Ndërlidhjet

logo-print

Sa të fuqishme janë raportet SHBA-Evropë?

  • Heather Maher

Uashington

Uashington

Nënsekretari amerikan i Shtetit, Filip Gordon, thotë se, në më pak se një vit, politika e jashtme amerikane ka sjellë një raport më të fuqishëm me Evropën, diskutime më konstruktive me Rusinë dhe një angazhim më të madh në Iran.


Nënsekretari amerikan i Shtetit, Filip Gordon, ka mbrojtur qasjen e re të presidentit amerikan, Barak Obama, në raport me Rusinë dhe ka hedhur poshtë pohimet se Shtetet e Bashkuara kanë sakrifikuar aleatët e saj në Evropën qendrore dhe lindore me rivendosjen e raporteve të reja ruso-amerikane.

Në një takim me gazetarët në Uashington, Gordon ka thënë se nën administratën e presidentit Obama, Shtetet e Bashkuara janë duke iu qasur raporteve me Rusinë në formë të qartë dhe pragmatike.

"Duhet të jemi në gjendje që të kemi raporte më të mira dhe më konstruktive me Rusinë, edhe nëse nuk pajtohemi në disa çështje. Kemi interesa të përbashkëta dhe duhet t’i ndjekim ato dhe ka gjëra për të cilat nuk pajtohemi, por kjo nuk do të duhej t’i nënçmonte raportet tona dhe aftësinë për të punuar bashkërisht”, ka thënë Gordon.

Megjithatë, ai ka pranuar se të dyja vendet nuk pajtohen mbi zgjerimin e NATO-s, njohjen e rajoneve në shkëputje të Gjeorgjisë, Abkhazisë dhe Osetisë së Jugut, si dhe të dhënat mbi të drejtat e njeriut në Rusi.

Një grup ish-liderësh nga Evropa qendrore dhe lindore i kanë dërguar një letër të hapur Obamës, duke kërkuar nga ai të mos i braktisë në rrugën e rivendosjes së marrëdhënieve të Shtëpisë së Bardhë me Rusinë.

Duke mos i përmendur në mënyrë eksplicite shqetësimet e këtilla, Gordon ka thënë se Shtetet e Bashkuara mund ta ndjekin këtë rrugë të re, pa sakrifikuar në asnjë mënyrë parimet dhe miqtë e rëndësishëm në mbarë Evropën.

"Ne i kemi bërë shumë të qarta këto parime. Mendojmë se vendet në Evropë, demokracitë në Evropë duhet ta kenë të drejtën për t’i zgjedhur aleancat që duan mbi çështje të sigurisë. Ne jemi kundër nocionit se vende të caktuara kanë sferë të veçantë ndikimi në Evropë, ne nuk do ta njohim Osetinë e Jugut dhe Abkhazinë dhe këto parime mbeten shumë të fuqishme”, ka thënë Gordon.

Ai gjithashtu ka hedhur poshtë pohimet se Shtetet e Bashkuara kanë më pak nevojë për Evropën tani si aleat në politikën e jashtme, ndërkohë që në agjendën amerikane globale janë çështjet si: Afganistani, ndryshimet klimatike, Irani dhe kriza financiare.

Ndërkaq, duke folur për Bosnjën, aty ku Qeveria e Republikës Serbe është duke promovuar përfundimin e mbikëqyrjes ndërkombëtare, Gordon ka thënë se diplomatët amerikanë janë duke punuar me presidencën suedeze të Bashkimit Evropian për të arritur deri te një pako reformash, e cila do të ishte e pranueshme për të gjitha entitetet dhe për ta çuar Bosnjën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

"Ata kanë ende punë për të bërë, ka ende dallime midis palëve, por këto ndryshime - marrëveshja e domosdoshme për të ndarë pronën shtetërore dhe disa vendime që duhet të merren për ta bërë qeverinë më funksionale - janë të domosdoshme për të aplikuar për anëtarësim në BE”, ka thënë Gordon.

Ai ka tërhequr vërejtjen se asnjë vend nuk mund të pozicionohet as në fillim të rrugës për të hyrë në Bashkimin Evropian, nëse ai vend nuk ka një qeveri që do ta përfaqësojë në familjen evropiane. (A.V.)
XS
SM
MD
LG