Ndërlidhjet

logo-print

Kosova po shkon drejt ditës së zgjedhjeve me një situatë të qëndrueshme e stabile të sigurisë, është vlerësuar sot në takimin e Këshillit të Sigurisë, ku bëjnë pjesë mekanizma vendorë e ndërkombëtarë.



Këshilli i Sigurisë i Republikës së Kosovës e ka vlerësuar të qëndrueshme dhe stabile gjendjen e sigurisë.

Me një përqendrim në zgjedhjet lokale të 15 nëntorit dhe zhvillimet tjera që implikojnë sigurinë në Kosovë në këtë periudhë, Këshilli i Sigurisë ka vlerësuar po ashtu se ka një bashkëpunim të mirë ndërmjet KFOR-it, EULEX-it, Policisë së Kosovës, si dhe organeve tjera vendase në këtë fushë.

Kryeministri Hashim Thaçi tha se beson që, ngjashëm me fushatën, edhe dita e zgjedhjeve më 15 nëntor do të kalojë qetë dhe me një pjesëmarrje të kënaqshme të votuesve.

“Jam shumë optimist... Konstatoj se deri më tash (fushata) nuk ka pasur ndonjë ndikim negativ e as ndonjë qasje që do të mund ta priste ndokush. Kështu që për të mirë janë befasuar edhe ata që kanë pritur se nuk do të shkojë procesi mirë. Prandaj, jemi në rrugë të mirë dhe pres gjithashtu një pjesëmarrje masive të qytetarëve në zgjedhje”,
tha Thaçi.

Ndërkohë, pavarësisht fushatës ku janë të përqendruara partitë politike, Kuvendi i Kosovës po përgatit një seancë plenare për pjesën e dytë të nëntorit, ku do të diskutohen sfidat që dalin nga raporti i progresit për Kosovën, i hartuar nga Komisioni Evropian.

Ky raport, megjithatë, duket se mund të lë opozitën jashtë seancës, pasi që aty nuk është paralajmëruar pjesëmarrja e kryeministrit Hashim Thaçi.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Dardanisë, Nexhat Daci, tha se Kuvendi nuk mund të diskutojë këtë raport, i cili në një masë të madhe kritikon Qeverinë e Kosovës për ngecje në fushën e sundimit të ligjit, luftimin e korrupsionit dhe mungesën e lirisë së shprehjes dhe mediave, pa numrin një të Qeverisë së Kosovës.

“Jo, unë nuk do të marr pjesë fare në takim, sepse nuk ka përgjegjësi më të madhe një qeveri që synimet strategjike t’i bëjë publike - kush tjetër pos kryeministrit dhe jo përmes zëvendësve apo zëdhënësve”, theksoi Daci.

Ndaj kryetarit të LDD-së reagoi kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, i cili tha se debati për raportin e progresit mund të jetë më i frytshëm, sesa një interpelancë e kryeministrit, të cilën e kërkon opozita.

“Ne konsiderojmë që debati e mbulon edhe interpelancën dhe këtu ka qenë mendimi edhe i Kryesisë dhe mendoj që koha më e gjatë dhe mundësia për të debatuar është më e madhe e deputetëve në debat, sesa në interpelancë
”, tha Krasniqi.

Në anën tjetër, kryeministri Hashim Thaçi tha se Kosova ka angazhime në luftimin e dukurive negative kriminale si në territorin e saj, ashtu edhe në kuadër të bashkëpunimit rajonal. Ai tha se Kosova po zbaton kriteret e parapara edhe nga organizmat ndërkombëtarë për një efikasitet më të madh në luftimin e krimit të organizuar, trafiqeve dhe dukurive të ngjashme.

“Jemi duke punuar maksimalisht, në veçanti me Malin e Zi, me Shqipërinë dhe me Maqedoninë, në koordinimin e angazhimeve të përbashkëta për standardet që janë edhe për shtetin tonë, por edhe për shtetet përreth, për paqen, stabilitetin, bashkëpunimin rajonal dhe integrimet evropiane, për vënien e standardit në luftë kundër korrupsionit, kundër krimit të organizuar, kundër trafiqeve, kundër të gjitha dukurive negative”, theksoi Thaçi.

Krahas sigurisë dhe përparimeve në fushat e sundimit të rendit dhe ligjit, mbajtja e zgjedhjeve të suksesshme të 15 nëntorit me një pjesëmarrje më masive të votuesve, sidomos të atyre nga radhët e komuniteteve pakicë, konsiderohet si sfidë që Kosova do të duhej ta përballonte nëse dëshiron të marrë një notë pozitive në imazhin e saj si shtet i ri në hartën evropiane.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

XS
SM
MD
LG