Ndërlidhjet

Akademia distancohet nga fyerjet për shqiptarët



Vendimi është mbështetur nga 45 akademikë, një ka votuar kundër, kurse dy të përmbajtur.

Akademia ka vendosur që në afat prej një muaji të formohet një redaksi e re, e cila më pas do të vendosë nëse do të përdoren tekstet e enciklopedisë kontestuese apo do të botohet enciklopedi krejtësisht e re.

Ky vendim u mor nga akademia pas kritikave të shumta, si brenda ashtu edhe jashtë vendit, për shkak të përmbajtjes fyese dhe të pavërtetave të mëdha për shqiptarët dhe historinë e tyre.

Në këtë botim për shqiptarët thuhej se janë “njerëz mali, njihen si shiptari, arnauti etj”. Gjithashtu, në enciklopedi thuhej se “shqiptarët në Maqedoni kanë ardhur nga Shqipëria dhe se me forcë kanë dëbuar maqedonasit nga vendbanimet e tyre”.

Por, nga këto shkrime është distancuar Kuvendi i Akademisë.

“ASHAM distancohet nga pjesët kontestuese; formulimet dhe qëndrimet personale të autorëve të caktuar dhe ato në tërësi duhet të tërhiqen nga botimi. Do të përgatiten njësi të reja nga autorë tjerë ”, deklaroi akademiku Vllado Kambovski pas mbledhjes së Kuvendit të Akademisë.

Kuvendi i Akademisë gjithashtu ka vendosur ndalimin e shitjes së 1,500 ekzemplarëve të enciklopedisë kontestuese.

Por, akademiku Bllazhe Ristovski që mbron me ngulm enciklopedinë skandaloze, ia tërhoqi vërejtjen akademisë se do të përballet me sanksione, nëse tentohet që në enciklopedinë e re të përdorin tekste nga enciklopedia e ndaluar.

Ristovski disa herë ka mbrojur shkrimet fyese për shqiptarët, ndërsa akuzat e ngritura kundër tij i ka quajtur presione të ndikuara nga politika.
XS
SM
MD
LG