Ndërlidhjet

Kur do të nisë ndërtimi i autostradës?


Me gjithë premtimet e Qeverisë se autostrada Morinë-Prishtinë-Merdar do nisë këtë vit, proceset për ndërtimin e saj po vonohen. Sipas zyrtarëve të Ministrisë së Transportit dhe Postë-Telekomunikacionit, këtë vit mund të bëhet vetëm përzgjedhja e kompanisë fituese, ndërkaq në fillim të vitit të ardhshëm pritet të nisë ndërtimi i autostradës së parë kosovare.


Autostrada Morinë-Prishtinë-Merdar nuk do të fillojë të ndërtohet këtë muaj, ashtu siç ishte paralajmëruar, por një gjë e tillë mund të ndodhë tek në vitin tjetër.

Kështu thotë Xhevdet Pozhari, zëdhënës në Ministrinë e Transportit dhe Postë-Telekomunikacionit, duke shtuar se gjatë këtij viti mund të bëhet vetëm përzgjedhja e kompanisë fituese.

Nga 30 kompani, sa kanë qenë konkurrente për këtë projekt, në listën e ngushtë janë përzgjedhur shtatë prej tyre.

“Presim që përzgjedhja të ndodhë në muajin dhjetor, të shpallet edhe kompania fituese nga shtatë kompanitë që janë në listën e ngushtë. Ato janë kompani shumë serioze, që janë të dëshmuara me punën e tyre dhe do të shpallet ajo që do t’i përmbushë të gjitha kriteret”, thotë Pozhari.

Mirëpo, se kur do të fillojë të ndërtohet autostrada Morinë-Merdarë , e cila direkt lidh Kosovën me bregdetin shqiptar, Xhevdet Pozhari shpjegon:

“Në këtë rast, s’ka dyshim që menjëherë pas 30 ditësh, posa të shpallet fituesi, kompania fituese do t’i fillojë edhe punimet në këtë autostradë”.


Autostrada e parë kosovare Morinë-Prishtinë-Merdar, ka një gjatësi prej 117 kilometrash dhe është një komponent kyç i rrjetit ballkanik të transportit, që lidh Evropën juglindore me bregdetin e Shqipërisë.

Traseja e autostradës, sipas MTPT-së, parashihet të kalojë në tetë komuna dhe me asfalt do të mbulohen 1062 hektarë tokë.

Por, nga kjo ministri mbetet ende e paqartë se sa është kostoja përfundimtare e këtij projekti.

Xhevdet Pozhari shpjegon se kostoja e këtij projekti do të dihet kur të bëhet publike kompania që do ta ndërtojë këtë autostradë.

“Faktikisht, kostoja do të bëhet e ditur pasi që të shpallet kompania. Një kosto ekziston, mirëpo varet edhe se çfarë ofrojnë kompanitë, të cilat janë konkurrente”.

“Ju, tashmë jeni të informuar se kompania duhet t’i përmbushë 50 për qind të kritereve financiare, që do të thotë çmim më të favorshëm, si dhe 50 për qind të kritereve teknike”,
sqaron Pozhari.

Deri më tani janë dhënë disa versione të kostos së kësaj rruge, që kapin shifrat nga 650 milionë deri në mbi një miliard euro.

Në anën tjetër, ekspertë për çështje ekonomike, thonë se kur janë shpallur kompanitë konkurrente për ndërtim, është dashur të dihet edhe çmimi i kësaj rruge.

Muhamet Sadiku, profesor në Universitetin e Prishtinës, thotë se mospublikimi i kostos, tregon mungesën e përvojës për organizimin dhe menaxhimin e një projekti të madh.

Bërja e studimit të fizibilitetit është shumë i rëndësishëm dhe pjesë përbërëse e këtij fizibiliteti është dashur të jetë edhe kostoja e kësaj autostrade. Unë, me sa di, qeveria disa herë është deklaruar se ka një studim të tillë. Por, unë besoj se opinioni ka nevojë të njihet me detajet e studimit, nëse është bërë”, shprehet Sadiku.

Problem tjetër në këtë segment mbetet edhe shpronësimi i tokave private, edhe pse zyrtarë qeveritarë kanë deklaruar se procedurat e shpronësimit të tokave të rreth 600 pronarëve, nëpër të cilat pritet të kalojë autostrada, tashmë kanë filluar.
XS
SM
MD
LG