Ndërlidhjet

Sigurimi i mirëqenies për të gjithë banorët, pa dallim të përkatësisë etnike, si dhe zhvillimi i komunës, janë objektivi i kandidatëve, të cilët garojnë për kryetar të Komunës së Novobërdës. Kjo komunë përfshin 24 vendbanime me popullatë të përzier shqiptare dhe serbe, ndërkohë që për ta udhëhequr atë garojnë kandidatë nga të dyja komunitetet.



Zbutja e shkallës së lartë të papunësisë përmes zhvillimit ekonomik, investimet në infrastrukturë, hapja e mundësive për biznes, zhvillimi i bujqësisë, përmirësimi i shërbimeve në shëndetësi dhe përkujdesja për problemet e të gjithë banorëve pa dallim të përkatësisë etnike, janë premtimet e shumicës së kandidatëve, qofshin ata shqiptarë apo serbë, që garojnë për postin e kryetarit të Komunës së Novobërdës, në zgjedhjet lokale të 15 nëntorit.

Kjo komunë, e cila shtrihet në rajone rurale, me popullatë të përzier, kryesisht shqiptare dhe serbe, pas futjes në funksion të decentralizimit, do të zgjerohet dhe do të përfshijë 24 vendbanime, ku, ndryshe nga çka qenë deri më tash, numerikisht do të dominojë komuniteti serb.

Bajrush Ymeri, nga Lidhja Demokratike e Kosovës, kryetar i deritashëm i Komunës së Novobërdës, e i cili kandidon sërish për këtë post, thotë se oferta e tij për qytetarët bazohet në zhvillimin e deritashëm, si dhe në programin e hartuar për vitet në vijim.

“Një numër i madh i të rinjve vazhdimisht po kryejnë shkollimin dhe po mbeten të papunë. Për të zbutur këtë papunësi, tërë potencialin tim do ta angazhoj për zhvillim ekonomik, sepse aty qëndrojmë pak keq”.

“Nëse unë vi sërish në krye të qeverisë komunale, i siguroj qytetarët e mi se Novobërda do të jetë një vend punësimi, një vend ku do të shënohet një progres i ndjeshëm në biznes. Edhe arsimi e shëndetësia do të jenë në nivel më të mirë”,
thotë Ymeri.

Premtime të ngjashme bën edhe Gafurr Mustafa, kandidatit nga Partia Demokratike e Kosovës për kryetar të Komunës së Novobërdës. Ai thekson se, mbi të gjitha, do të angazhohet në shfrytëzimin e resurseve natyrore dhe zhvillimin e bujqësisë dhe blegtorisë.

“Këtu, konkretisht, mendojmë në shfrytëzimin e tokës pjellore, zgjerimin e tregut të kafshëve në Llabjan, i cili është treg multietnik. Parashohim ndërtimin e një mini-thertoreje, pastaj ndërtimin e ndonjë punkti për grumbullimin e qumështit, ndërtimin e një punkti të veterinarisë dhe ndërtimin e mini-fermave për gjedhe, dele dhe dhi”.

“Në kuadër të komunës ekzistojnë resurse natyrore, sepse, brenda një viti, popullata e këtij regjioni grumbullon deri në 200 tonelata kërpudha. Duhet t’i kanalizojmë dhe përpunojmë”,
shprehet Mustafa.

Në garën për kryetar të Komunës së Novobërdës janë inkuadruar edhe kandidatët nga subjektet politike serbe.

Srgjan Jovanoviq, kandidat për këtë post nga Partia e Pavarur Liberale, shprehet skeptik se buxheti i komunës, i cili pritet të jetë më i madh për shkak të zgjerimit të saj, do të mund t’i mbulojë të gjitha nevojat e komunës, si dhe zhvillimin e turizmit, nëse, siç thotë ai, komuna nuk gëzon ndihmën e pushtetit qendror.

“Kjo është një komunë me mjedis rural, në të cilën kërkohen mjaft investime. Tash për tash, ndoshta e vetmja mënyrë për njerëzit që të sigurojnë ekzistencën, është që ata të merren me bujqësi. Duhet të kultivojnë degë të bujqësisë për shkak se Komuna e Novobërdës do të përfshijë ndoshta sipërfaqen më të madhe me numër të banorëve”, thotë Jovanoviq.

Ndërkaq, Zoran Deniq, kandidat për kryetar të Komunës së Novobërdës nga subjekti tjetër që përfaqëson serbët, i quajtur Partia Socialdemokrate e Kosovës, thotë se, pavarësisht faktit se është i vetëdijshëm për nevojat e qytetarëve, nuk mund t’u premtojë asgjë atyre.

Arsye e kësaj, sipas tij, është se paratë e dedikuara për decentralizimin e kësaj komune, janë harxhuar dhe kanë shkuar, siç shprehet ai, në drejtim të panjohur për të.

“Në këtë çast, nuk di se çfarë mund t’iu premtoj qytetarëve. Por, nëse unë fitoj në këto zgjedhje dhe nëse do të jem kryetar i komunës, do të mundësohet qasja ime tek ato mjete dhe unë do të shoh se si mund ta bëj ndarjen e tyre në mënyrë proporcionale, sipas strukturës së përfaqësimit të qytetarëve”, thekson Deniq.

Në anën tjetër, banorët e Novobërdës, tashmë të vetëdijshëm për zgjerimin e komunës së tyre, ndonëse me mendime të ndryshme lidhur me pjesëmarrjen në votime, presin që të paktën pas zgjedhjeve të ulet niveli i papunësisë, si dhe t’iu krijohen mundësitë për investime në bujqësi.

Muhamet Vllasaliu, shqiptar nga Novobërda, thotë se tashmë ka vendosur që të dalë në zgjedhje.

“Presim të ardhura më të mira për ta zhvilluar komunën. Ana jonë më se shumti ka nevojë për investime në bujqësi”,
thotë ai.

Ndryshe nga bashkëkombësi i tij, Hamit Krasniqi thotë se dalja e tij për të votuar, do të jetë e kushtëzuar.

“Votën e hedh për komunën ekzistuese. Për këtë të zgjeruarën, jo”,
shprehet ai.

Marko Markoviq, një i ri serb nga Novobërda, thotë se do të dalë në votime, sepse zgjedhjet i sheh si një rast të mirë për komunitetin e tij. Dhe ky rast, thotë ai, duhet shfrytëzuar.

“Unë mendoj se nëse serbët dalin në zgjedhje, sidomos të rinjtë, por edhe të tjerët, do të kenë llogari të madhe nga kjo. Para së gjithash, me krijimin e këtyre komunave të reja, të zgjeruara, do të hapet edhe numër i madh i vendeve të punës”, shpreh bindjen Marko Markoviq.

Ngjashëm thotë edhe Velibor Trajkoviq, një serb i moshuar, i cili ka vendosur të dalë në votime. Por, megjithatë, ai kritikon të gjithë kandidatët për kryetar të Komunës së Novobërdës për, siç thotë ai, mosshfaqje të ideve lidhur me atë se çfarë u ofrojnë qytetarëve.

“Askush deri më tash, as shqiptarë e as serbë nuk kanë ardhur për t’u promovuar, që ne t’i dëgjojmë programet dhe idetë e tyre për zhvillimin e komunës. Kjo është komunë pasive dhe e varfër. Ka mjaft të papunësuar, jo vetëm serbë, por edhe shqiptarë”,
thotë Trajkoviq.

Ndërkaq, Zade Ibrahimi, me përkatësi rome, thotë se do të dalë në zgjedhje.

“Kemi vendosur të gjithë ne që jemi këtu, romët, të dalim për të votuar... shqiptarë. Po të mos ishin ata, ne këto shtëpi nuk do t’i kishim pasur”, thotë ajo.
  • 16x9 Image

    Bekim Bislimi

    Bekim Bislimi ka lindur më 20. 03. 1968 në Vërban të Vitisë. Prej muajit dhjetor të vitit 2001 e deri më tash punon si korrespondent i Radios Evropa e Lirë, për shërbimin në gjuhën shqipe.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG