Ndërlidhjet

Sa janë reale premtimet për investime?


Gjatë fushatës zgjedhore, partitë politike kanë premtuar dhe po premtojnë shuma të mëdha për investime, të cilat, sipas ekspertëve të ekonomisë, janë të parealizueshme.




Ekspertë për çështje ekonomike i quajnë iluzione premtimet e kandidatëve për kryetarë të komunave për zgjedhjet e 15 nëntorit. Sipas tyre, gjatë kësaj fushate, fjalori, i cili po përdoret nga politikanët, i tejkalon kufijtë e një fushate parazgjedhore.

Musa Limani, profesor në Fakultetin Ekonomik në Universitetin e Prishtinës, thotë se janë të pakuptueshme premtimet që janë dhënë nga të gjitha partitë politike, se do të bëjnë, siç thotë ai, mrekulli në komunat e tyre, në rast se do ta marrin këtë post më 15 nëntor.

“Disa prej tyre kanë qenë edhe deri më tani. Dhe ne, për këto vite që kanë kaluar, nuk kemi parë ndonjë ndryshim të madh sa i përket zhvillimit ekonomik, zgjidhjes së infrastrukturës, problemeve sociale”.

“Asnjë individ nuk ka të drejtë të manipulojë dhe të premtojë mrekulli në bazë të mjeteve buxhetore. Prandaj, fjalori i politikanëve tanë është shumë i lartë, shumë i madh. Zhvillimi ekonomik po zvogëlohet, kurse varfëria po rritet”,
thotë Limani.

Edhe Flamur Keqa, nga Oda Ekonomike e Kosovës, thotë se premtimet gjatë kësaj fushate, sa i përket zhvillimit ekonomik, janë premtime enorme, të cilat nuk përkojnë me mundësitë reale në Kosovë.

“Përmenden shuma milionëshe, shuma që nuk kanë bazë në ndonjë biznes-plan, në ndonjë projekt më konkret. Kështu që konsideroj se këto shuma janë më tepër shuma që dëshirojnë të joshin elektoratin për të votuar për një apo parti tjetër”, shprehet Keqa.

Në anën tjetër, Musa Limani thotë se nuk janë të drejta premtimet, të cilat bëhen nga qeveritarët në këto zgjedhje lokale. Limani thotë se kjo e drejtë u takon subjekteve politike, pa përzier këtu postet institucionale.

“Me shifra ka premtuar vetëm kryeministri. Një gjë të tillë kanë mundur ta bëjnë të gjithë të tjerët”.

“Prandaj, nga posti në të cilin gjendet kryeministri dhe zëvendëskryeministrat, nuk kanë të drejtë të premtojnë mjete buxhetore. Kanë të drejtë të premtojnë programe dhe gjëra të tjera, që janë në suaza të partisë dhe jo në emër të qeverisë”,
thotë Limani.

Sipas tij, votuesit nuk duan premtime, por duan më tepër punë. Partitë politike, thotë Limani, nuk kanë paraqitur ndonjë program konkret, i cili mund të ndikojë në zhvillimin e përgjithshëm ekonomik.

“Duhet të kemi programe konkrete. Unë, deri më tani, nuk kam vërejtur që partitë politike, përkatësisht kryetarët potencialë të komunave, të kenë dalë me ndonjë program konkret, me të cilin do të bindnin elektoratin se gjatë mandatit të tyre do të zgjidhen këto probleme, por gjithnjë ‘do ta bëjmë, do ta bëjmë’”, shprehet Limani.

Duke u bazuar në fushatën zgjedhore të partive politike, ekspertët për çështje ekonomike nuk shpresojnë se pas zgjedhjeve lokale do të ketë përmirësim të zhvillimit ekonomik në nivel lokal.
XS
SM
MD
LG