Ndërlidhjet

logo-print

Privatizimi i ndërmarrjeve publike, apo dhënia me koncesion e tyre, për ekspertët e ekonomisë është proces që duhet bërë. Ata konsiderojnë se privatizimi i tyre do të ofronte shërbime publike më cilësore, nxitje të investimeve dhe ngritje të performancës së ndërmarrjeve publike.


Ende nuk ka shumë detaje se si do të shkojë forma e privatizimit të Postë-Telekomit të Kosovës dhe koncesionimit të Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës, si dhe distribucionit të Korporatës Elektro-energjetike të Kosovës.

Aeroporti është në fazën e tenderimit, ndërsa PTK-ja dhe KEK-u janë në fazën e përgatitjeve teknike rreth futjes në këtë proces.

Ekspertët e ekonomisë thonë se gjendja në ndërmarrjet publike, siç janë KEK-u, PTK-ja dhe ANP-ja, nuk është e mirë dhe se nevoja për investime është e madhe.

Drejtori i Institutit për Studime të Avancuara, Shpend Ahmeti, thotë se autoritetet kosovare duhet ta bëjnë të qartë vizionin e vet se ku duhet të përdoren këto fonde.

“Për aeroportin është i rëndësishëm që të zhvillohet dhe të jetë një aeroport më funksional, sepse me një numër kaq të madh të udhëtarëve, më shumë se një milion udhëtarë në vit, nevojitet një aeroport shumë më funksional. Me investime nga një investitor privat do të rritej funksionaliteti”.

“Për PTK-në, nuk mendoj që është mirë të privatizohet 100 për qind. Do të ishte mirë të mendohej për një privatizim të menaxhimit. Ndërsa, sa i përket KEK-ut, nuk është atraktive për investitorët një kompani si kjo, për shkak të problemeve që ka”,
thotë Ahmeti.

Për të filluar një proces të suksesshëm të privatizimit, ekspertët e ekonomisë mendojnë se duhet të plotësohen mangësitë në ligjet aktuale, apo mangësitë ligjore, të cilat do ta pengonin atë gjatë negociatave me investitorët potencialë.

Ndërkaq, eksperti për çështje ekonomike, Milazim Abazi, thotë se procesi i privatizimit, apo dhënia me koncesion, është një proces që duhet bërë.

“Çdo gjë që është në duart e shtetit, që është publike apo shoqërore, me qëllim të ndaljes së korrupsionit, duhet të privatizohet sa më shpejt”.

“Ne duhet të bëjmë përpjekje që t’i hartojmë metodat më të mira për privatizim, siç është KEK-u, PTK-ja dhe ANP-ja. Njëkohësisht, këto do të hapin rrugë për ardhjen e investitorëve të huaj”,
thekson Abazi.

Ndërkohë, kundër metodave të privatizimit, që janë bërë në Kosovë, është Bashkimi i Sindikatave të Punëtorëve të Kosovës.

Kryetari i BSPK-së, Haxhi Arifaj, thotë se duhet të bëhen ekipe dhe një studim rreth këtij procesi dhe jo të bëhen privatizimet, të cilat kanë ndodhur me ndërmarrjet tjera.

“Ne, si BSPK, nuk jemi pajtuar asnjëherë me metodën dhe mënyrën se si po ndodh privatizimi. Aq më pak do të pajtohemi me privatizimin e ndërmarrjeve publike”.

“Nëse shitet KEK-u, Trepça, Aeroporti, PTK-ja e Hekurudha, atëherë çfarë po i mbetet Kosovës? Po mbetemi qiraxhi në shtetin tonë”,
shprehet Arifaj.

Qeveria e Kosovës ka paralajmëruar se po punon që së shpejti t’i privatizojë ndërmarrjet publike në Kosovë.

Megjithatë, ende nuk janë bërë as përgatitjet themelore që do ta shtynin përpara këtë proces të privatizimit.

Shpend Ahmeti, nga Instituti GAP, është skeptik për një privatizim të mirëfilltë.

“Jam skeptik për shkak të fazës se kur po bëhet. Jemi në një fazë sensitive, në një fazë kur po flitet, jo vetëm për zgjedhje lokale por edhe ato të përgjithshme, prandaj shumë do të kisha qenë skeptik se, sikur të bëhet shpejt një privatizim, do të mund të bëhej mirë, në veçanti për PTK-në”, thotë Ahmeti.

Në anën tjetër, sipas një raporti të bërë nga Instituti “Riinvest”, thuhet se faktori që do të ndikojë për një proces jo edhe aq të përkryer të privatizimit, është korrupsioni brenda ndërmarrjeve publike, sidomos në Postë-Telekomin e Kosovës dhe në Korporatën Energjetike të Kosovës.
  • 16x9 Image

    Luljeta Krasniqi - Veseli

    Luljeta Krasniqi, e lindur më 02.05.1981. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 2005. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetare në Agjencinë e lajmeve Kosovalive. Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2008.

XS
SM
MD
LG