Ndërlidhjet

Gripi alarmon botën


Belgjika dhe Arabia Saudite filluan vaksinimin e popullsisë kundër virusit A/H1N1. Në Ukrainë janë regjistruar 135 viktima nga gripi, 14 nga gripi i derrave.




Ukraina njoftoi se 135 njerëz kanë vdekur si pasojë e epidemisë së gripit që e ka kapluar vendin, ndërkohë që vendi ka marrë ndihma të reja mjekësore nga Evropa për t’u përballur me epideminë.

Prej fundit të tetorit, më shumë se 870 mijë njerëz janë sëmurë nga gripi dhe infektimet e organeve të frymëmarrjes, kurse rreth 400 mijë vetë janë hospitalizuar.

Katërmbëdhjetë nga të vdekurit kanë qenë të ndërlidhur me virusin A/H1N1. Belgjika edhe zyrtarisht filloi vaksinimin e popullsisë kundër gripit, i cili kryesisht i godet njerëzit më të rrezikuar.

Rreth 15 mijë punëtorë në sektorin e mjekësisë tashmë janë vaksinuar kundër gripit A/H1N1 në bazë vullnetare.

Fushata ka filluar të zgjerohet edhe te prindërit e fëmijëve nën gjashtë muaj, gratë shtatzëna dhe njerëzit, puna e të cilëve i vë në kontakt me fëmijë.

Vaksinimi është falas, por vaksina nuk është në shitje.

Vaksinimin e popullatës e filloi të shtunën edhe Arabia Saudite, duke u dhënë përparësi punonjësve të angazhuar në haxhin e përvitshëm.

Zyrtarët e Ministrisë së Shëndetësisë janë të parët që do të pranojnë vaksinën kundër virusit A/H1N1.

Vaksina do t’u shpërndahet të gjitha organizmave qeveritarë, të përfshirë në organizimin e haxhit, i cili do të kulmojë prej 25 deri 29 nëntor.

Autoritetet kanë thënë se mbretëria tashmë e ka marrë dërgesën e parë të 11 milionë vaksinave që ka urdhëruar.

Në Serbi, një zyrtar i Ministrisë së Shëndetësisë në Nish, ka thënë se nga virusi i ri një person ka vdekur, duke e çuar në pesë numrin e viktimave nga virusi A/H1N1.

Zyrtarë të Entit të Epidemiologjisë në Beograd, kanë thënë se në Serbi deri tani janë konfirmuar 244 raste të të infektuarve me virusin A/H1N1.

Në Kosovë, zyrtarë të Ministrisë së Shëndetësisë kanë thanë se vendi nuk do të mund të pajiset me vaksinat kundër virusit para dhjetorit.

Pas informatave për tri raste të reja të infektimit me virusin A/H1N1 në Kosovë, përfaqësues të Ministrisë së Shëndetësisë kanë theksuar se nuk kanë njohuri të reja për raste të tilla në Kosovë.

Ministria e Shëndetësisë ka bërë të ditur se do të sjellë 450-500 mijë vaksina kundër virusit A/H1N1. Organizata Botërore e Shëndetësisë kishte premtuar rreth 200 mijë vaksina për Kosovën.

Kryetari i Komitetit Nacional për sëmundje infektive, Isuf Dedushaj, ka thënë se arritja e vaksinave kundër gripit të derrave në dhjetor, nuk do të jetë vonë, meqë atëherë mund të ndodhë përhapja më masive e virusit.

Në Qendrën Klinike Universitare në Prishtinë, deri tani janë trajtuar gjashtë raste të gripit të derrave. Drejtori i Klinikës Infektive, Shemsedin Dreshaj, ka theksuar se ky departament ka bërë përgatitjet e duhura dhe është i pajisur mirë me barin Tamiflu.

Virusi A/H1N1, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, është shndërruar në grip dominues në gjithë botën. Që nga shfaqja e këtij virusi, shtatë muaj më parë, thuhet se kanë vdekur të paktën 5.700 vetë. (V.P)
XS
SM
MD
LG