Ndërlidhjet

logo-print

Berlini përjeton festivalin e lirisë


Porta e Brandenburgut

Porta e Brandenburgut

Shënimi madhështor i 20-vjetorit të rënies së Murit të Berlinit është shënim i dy dekadave të jetës në liri, që ishte ndrydhur në formën më brutale gjatë kohës së diktaturave komuniste, duke filluar nga Rusia e deri në Shqipëri.



Kancelarja e Gjermanisë, Angela Merkel, gjatë ditës së sotme ka vizituar kalimin e dikurshëm kufitar ndërmjet pjesës lindore dhe perëndimore dhe ka vlerësuar se ia ka vlerë angazhimi “për shkak të gjeneratës së re”, që është mishëruar në Bashkimin Evropian.

Kancelarja Merkel, në këtë vend historik, në të cilin edhe vetë si banore e Republikës Demokratike të Gjermanisë, kishte kaluar natën që ra Muri i Berlinit, kishte ardhur e përcjellë nga rreth 200 disidentë gjermano-lindorë dhe luftëtarë për të drejtat e njeriut.

Në këtë pjesë të kremtimit të rënies së Murit të Berlinit ishin edhe ish-lideri sovjetik, Mihael Gorbaçov, dhe ish-lideri i “Solidaritetit”, Leh Valensa.

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, u është falënderuar gjatë një fjalimi të shkurtër që e ka mbajtur para qindra vetave.

Ajo u është falënderuar Gorbaçovit dhe Valenses për rënien e Murit të Berlinit dhe për bashkimin e Gjermanisë.

“Jemi mbledhur këtu që të gëzohemi për atë që u bë e mundur të ndodhë në nëntorin e 1989-ës. Ajo ishte rezultat i historisë së gjatë të tiranisë dhe luftës kundër tiranisë”.

“Ne në Gjermani nuk ishim të parët që luftuam kundër komunistëve. Por, ishim këtu kur mori fund Lufta e Ftohtë. Prandaj, është kënaqësi dhe nder i veçantë që emrat si Mihail Gorbaçov dhe Leh Valensa të jenë me ne këtu”,
tha Merkel.

Kancelarja Merkel tha se tash po rritet gjenerata e re që është e mishëruar në Bashkimin Evropian.

Janë prononcuar edhe liderë të tjerë të tashëm dhe të mëparshëm rreth rënies së Murit të Berlinit.

Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillari Klinton, gjatë ceremonive, mëngjesin e sotëm, deklaroi:

“Jam shumë e gëzuar që gjendem në Berlin për këtë ngjarje historike. Në qytetin që do të thoshte aq shumë jo vetëm për popullin gjerman, por edhe për evropianët, amerikanët dhe gjithë botën. Gjej rastin të uroj kancelaren jo vetëm për rastin e sotëm, por për punën që ajo dhe qeveria e saj po bëjnë”,
tha Klinton.

Nga kapërcimi i ndarjes në qendër të Evropës, simbol i së cilës ishte Muri i Berlinit, kanë fituar të gjithë, deklaroi lideri i fundit sovjetik, Mihail Gorbaçov.

Ai tha se Muri nuk u rrëzua nga qielli dhe për këtë vendim udhëheqësisë sovjetike i duhej guxim i madh, për të shtuar se heronjtë kryesorë të bashkimit të Gjermanisë janë rusët dhe gjermanët.

Gorbaçov, të cilin jo rrallë herë e kritikojnë se nuk vuri kushte më të ashpra për bashkimin e Gjermanisë, i bëri këto komente për agjencinë ruse Itar-Tass, ku shprehu bindjen se drejtësia historike është në anën e tij.

Kryeministri i Rusisë, Vladimir Putin, tha se ndjen “nostalgji” për ish-Gjermaninë Lindore, ku në kohën e komunizmit në Dresden ka punuar si agjent i KGB-së.

Putin tha në një intervistë për televizionin NTV se ai ka kujtime të mira nga vitet 1985-1990 nga ky qytet, si mësimin e gjermanishtes, ekskursionet nëpër male dhe kontaktet me homologët e tij gjermano-lindorë.

Por, Putin tha se është i lumtur se Rusia dhe Gjermania e bashkuar kanë “marrëdhënie mbi baza të reja”.

“Kuptohet, kjo e vë nostalgjinë në vend të dytë”, tha kryeministri rus.

Manifestimi qendror me rastin e 20-vjetorit të rënies së Murit të Berlinit është emërtuar “Festivali i lirisë”, që mbahet te dyert e Brendenburgut në qendër të Berlinit.

Pjesa më atraktive e manifestimit është rrënimi simbolik i pllakës gjigante të bërë nga dominotë.
XS
SM
MD
LG