Ndërlidhjet

Operacioni në Kosovë - 3.5 euro


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese
Punëtorët shëndetësorë në Qendrën Klinike Universitare edhe më tej mbesin me kërkesë të njëjtë - rritjen e pagave. Kështu thotë Fitim Selimi, kirurg torakal, njëherësh edhe shef i repartit të kirurgjisë.


Kjo kërkesë bëhet edhe më e fuqishme, kur merret parasysh fakti se për një operacion që zgjat rreth dy orë, një kirurg paguhet 3.5 euro. Doktor Selimi thotë se me këtë përllogaritje, një mjek paguhet 1.7 euro në orë.

“Duhet të bëhet ende, sepse jemi larg asaj që quhet standard ose që do të na kënaqte neve. Aktualisht, janë 24 pacientë të shtrirë, të operuar në klinikë. Ne parashohim të operojmë 2 - 3 pacientë gjatë ditës. Nëse llogaritet pagesa me kohëzgjatje të operacionit, atëherë ne i marrim 3 euro e gjysmë për një operacion që zgjat dy orë”, thotë Selimi.

Edhe kirurgu Shqiptar Demaçi pohon se në klinikën e kirurgjisë, përafërsisht, kryhen tri operacione në ditë. Kjo do të thotë që mjekët kalojnë kohën më të madhe në sallat operative, kurse shpagimi financiar është, siç thotë Demaçi, nënçmues.

“Një operacion zgjat 2 orë deri në 5 orë. Në ditë kryhen rreth 3 operacione. Ka operacione që zgjasin edhe 7 orë. Nëse paga mesatare është 275 euro, ora paguhet 1.7 euro. Në qoftë se operacioni zgjat 2 orë, atëherë ne paguhemi 3.5 euro”, shpjegon Demaçi.

Skënder Syla, nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, thotë se pagesat e mjekëve, në krahasim me standardet në përgjithësi, janë të ulëta, por, sipas tij, një fenomen i këtillë është edhe rezultat i zhvillimit të përgjithshëm ekonomik në Kosovë.

“Rreth 89 milionë euro mbulohen nga buxheti i Kosovës për sektorin shëndetësor apo rreth 44 euro për kokë banori dhe kjo reflekton edhe problemet me të cilat ballafaqohet sistemi shëndetësor”, thotë Syla.

Faik Hoti, zëdhënës në Ministrinë e Shëndetësisë, thotë se vitin e ardhshëm kjo ministri do të bëjë përpjekje për rritjen e pagave për punëtorët shëndetësorë.

“Ministria po punon që në bashkëpunim me Ministrinë e Ekonomisë dhe Financave dhe përgjithësisht me qeverinë, të shikojë mundësinë për rritje të pagave. Me miratimin në parim të Ligjit për shërbyesit civilë dhe Ligjit për sistemin e pagave, ministria shpreson shumë që do të ketë rritje të pagave në shëndetësi”, thekson Hoti.

Sidoqoftë, punëtorëve shëndetësorë, si stimulim gjatë këtij viti u kanë paguar nga 40 euro në muaj. Sipas zëdhënësit Hoti, vitin e ardhshëm kjo shumë parash do të jetë pjesë e pagës.
XS
SM
MD
LG