Ndërlidhjet

Sektorët, në të cilët Qeveria e Kosovës ka paraparë të investojë në vitin 2010, sipas ekspertëve për çështje ekonomike, nuk garantojnë zhvillim ekonomik dhe stabilitet financiar. Ata thonë se fushat, që Qeveria e vendit i ka vënë në prioritet, krijojnë parakushte për zhvillim.


Derisa zyrtarët qeveritarë e kanë vlerësuar projekt-buxhetin për vitin 2010 si buxhet, i cili garanton stabilitet financiar, ekspertët e ekonomisë e quajnë buxhet të mbijetesës.

Ata theksojnë se sfidë për Kosovën do të vazhdojë të mbetet zhvillimi ekonomik. Eksperti për çështje ekonomike, Ibrahim Rexhepi sqaron:

“Investimet në infrastrukturë nuk janë ato që garantojnë zhvillim. Infrastruktura krijon parakushte për zhvillim dhe vjen periudha kur projektet përfundojnë, por çka tutje”.

“Me këtë dua të them se nuk ka zhvillim paralel me investimet në shërbime publike në infrastrukturën rrugore me zhvillimin e veprimtarive tjera që do të vazhdojnë kontinuitetin e punësimit, apo rritjes së ofertës së mallrave të Kosovës”.


Ai thekson se buxheti i vitit 2010 nuk garanton rritje të mëdha. Sipas tij, është një buxhet, i cili reflekton një dozë të frikës së Qeverisë nga pamundësia e sigurimit të mjeteve.

Sipas Rexhepit, pasiguria e Qeverisë së Kosovës për t’i siguruar këto mjete, mund të ndodhë që të përshpejtojë privatizimin e Postë-Telekomit, apo të segmenteve të KEK-ut, në mënyrë që të krijohen mjete të reja për buxhetin e Kosovës.

Eksperti për çështje ekonomike, Milazim Abazi, thotë se sektorët, në të cilët Qeveria e Kosovës ka paraparë të investojë, nuk sjellin zhvillim ekonomik të vendit.

“Është një buxhet minimal. Paratë e privatizimit duhet të futen menjëherë në buxhet, në mënyrë që ky buxhet të rritet, siç ka bërë tërë bota socialiste, që është zhvilluar kryesisht përmes privatizimeve, qoftë duke përdorur paratë e privatizimit, qoftë duke investuar investitorët e huaj, e ne as këtë, e as atë nuk e kemi”,
thotë Abazi.

Rreth 35 për qind e buxhetit të miratuar ditë më parë nga Qeveria e Kosovës është paraparë për shpenzime kapitale.

Rreth 110 milionë euro janë paraparë për sektorin e transportit, që përfshin edhe fillimin e autostradës që lidh Shqipërinë me Kosovën; rreth 50 milionë euro janë ndarë si subvencione për sektorin e energjisë, respektivisht për furnizim më të mirë me energji; 27 milionë për ndërtimin e shkollave të reja, ndërsa parashihet edhe një rritje pagash prej 6 për qind.

Ndërkaq, eksperti i ekonomisë, Berim Ramosaj, projektbuxhetin për vitin 2010 e cilëson si projektbuxhet të mbijetesës.

“Duke marrë parasysh edhe nivelin e GDP-së që nuk do të jetë mbi 3 për qind, në anën tjetër, krizën ekonomike globale dhe shkallën gjithnjë më të ultë të investimeve nga jashtë, dhe çka është e rëndësishme dhe që përbën zërin kryesor, të hyrat nga taksat dhe tatimet, respektivisht nga autoriteti qendror fiskal që nuk parashihen të jenë më të mëdha, mendoj se ky buxhet, siç është planifikuar, faktikisht nuk është buxhet zhvillimor, por i mbijetesës”,
vlerëson Ramosaj.

Ndryshe, ekspertët e ekonomisë janë të mendimit se sfida kryesore edhe për vitin e ardhshëm do të mbetet zhvillimi ekonomik, për shkak se, siç thonë ata, Kosova sapo ka filluar t’i ndjejë pasojat e krizës ekonomike globale.

Po ashtu, ekspertët e ekonomisë vënë në pikëpyetje faktin se si do të arrihen 1.4 miliardë euro.
  • 16x9 Image

    Luljeta Krasniqi - Veseli

    Luljeta Krasniqi, e lindur më 02.05.1981. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 2005. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetare në Agjencinë e lajmeve Kosovalive. Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2008.

XS
SM
MD
LG