Ndërlidhjet

Janjiq: Beogradi pa strategji të qartë për Kosovën

  • RFE /RL

Dushan Janjiq

Dushan Janjiq

“Prapa thirrjes për bojkot mund të fshihet dëshira për shpërnguljen e serbëve nga Shtërpca dhe Novobërda, që pastaj ndarja të bëhej brenda nate në lumin Ibër”, thotë Dushan Janjiq, nga Forumi për Marrëdhënie Etnike në Beograd.



RADIO EVROPA E LIRË

Zoti Janjiq, a duhet të dalin serbët në zgjedhjet lokale në Kosovë, apo nuk duhet të dalin, siç thonë shumica e zyrtarëve në Beograd?

DUSHAN JANJIQ
Duket qartë se nuk ka vendim unik. Ai duhej të merrej nga fundi i vitit të kaluar, kur dihej se do të vijnë zgjedhjet dhe kjo do të ishte mundësi e mirë për serbët dhe Qeverinë e Beogradit, që të përpiqen për atë që e flisnin në vitin 2002, e ky është decentralizimi i çdo komune serbe.

Më vonë, presidenti Tadiq dhe kryeministri Cvetkoviq dolën me qëndrime të ngurta se nuk ka kushte për mbajtjen e zgjedhjeve.

Nga ana tjetër, ata i toleronin bisedimet e disa zyrtarëve me Piter Feithin dhe të tjerët për kushtet e zgjedhjeve.

Shkurt, Beogradi nuk ka vendim të qartë. Një pjesë thotë se nuk ka kushte, kurse pjesa tjetër, megjithatë, janë dakord që serbët të dalin në zgjedhje.

RADIO EVROPA E LIRË
Nebojsha Çoviq dhe disa të tjerë thonë se, megjithatë, nën tavolinë po zhvillohet një politikë, ku fshehurazi u kërkohet serbëve që të dalin në zgjedhje?

DUSHAN JANJIQ
Disa po bëjnë ashtu. Disa kanë pritur që qeveria e tyre do t’i mbështesë. Mirëpo, shihet qartë se diçka është e kalbur në Qeverinë e Serbisë dhe në jetën politike ruhet konsensusi se askush nuk dëshiron t’i iniciojë pyetjet kontestuese.

Nuk është problemi se politika po zhvillohet nën tavolinë, por fakti që Beogradi nuk e sheh realitetin.

Në komunat me shumicë serbe, si Novobërdë dhe Shtërpcë, mosdalja e serbëve të Kosovës do të thoshte se në ato komuna shqiptarët do ta kenë shumicën e pushtetit.

Këtu shtrohet pyetja e vendimit të gabuar mbi bazë të parimit etnik. Pra, territorin ku jeton pakica jote dhe ti e konsideron territor tëndin, ti ia lëshon dikujt tjetër, për shkak se nuk e pranon statusin e shtetit.

Druaj se këtu po ndeshemi me dy gjëra. E para është dëshira e fshehtë e Beogradit që ta heqë nga qafa Kosovën. Kjo do të thotë të krijohet pasiguri dhe jostabilitet në mesin e serbëve, në mënyrë që në rast të bojkotit, pas zgjedhjeve ata të shpërngulen.

Kjo do ta bënte realitet ëndrrën e vjetër të Dobrica Qosiqit dhe Partisë Demokratike për ndarjen në lumin Ibër.

Me një fjalë, pala tjetër nuk e di se çfarë të bëjë me Kosovën. Këtu ne kemi ndërthurjen e qëllimit jorealist për ndarjen dhe mungesën e strategjisë politike.

RADIO EVROPA E LIRË
Për shkak të kësaj, a mund të vijë deri te përplasja ndërmjet serbëve në Kosovë?

DUSHAN JANJIQ
Jo, ata janë aq të ndarë saqë nuk mund të ndahen më shumë. Mjafton fakti se këtë herë do të dalin më shumë serbë në zgjedhje se më parë.

Nuk është e saktë ajo që thonë mediat e Beogradit se këto janë zgjedhjet e para që i organizojnë autoritetet e Kosovës. Zgjedhje ka pasur edhe më parë. Serbët deri tash pjesërisht i kanë bojkotuar zgjedhjet lokale.

Ata në pjesën veriore nuk kanë dalë, kurse serbët në pjesën jugore dhe Anamoravë kanë dalë.

Këtë herë do të dalin më shumë se më parë, sepse njerëzit që jetojnë atje, me vite po ua paguajnë tatimet organeve kosovare, vite me radhë janë në shërbimin policor të Kosovës dhe vite me radhë janë të detyruar të bashkëpunojnë me institucionet e Kosovës.

Për ata nuk do të thotë asgjë pohimi se kjo paraqet njohje të Kosovës, sepse këto gjëra janë kusht i domosdoshëm për jetë.

Thënë shkurt, në aferën e fundit me rrymën, njerëzit e panë se Beogradi i la vetëm dhe ata e nxorën mësimin. Beogradi nuk mund t’u ndihmojë shumë.

RADIO EVROPA E LIRË
Ndoshta të gjithë nuk e kanë nxjerrë mësimin. P.sh. peshkopi Artemije, që jeton në Graçanicë, fare nuk e paguan rrymën, sepse, siç thotë, kështu do ta njihte shtetin e pavarur të Kosovës...

DUSHAN JANJIQ
Nuk e kanë mësuar mësimin ata që jetojnë mirë në kurriz të buxhetit të Serbisë ose me burime tjera të të ardhurave.

Nëse dikush do t’ia ndërpriste rrymën peshkopit, atëherë kjo do të bëhej çështje e të drejtave religjioze dhe besimit, prandaj ai me vetëdije e përdor apo keqpërdor këtë fakt.

Askund në botën e qytetëruar nuk ka që diçka të shpenzosh dhe të mos e paguash. Shumica e popullsisë së thjeshtë e kanë kuptuar këtë’ ata kurrë nuk do t’ia kthejnë shpinën Beogradit dhe kjo është drama e tyre. Ata nuk mund t’ia kthejnë shpinën Beogradit.

Por, nëse tash zhgënjehen dhe u pamundësohet që të mbeten, sidomos nëse nuk dalin në zgjedhjet lokale dhe fitojnë shqiptarët, atëherë kjo do t’i nxisë serbët që të shpërngulen.

Unë nuk jam i sigurt se disa në Beograd e duan apo nuk e duan këtë. Mendoj se prapa të të ashtuquajturit konfuzion politik, fshihet dëshira e disa njerëzve që t’i heqin serbët nga Shtërpca dhe Novobërda, që pastaj të mund ta zgjidhin, siç thonë ata, çështjen me ndarjen brenda natës në lumin Ibër. (V.P.)

Trego komentet

XS
SM
MD
LG