Ndërlidhjet

Problemet rreth vendvotimeve


Përfaqësues nga organizatat monitoruese të procesit zgjedhor më 15 nëntor, kritikojnë institucionet përgjegjëse për moscaktimin e vendvotimeve në zonat serbe në Kosovë. Kjo gjë, sipas tyre, duhet të bëhet sa më parë.


Përfaqësues nga koalicioni i organizatave joqeveritare “Demokracia në veprim”, që do të bëjë monitorimin e zgjedhjeve lokale të 15 nëntorit, kanë hedhur akuza në drejtim të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe Kuvendeve Komunale Zgjedhore për moscaktimin e qendrave të votimit në zonat e banuara me shumice serbe në Kosovë.

Ata thonë se vonesat në caktimin e këtyre vendvotimeve paraqesin problem për votuesit.

Udhëheqësi i këtij koalicioni, Ismet Kryeziu, thotë se një gjë e tillë do të duhej të ishte shqetësuese për Kuvendet Komunale Zgjedhore.

“Bazuar në argumentet dhe faktet, që ne i kemi hasur në terren, sidomos në vendbanimet dhe në komunat e reja serbe, ku është një fenomen që po ndodh për arsye se strukturat paralele, të cilat vazhdojnë punën e tyre në objektet publike, që janë të parapara si shkolla, për organizimin e zgjedhjeve, sipas të gjitha gjasave nuk do të lejojnë që aty të mbahen zgjedhjet”.

“Ndërsa, KQZ-ja dhe KKZ-të e atyre vendeve ende nuk kanë njoftuar dhe nuk kanë ndërtuar një hartë të vendvotimeve ku do të mund të votojnë të gjithë ata qytetarë që janë të interesuar të votojnë më 15 nëntor”,
deklaron Kryeziu.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, ndërkohë, zotohet t’i ketë bërë gati të gjitha përgatitjet e duhura në lidhje me përcaktimin e vendvotimeve në të gjitha komunat ku janë paraparë të mbahen zgjedhjet.

Këtë zotim e mbështeti, ditë më parë, edhe shefi i Zyrës Civile Ndërkombëtare në Kosovë, Pitër Feith, duke theksuar se do të ketë vendvotime gjithkund dhe se të gjithë votuesit do të jenë të informuar me kohë se ku do të jenë ato.

Kjo gjë, sipas përfaqësuesve të KQZ-së, vlen edhe për komunat e reja që kanë dalë nga procesi i decentralizimit. Florian Dushi, anëtar i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve shpjegon:

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka aprovuar të gjitha qendrat e votimit në Kosovë, që nënkupton edhe qendrat në vendbanimet me shumicë serbe”.

Mirëpo, kjo deklaratë hidhet poshtë nga kryetari i KKZ-së në Graçanicë, Igor Qirkoviq, i cili thotë se banorët, të cilët janë të interesuar për të dalë në zgjedhje, ende nuk e dinë se ku do të votojnë

“Caktimi i vendvotimeve nuk është bërë për faktin se shkollat nuk do të jenë të hapura në ditën e zgjedhjeve. Po punohet në drejtim të gjetjes së alternativave të tjera”, thotë Qirkoviq.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë kishin nënshkruar, kohë më parë, një memorandum mirëkuptimi, lidhur me procesin e zgjedhjeve të 15 nëntorit.

Ky memorandum e obligon Ministrinë e Arsimit që t’i vë në dispozicion shkollat fillore dhe ato të mesme, si dhe objektet e tjera, në shërbim të procesit për votimit.

Megjithatë, Florian Dushi, nga KQZ-ja, thotë se nëse shkollat nuk do të lejohen të shfrytëzohen në ditën e votimit, Komisionet Komunale Zgjedhore do të gjejnë alternativa tjera.
XS
SM
MD
LG