Ndërlidhjet

Epidemia në dhjetor?


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese

Pas informatave të autoriteteve shëndetësore lokale serbe për shfaqjen e tri rasteve të reja të infektimit me virusin A-H1N1, zyrtarë të Ministrisë së Shëndetësisë në Kosovë thonë se gjatë ditës së sotme nuk ka pasur raste të reja. Sidoqoftë, ata theksojnë se Kosova, sipas të gjitha gjasave, nuk do të mund të pajiset me vaksinat kundër këtij virusi para muajit dhjetor.


Pas informatave për tri raste të reja të infektimit me virusin A-H1N1 në Kosovë, përfaqësues të Ministrisë së Shëndetësisë thonë se nuk kanë njohuri të reja për raste të tilla në Kosovë.

Zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë, Faik Hoti, thekson se pas konsultimeve të sotme me Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik, nuk është konfirmuar asnjë rast i ri.

Sidoqoftë, kërkesat për furnizim sa më të shpejtë të qytetarëve me vaksinën kundër këtij virusi, sipas Hotit, nuk do të mund të realizohen para muajit dhjetor.

“Kosova aktualisht po negocion dhe nuk është larg marrëveshjes me kompanitë e ndryshme, të cilat do ta bëjnë distribuimin e kësaj vaksine në Kosovë. Mirëpo, në rajon pakkush pritet të ketë këtë vaksinë para muajit dhjetor, eventualisht në muajin janar”, thotë Hoti.

Zyrtarë të Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik i konfirmuan, ditë më parë, Radios Evropa e Lirë marrjen e informatave nga laboratori i Torllakut në Beograd, që flasin për tri raste të reja me virusin A-H1N1- në Mitrovicë, Graçanicë dhe në Gorazhdec.

Këtyre tri qendrave u janë dërguar tanimë 1000 doza me Tamiflu - antiviral ky që përdoret për mjekimin e pacientëve.

Ndërkohë, Ministria e Shëndetësisë në Kosovë, kohë më parë, bëri të ditur se do të sjellë 450-500 mijë vaksina kundër virusit A-H1N1. Organizata Botërore e Shëndetësisë kishte premtuar rreth 200 mijë vaksina për Kosovën.

Kryetari i Komitetit Nacional për sëmundje infektive, Isuf Dedushaj, thotë se arritja në Kosovë e vaksinave kundër gripit të derrave në muajin dhjetor, nuk do të jetë vonë , meqë atëherë mund të ndodhë një përhapje më masive e këtij virusi.

“Jo, nuk është vonë, për arsye se kah fundi i dhjetorit dhe në fillim të janarit është piku epidemik, nëse shpërthen epidemi masive. Ajo do të jetë koha kur ne e presim epideminë masive”, thekson Dedushaj.

Në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës në Prishtinë, deri më tani, janë trajtuar 6 raste të gripit të derrave. Drejtori i Klinikës Infektive, Shemsedin Dreshaj, bën të ditur se ky departament ka zhvilluar përgatitjet e duhura dhe pohon se është i pajisur mirë me barin Tamiflu.

“Ne i kemi të dizajnuara tri dhoma, të cilat janë adaptuar dhe çdoherë janë të lira e të gatshme për pranimin e këtyre pacientëve”.

“Klinika infektive është e pajisur mirë me barin Tamiflu, që përdoret për trajtimin e këtyre të sëmurëve. Në testin e parë që Klinika Infektive kishte gjatë muajve korrik- gusht, kur patëm rastet e para të gripit H1N1, ka dalë në ballë të detyrës me një sukses vërtet të mirë”,
pohon Dreshaj.

Virusi A-H1N1, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, është shndërruar në grip dominues në gjithë botën. Që nga shfaqja e këtij virusi, shtatë muaj më parë, thuhet se kanë vdekur të paktën 5.700 persona.
XS
SM
MD
LG