëmijegjashtëqind deri në shtatëmijenjëqind hektarë të territorit të Kosovës, sipas Lëvizjes Vetëvendosje, mund t’i kalojnë Malit të Zi. Sipas “Vetëvendosjes”, ky do të ishte një ndryshim i kufijve të përcaktuar në Kushtetutën e vitit 1974.

Aktivisti Liburn Aliu tregon vendet në të cilat, sipas tij, është dëmtuar Kosova.

“Në vitet e 90-ta, kufiri është lëvizur deri në pjesën që përfshin pjesën mbi Liqenat dhe malin e Liqenatit komplet në territorin e Kosovës dhe si kufi ka qenë lumi Bjelluha. Tash, me Marrëveshjen e Kumanovës, Kosova i humb 3,700 hektarë të tjerë. Pra, për 2,900 bëhej fjalë pas viteve të 90-ta dhe pastaj 3,700 hektarë të tjerë”, thotë Aliu.

Por, për Qeverinë e Kosovës, shënimi i vijës kufitare me Malin e Zi është i lehtë. Zëdhënësi Memli Krasniqi nuk parasheh probleme siç kishte në rastin me Maqedoninë.

“Ne nuk kemi asnjë çështje kontestuese me Malin e Zi sa i përket demarkacionit. Ky është një proces teknik, i cili do të përcaktohet pas caktimit të një afati kohor me pajtimin e të dyja palëve”,
thotë Krasniqi.

Në Planin e Ahtisarit, çështja e kufirit me vendet fqinje, përveç me Maqedoninë, parashihet të zgjidhet duke marrë parasysh “vijën kufitare të Krahinës Socialiste Autonome të Kosovës brenda Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë, ashtu siç kanë qenë këto vija kufitare më 31 dhjetor, 1988”.

Drejtori i Policisë Kufitare, Behar Selimi, i cili ka qenë anëtar i Komisionit për demarkacion me Maqedoninë, thotë se është herët të flitet për shifra. Pa u shënuar kufiri, sipas tij, nuk mund të përcaktohet qartë se cili territor kujt i takon. Por, ai pranon se ka shqetësime të banorëve.

Sidoqoftë, deri më tash, sipas Selimit, me Malin e Zi vazhdon të respektohet vija administrative, e përcaktuar me Kushtetutën e vitit 1974.

“Me Malin e Zi akoma nuk është shënuar fizikisht vija e kufirit. Me Malin e Zi vazhdon të respektohet vija e dikurshme administrative”, pohon Selimi.

Por, frika e mosrespektimit të Kushtetutës së 1974-ës ka alarmuar banorët e brezit kufitar dhe Lëvizjen Vetëvendosje. Drejtuesi i kësaj lëvizjeje, Albin Kurti, është i bindur se Marrëveshja e Kumanovës, që, sipas tij, dëmton për mijëra hektarë Kosovën, do të dominojë mbi Planin e Ahtisarit.

“Ajo që na bën neve të besojmë se harta e Marrëveshjes së Kumanovës po e dominon hartën e Kushtetutës së vitit 1974, është situata në terren. Pra, policia serbe në Karaçevë, policia malazeze në Bjeshkët e Rugovës po zbret në terren të Kosovës, në kundërshtim me Kushtetutën e 1974-ës”, thekson Kurti.

Në anën tjetër, autoritetet malazeze kanë konfirmuar se nuk kanë pretendime territoriale ndaj Kosovës.

“Mali i Zi udhëheq një politikë të mençur diplomatike. Mali i Zi nuk ka pretendime as tash, e as që ka pasur në të kaluarën dhe është e qartë se këto çështje dhe mosmarrëveshje eventuale do t’i zgjidhin ministritë tona të Punëve të Jashtme”, ka thënë ditë më parë në Prishtinë, drejtori i Policisë së Malit të Zi, Veselin Veloviq.

Megjithatë, insistimi i Veloviqit se shenja lajmëruese “Mirë se vini në Mal të Zi”, e vënë para pak kohësh nga autoritetet malazeze, gjendet në territorin malazez, e komplikon situatën.

“Tabela gjendet në territorin e Malit të Zi. Këto janë hapësira kadastarale administrative të territorit të Malit të Zi”, pati thënë Veloviq.

Banorët e brezit kufitar kanë protestuar, duke thënë se kjo tabelë gjendet 5 kilometra brenda territorit të Kosovës. Ndërkaq, kjo deklaratë e ka habitur edhe drejtorin e Policisë Kufitare, Behar Selimi. Ai thotë se tabela mbase mund të jetë edhe në territorin e Kosovës.

“Sidoqoftë, kolegu nga Mali i Zi e kishte mendimin bazuar në disa të dhëna kadastrale, se shenja është në territorin e Republikës së Malit të Zi. Ndërkaq, të dhënat tona që i kemi kadastrale, flasin se kjo mund të jetë ndryshe, domethënë mund të jetë edhe në territorin e Republikës së Kosovës”, thotë Selimi.

Megjithëse Qeveria e Kosovës nuk parasheh konteste kufitare me Malin e Zi, Behar Selimi nuk mendon se demarkacioni do të jetë i lehtë.

“Ndonëse do të kishim dëshirë të jetë i lehtë, demarkacioni i vijës kufitare me Malin e Zi nuk do të jetë as i lehtë e as i shpejtë. Megjithatë, shqetësimet se kjo punë nuk është kryer, nuk qëndrojnë, sepse ajo ende nuk ka filluar”, thekson Selimi.

Ditë më parë, Kosova ratifikoi marrëveshjen për demarkacion me Maqedoninë, pas muaj të tërë negociatash. Edhe me këtë marrëveshje, jo të gjithë kanë mbetur të kënaqur, meqë banorët e fshatit kufitar Debëllde vazhdojnë të insistojnë se janë dëmtuar, meqë pronat e tyre kanë kaluar në territorin maqedonas.
XS
SM
MD
LG