Ndërlidhjet

Përfaqësuesit e subjekteve politike serbe zhvilluan një debat lidhur me pjesëmarrjen e tyre në zgjedhjet lokale. Serbët e pjesës qendrore thanë se pjesëmarrja është zgjidhje më e mirë sesa bojkoti.



Dalja e serbëve në zgjedhje paraqet opsion më të mirë sesa bojkoti, është thënë sot në një debat në Çagllavicë, në temën rreth zgjedhjeve lokale të 15 nëntorit, të zhvilluar ndërmjet përfaqësuesve të partive politike serbe. Aty ishte i pranishëm dhe zëvendësshefi i Zyrës Civile Ndërkombëtare, Fletçer Barton.

Ndonëse organizatori tha se kishte ftuar në debat edhe përfaqësuesit e serbëve nga pjesa veriore e Kosovës, ata nuk morën pjesë.

Shumica e përfaqësuesve nga pjesa qendrore e Kosovës ishin pro daljes në zgjedhje, duke përjashtuar njërin nga përfaqësuesit e Këshillit Nacional Serb.

Kandidati për kryetar të Graçanicës, Momçillo Trajkoviq, tha se i konsideronte si tradhti kombëtare thirrjet e disa serbëve që të mos dilet në zgjedhje, pa dhënë asnjë alternativë më të mirë.

“Të mos ofrosh asnjë zgjidhje dhe të flasësh vetëm atë që nuk e do, pa e ditur se çfarë kërkon, për mendimin tim është tradhti ndaj këtij populli”, tha Trajkoviq.

Sipas tij, thirrjet për bojkot e kanë vënë në konfuzion komunitetin serb, i cili përmes këtyre zgjedhje e ka rastin të sigurojë një jetë më të qëndrueshme në Kosovë.

Mjaft shumë polemika janë zhvilluar në vazhdim ndërmjet Trajkoviqit dhe Dragan Veliqit, nga Këshilli Nacional Serb. Ky i fundit tha se respektonte qëndrimin e Serbisë se nuk ka kushte për të dalë në zgjedhjet e Kosovës.

“Edhe pas zgjedhjeve do ta kemi gjendjen që e kemi tash, por atëherë do të kemi më shumë dualizëm ndërmjet serbëve, çka, sipas mendimit tim, nuk është në rregull”, tha Veliq.

Përderisa serbët nuk kanë qëndrim unik se duhet të dalin apo t’i bojkotojnë zgjedhjet, Veliq tha se është më mirë të dëgjohen rekomandimet e Serbisë se nuk ka kushte për zgjedhjet në Kosovë.

Ndërkohë, në debat është përfshirë edhe Rada Trajkoviq, po ashtu nga Këshilli Nacional Serb, por e cila mbështeti daljen në zgjedhje.

Sipas saj, dalja është zgjidhja më e mirë sesa bojkoti. Përveç pjesës veriore, ku, sipas saj, ka një gjysmëfunksionim të administratës serbe, nëpër viset tjera ka vetëm stimulim pushteti. Kështu që Rada Trajkoviq apeloi që serbët të marrin pjesë dhe njëherësh të marrin mbi vete përgjegjësitë për komunat ku jetojnë si shumicë.

“Duhet të zgjedhim ndërmjet zgjidhjes më pak të dëmshme. Mendoj se duhet të përcaktohemi për atë që është më pak e dëmshme, të dalim në zgjedhje dhe të shfrytëzojmë shansin që ekzistencën në Kosovë ta kërkojmë përmes decentralizimit”, tha Rada Trajkoviq.

Ndërkohë, zëvendësshefi i ICO-së, Fletçer Barton, u rekomandoi serbëve daljen në zgjedhje, duke i siguruar ata se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve po bën një punë të madhe që të garantojë zgjedhje të lira e demokratike.

Pjesëmarrja e serbëve në këto zgjedhje, sipas Bartonit, është një rast historik për këtë komunitet, marrë parasysh komunat e reja që po krijohen dhe decentralizimin e pushtetit.

“KQZ ka qenë mjaft pragmatik dhe fleksibil, duke lejuar që votuesit serbë t’i përdorin dokumentet valide të identifikimit, përfshirë edhe pasaportat e Serbisë, çka konsideroj se ndihmon procesin”, tha Fletçer Barton.

Në fund, organizata joqeveritare ‘Kontakt’ ka prezantuar rezultatet e një hulumtimi lidhur me pjesëmarrjen e serbëve të Graçanicës dhe Novobërdës në zgjedhjet lokale të 15 nëntorit.

Sipas këtij sondazhi, del se gjatë verës, nga 200 serbët e anketuar, vetëm 4 për qind e tyre ishin për dalje në zgjedhje, kurse sondazhi i kryer së voni, më 3 nëntor, tregon se interesimi tash është rritur në 28 për qind të të anketuarve, të cilët janë të gatshëm për votime, 40 për qind janë shprehur të papërcaktuar, kurse 30 kundër.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

XS
SM
MD
LG