Ndërlidhjet

Kosovë: Rritet numri i të infektuarve


Autoritetet shëndetësore në Kosovë kanë thënë se që prej shfaqjes së parë në Kosovë të gripit të ri e deri më tash, janë shënuar gjithsejtë 19 raste të virusit A-H1N1.




Që nga shfaqja e virusit A-H1N1 në Kosovë, numri i përgjithshëm i të prekurve me këtë virus ka arritur në 19 raste të konfirmuara, bëjnë të ditur autoritetet shëndetësore. Në këtë numër janë përfshirë edhe 6 rastet e evidentuara gjatë muajve të verës.

Epidemiologu Isuf Deshushaj, nga Instituti Kombëtar për Shëndetësi Publike, shpjegon mbi numrin e të prekurve:

“Nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik janë konfirmuar fillimisht 6 raste dhe pas një pauze sot i kemi edhe 2 raste, që bëjnë 8. Tre raste janë të konfirmuara në vendbanimet ku jetojnë serbët. Gjithsejtë 11”.

“Tetë raste janë të reja, të cilat serbët e veriut të Mitrovicës i kanë konfirmuar dje, por akoma nuk kemi informata se a janë të konfirmuara në mënyrë laboratorike. Edhe ato futen në grupin e 19 rasteve në shkallë vendi, duke pasur parasysh se Kosova është tërësi territoriale”,
thotë Dedushaj.

Zyrtarë të Ministrisë së Shëndetësisë konfirmojnë se 8 personat e nacionalitetit serb po kurohen në spitalin e veriut të Mitrovicës, që drejtohet nga strukturat paralele.

Ndërkohë, drejtues të spitalit në veri i thanë Radios Evropa e Lirë se në këtë pjesë deri më sot kanë kërkuar trajtim mjekësor 329 pacientë, te të cilët janë regjistruar shenja klinike të virusit të ri H1N1.

Drejtori i spitalit, Millan Jakovleviq, thotë se nga gjithsejtë 8 pacientë me simptome të gripit të ri, të cilët ndodhen në klinikën infektive të spitalit në veri të Mitrovicës, dy janë në rrezik për jetën.

Ai thekson se pavarësisht paraqitjes së këtij gripi në Mitrovicë, nuk ka vend për panik.

Sipas tij, në përputhje me rekomandimet e Ministrisë së Shëndetësisë së Serbisë, do të merren të gjitha masat e nevojshme epidemiologjike, për të parandaluar një epidemi të përmasave më të mëdha.

“Momentalisht, në klinikën infektive gjenden 8 të sëmurë. Nga ta, 6 meshkuj dhe dy femra. 2 meshkuj janë në gjendje të rëndë. Shpresojmë që gjendja e tyre të përmirësohet. Sa i përket repartit të pediatrisë, në hospitalizim janë 17 fëmijë dhe të gjithë janë relativisht në gjendje të mirë”, thekson Jakovleviq.

Në evidentimin e të gjitha rasteve, autoritetet kosovare thonë se po hasin probleme, veçanërisht në rajonet e banuara me shumicë serbe, prej nga informacionet janë më të kufizuara.

Ministria e Shëndetësisë dhe ajo e Arsimit kanë kërkuar nga të gjitha institucionet shkollore që në baza të rregullta të raportojnë mungesën e nxënësve për arsye shëndetësore, për të pasur mundësi të përcjellin përhapjen e mundshme të këtij virusi.

Zyrtarët shëndetësorë thonë se janë duke bërë përgatitje për t’u furnizuar me të gjitha mjetet e mundshme, përfshirë këtu edhe vaksinën, për të cilën u tha se do të arrijë në muajin dhjetor.

Ministri i Shëndetësisë, Alush Gashi, thotë se institucionet shëndetësore janë duke zbatuar të gjitha rekomandimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

“Ministria e Shëndetësisë do të vazhdojë zbatimin në përpikëri të të gjitha rekomandimeve që vijnë nga OBSH-ja. Sa u përket dozave të Tamiflusë, në bazë të numrit të popullsisë, ne kemi siguruar më së shumti në rajon. Sa u përket vaksinave, neve na është siguruar se vaksinat e para të 10 përqindëshit do të jenë për ne“, thekson Gashi.

Kurse, përfaqësuesi i Organizatës Botërore të Shëndetësisë në Kosovë, Skënder Syla, thotë se institucionet shëndetësore dhe të tjerat kanë bërë përgatitjet e nevojshme kundër virusit A-H1N1. Ai gjithashtu thotë se OBSH-ja, krahas ndihmave trajnuese, do të ndihmojë edhe me vaksina.

Organizata Botërore e Shëndetësisë, falë donacioneve që janë dhënë nga shtetet e zhvilluara dhe kompanitë e ndryshme prodhuese të vaksinave, është zotuar dhe do të jetë e gatshme që të japë donacion në Kosovë 220 mijë doza të vaksinës për gripin A-H1N1”, thotë Syla.
XS
SM
MD
LG